Qeveria e re, Rama mbledh sot aleatët e koalicionit
Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama mbledh sot për herë të parë pas fitores në zgjedhjet aleatët e koalicionit Aleanca për Shqipërinë Evropiane.
Takimi do të zhvillohet në orën 17:00 ndërsa në fokus të tij pritet të jetë zbatimi i marrëveshjes parazgjedhore dhe formimi i qeverisë së re.
Në marrëveshjen parazgjedhore të nënshkruar mes PS-së dhe aletatëve të saj thuhet se pas fitores në zgjedhje të koalicionit ndarja e posteve për partitë aleatë do të bëhet në bazë të votave të marra në zgjedhjet e 23 qershorit
Pas fitores në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 është e gatshme për të bashkëqeverisur me çdo forcë politike që përfaqëson një numër votash si shprehje të vullnetit të popullit, në nivel qarku nga 500 deri 1000 vota dhe në nivel kombëtar 5000 deri 10.000 vota, pa cenuar statusin e nëpunësit civil dhe në respekt të çdo ligji që rregullon marrëdhëniet e administratës publike. Për subjektet politike që do të arrijnë të marrin mbi 10.000 vota, do të ketë një bashkëqeverisje të shtrirë në nivel lokal dhe qendror, thuhet në marrëveshje.
Një ditë më parë, kreu i PS-së dhe njëherësh edhe kryeministri i ardhshëm i vendit saktësoi edhe strukturën e qeverisë së re e cila do të ketë në përbërjen e saj 16 ministri.