E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministritë e Ramës, një fshesë politike ndaj administratës

25-07-2013 / Gazeta 55

Shumëzohet me zero premtimi për një qeveri të kursyer që do menaxhojë krizën ekonomike. Nën presionin e klientëve të tij, Edi Rama shton 30 pë tij, Edi Rama shton 30 përqind numrin e ministrave, duke paralajmëruar se revanshi do të zbresë deri tek niveli i fundit i administratës, nëpërmjet një fshese politike të kryer me ligj të posaçëm
Rama çudit botën - më shumë ministri se në Itali, Greqi, Gjermani dhe Angli

Nga selia mavi e Partisë Socialiste, Edi Ramës iu deshën rreth 14 minuta për të bërë publike strukturën e qeverisë së re me 19 ministra si hapin e parë të këtij procesi që do të vijojë më pas me emrat e ministrave, për të cilët ai tha se do të bëhen të ditur në fund të gushtit. Mirëpo në një kohë kur kriza po jep përditë efektet e saj në Europë dhe domosdo në vendin tonë, një vendim i kryeministrit të ardhshëm Edi Rama për të shtuar arkitekturën shtetërore me 5 ministri nga 14 aktualë, pra 19 në total, është sa i çuditshëm aq dhe i qortueshëm. Ndryshimi i organigramës shtetërore me shtimin e 5 ministrive të reja vetiu do të thotë shtimin e shpenzimeve buxhetore me 30 %. Vendet fqinje si Greqia dhe Italia të prekura nga kriza financiare as e mendojnë të shtojnë ministritë, përkundrazi kritikohen nga media dhe opinioni publik pse kanë një qeveri të madhe. Italia ka një arkitekturë shtetërore me 13 ministri dhe një kryeministër, ndërsa Greqia ka 16 ministri plus një kryeministër. Po ashtu Spanja ka një qeveri të vogël me 13 ministri plus kryeministrin, ndërsa një shtet i madh si Gjermania ka 15 ministri plus një kancelar në krye. Më pak se 19 ministrat e Edi Ramës ka dhe kryeministrit britanik David Kamerun që ka 17 ministri. Projekti i Edi Ramës ia kalon edhe Serbisë që ka një arkitekturë shtetërore me 14 ministri dhe një kryeministër, ndërsa pajtohet me arkitekturën e shtetit të Kosovës që ka 19 ministri duke parë problemet e saj me minoritetin serb. Megjithatë duhet thënë se ishin të pritshme këto propozime për ndryshime strukturore nga ana e Ramës dhe kjo për dy arsye. E para ka lidhje drejtpërdrejt me revanshin që po përgatit Edi Rama në administratën shtetërore dhe kjo gjë do të bëhet vetëm me ndryshime strukturash dhe ngritje të ministrive të reja sepse në këtë mënyrë mund t’u shmanget padive të shumta gjyqësore të panafakëve të shkarkuar padrejtësisht që do të bllokonin sistemin gjyqësor. E dyta arsye ka lidhje me të parë. Spastrimet në administratën aktuale do të jenë të shumta por jo aq shumë sa për të kënaqur turmën e militantëve që iu është premtuar punë dhe privilegje të reja. Pra, Edi Rama mendon se ngritja e pesë ministrive të reja do të punësojë një masë të madhe militantët dhe klientët e Rilindjes. Kjo u pa qartë në festën e fitores së Tiranës ku Pandeli Majko pretendent për ministër iu drejtua të gjithë socialistëve se, “ Do ikin ata që ju kanë nxirë buzën, do vini ju”. Pra, Majko iu premtoi të gjithë socialistëve që nuk janë pak, sipas KQZ, që do të sistemohen në punë.
Gjithashtu shtimi i pesë ministrive të reja në strukturën e kabinetit qeveritar pa dyshim do të rrisin koston e administratës në buxhetin e shtetit duke hapur gropa të mëdha financiare. Edi Rama po i del përpara kësaj duke rikthyer Fondin Monetar Ndërkombëtar që do ta këshillojë të heqë dorë nga investimet e reja infrastrukturore, duke i kanalizuar fondet publike në shtimin e administratës publike për të kënaqur orekset revashiste. Në fakt ky model është paraparë i dështuar në Greqi, ku ish-kryeministri socialist Jorgos Papandreu fryu administratën publike deri në atë masë sa iu kthye bumerang. Rritja e burokracisë do të shkaktojë një çekuilibër të financave dhe do ta kthejë ekonominë në një lopë që milet për të ushqyer një klientelë të caktuar konjukturale. Dhe për të mbajtur këtë burokraci super të fryrë me patjetër do të gjenden mënyra për të taksuar edhe më shumë shqiptarët. Në asnjë vend të Europës nuk ka kaq ministri sa ka menduar Edi Rama të krijuar për të kënaqur aleatët dhe të bëjë revanshin final. Një shembull Italia fqinje me një popullsi prej +60 milionë banoresh ka gjithsej 13 Ministri, ndërkohë, Shqipëria jo dhe aq e pasur me rreth 2.8 milionë banorë rezidentë të përhershëm do të ketë plot 19 ministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›