Analiza vjetore e Policisë së Shtetit, Berisha: Lufta kundër krimit, të zhvendoset në një nivel edhe më të lartë, mbetet ende sfidë

Kryeministri Berisha kërkon nga strukturat e Policisë së Shtetit, ngritjen në një nivel më të lartë të luftës kundër kriminalitetit, duke e konsideruar këtë betejë ende të pamposhtur. Gjatë analizës vjetore të Policisë së Shtetit, kreu i qeverisë Berisha shprehu vlerësimin më të madh për punën, përkushtimin dhe kurajën e efektivave të Policise së Shtetit, si dhe bëri thirrje për një përpjekje të madhe në zbatimin e ligjit.Shefi i ekzekutivit, theksoi se viti 2009 ishte një vit, i cili shënoi arritje qenësore në veprimtarinë e policisë së shtetit, veçanërisht në luftën kundër trafiqeve. Duke vënë në dukje faktin se viti 2009 ishte një vit elektoral, kryeministri vlerësoi përkushtimin e madh në zbatimin e ligjit dhe përmbushjen me nder të të gjitha detyrimeve që ligji i ngarkon policisë së shtetit në procesin elektoral. Gjithashtu, kryeministri e vlerësoi vitin që shkoi si një vit me rezultate të larta në luftën kundër korrupsionit, e cila ka njohur dimensione të reja, si dhe të përmirësimit të kuadrit ligjor në tërësi , për të cilin kryeministri theksoi se do të njohë përmirësime të tjera në vazhdimësi.Kreu i qeverisë evidentoi ndër të tjera edhe arritjet e mëdha në modernizmin e kontrollit të kufijve dhe në tërësi të verifikimit të identitetit të qytetarëve shqiptarë, të cilat bëjnë të mundur një kontroll më efikas të kriminalitetit dhe lëvizjes së tij në vend.Berisha kërkoi nga drejtuesit e policisë së shtetit thellimin e mëtejshëm të luftës kundër korrupsionit në radhët e policisë, për të cilën kryeministri u shpreh se është një sëmundje që shërben si shtrat për të gjitha të këqijat e tjera. Duke sjellë si shembull krimin ndaj 4 efektivave të policisë gjatë arrestimit të terroristit Dritan Dajti, kryeministri theksoi se kjo luftë duhet të zhvendoset në një nivel edhe më të lartë.Në analizën vjetore të Policisë së Shtetit, gjatë së cilës u analizua puna dhe arritjet e policisë së shtetit, në të gjitha sektorët, gjatë viti të shkuar, si dhe u përcaktuan objektivat dhe detyrat për vitin 2010. Në këtë aktivitet merrnin pjesë, Ministri i Brendshëm, zoti Lulzim Basha, Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, zoti Hysni Burgaj, Ambasadori i Pranisë së OSBE-së në Tiranë Robert Bosch, drejtues të institucioneve të zbatimit të ligjit, si dhe punonjës dhe drejtues të policisë së shtetit....