Analiza/Struktura qeveritare e Ramës, një rikthim tek modeli i Adil Çarçanit
Më së fundi Rama foli se si do të jetë qeveria e ardhshme e vendit. Duke dalë para kamerave në një zëdhënie publike, duke shqipëruar me zor e harresë ministritë aktuale, Rama tregoi se njohjet e tij mbi ekzekutivin janë të pakta dhe shpresat për një drejtim mesatar prej tij duhen harruar sa më parë. Kazma për shkatërrimin e administratës publike janë zhvendosjet dhe strukturat e pavenda. Hallkat joqeverisëse në një vend janë strukturat që ngarkohet me detyra të paqena. Duke folur më shumë si Rama i “refleksioneve”, ai ishte larg rolit që i kanë dhënë të marrë përsipër. Rama akoma nuk ka informacion si kryeministër i ardhshëm se cilët janë strukturat “me parazitë” që të mund të nxjerrë përfundime mbi kotësinë e tyre në punë. Të tre ministrat pranë Këshillit të ministrave kryejnë detyra dubluese dhe asgjë tjetër. Marrëdhëniet me Kuvendin i mbulon zëvendëskryeministri, ndërsa me administratën publike dhe pushtetin vendor ministri i Brendshëm. Një ministër i ngarkuar për të drejtuar çështjet e pushtetit vendor do jetë një parazit më shumë në kabinetin Rama. Koordinimin me pushtetin vendor e bën Ministria e Brendshme, e cila ka prefektin përfaqësues të saj në qark, si emërtesë e përbashkët me Këshillin e Ministrave. Kësisoj ministri pa punë i Ramës do vijë vërdallë duke i prishur punë si ministrit përgjegjës ashtu edhe prefektit. Departamenti i Administratës Publike është një institucion i ngritur mbi bazën e një nga tre ligjeve të integrimit që u votuan në fundin e legjislaturës së kaluar. Rama as ka hyrë në bisedime me opozitën për ndonjë ndryshim të ligjit në fjalë, as ka shpallur mënyrën sesi do të bëhet ndryshimi i kalimit të varësisë së DAP-it nga Ministria e Brendshme te Kryeministria.
Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave
Një ministri e qartë në drejtimin kryesor, por e bërë lëmsh në planin gjuhësor. E thënë shqip do të thotë: Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit të Bujqësisë...Nuk dihet pse duhet dy herë fjala “bujqësor”, njëherë në shqip e një herë në gjuhë të huaj.
Frymëzimi i vetëm i kësaj ministrie ka qenë fushata agrare e Ramës, gjatë së cilës ai nuk iu përgjigj asnjëherë pyetjeve të fshatarëve për ujitjen, kullimin, etj. Ndoshta do ishte me vend që kjo ministri të quhej siç është por të ketë edhe fjalën bagëtisë dhe blegtorisë.
Ministria e Arsimit dhe Sportit
Dikur Ministria e Arsimit dhe Kulturës përfshinte brenda vetes Komitetin e Arteve dhe Kulturës si dhe Bashkimin e Sportistëve dhe Fizkulturistëve të Shqipërisë. Kjo strukturë ka vepruar në Shqipërinë komuniste deri në vitin 1987. Komiteti në fjalë merrej me punët kulturore ndërsa komiteti tjetër me çështjet sportive në bashkëpunim me federatat e sporteve. Mbetet të presim nëse do vijojnë organizimet me komitete sovjetike që të majtët e kanë fort për zemër. Ministrit të Arsimit i duhet të flasë sa për arsimin fillor, të mesëm, të lartë, ndoshta shkencën dhe më pas për dhunën në stadiume, çështjen e peshëngritësve, dietat e padhëna në një sport, etj.
Dështimi i Ministrisë së Rendit Publik dhe paqartësitë për Ministrinë e Brendshme
Rama dështoi në rikthimin e përvojave të këqija të qeverive socialiste që qeverisnin me Ministri të Rendit Publik dhe Ministri të Pushtetit Vendor. Mesa duket Rama ka dëgjuar i çuditur se Ministria e Brendshme nuk ka brenda saj struktura të drejtpërdrejta që lidhen me Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës, etj. Kësisoj nëse rikthehej Ministria e Rendit Publik do ishte një ministri krejt pa lidhje e pa funksione bazë pasi drejtimet kryesore sot të Ministrisë së Brendshme janë gjendja civile, emergjencat civile, zjarrfikësit, pushteti vendor, migracioni dhe refugjatët, inventarizimi i pronave shtetërore, SHKB-ja, etj, pra kjo ministri nuk ka mision të parë çështjen e drejtimit policor.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes
Është një ministri konfuze në emërtesë dhe në aktivitet. Ku dallon tregtia e zhvillimi ekonomik nga sipërmarrja dhe pse qenkan të veçanta këto në një emërtesë.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë
Është një gjysmë rikthim në modelet e qeverisë “Çarçani”. Në komunizëm ka qenë herë ministria e energjetikës dhe herë e bashkuar me industrinë e minierat. Për herë të fundit ministria e energjetikës u shkri më 1989. Modeli (i dështuar) po ngjallet nga Rama në vitin 2013. Është rikthim në modelet e qeverive të Çarçanit si dhe të qeverive socialiste të para vitit 2005. Forma e ministrisë të kujton megalomaninë e qeverive komuniste për industri të rëndë, kombinate, etj. Ndërsa menaxhimi i energjetikës mjaftonte nëpërmjet KESH-it pa qenë nevoja e një ministrie të posaçme.
Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit
Një tjetër ministri e paqartë që nuk dihet si do i bëjë bashkë çështjet që lidhen me të ashtuquajturin “zhvillim urban” (fjalë e përgjithshme dhe aspak konkrete) me turizmin.
Deri më sot propozimet për një agjenci pjesore turizmi (gjoja bregdeti) kanë qenë deri skizofrenike. Duke rritur zinxhir pas zinxhiri hallkat e tepërta, është e sigurt se qeveria së pari nuk do t’i shërbejë turizmit.
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës
Një ministri e infrastrukturës që nuk dihet ku do ndajë kompetencat e një ministrisë që merret me zhvillimin urban.
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
Një tjetër eksperiment me degët kryesore të ekzekutivit. Duke e parë nga emri “mirëqenie sociale” duket sikur kjo do jetë një ministri i mencave masive ku do ngopen të varfrit. Ndërsa shtimi këtu i rinisë i jep një përmasë akoma më qesharake sepse ahengjet që do organizojë kjo ministri për të përlarë fonde do hiqen si “investime për rininë”. Do ishte ideale nëse drejtpërdrejt do krijohej Ministria e Ahengjeve dhe Natës së Bardhë.
Ministria e Kulturës dhe e Trashëgimisë Kulturore
Edhe këtu kemi përsëritjen e fjalëve dy herë, pra edhe kulturë edhe “trashëgimi kulturore”, a thua se trashëgimia kulturore mungon deri tani në administrim të ministrisë ekzistuese.