E Martë, 3 Nëntor 2026

Analizë e “The Athletic”, përse Çelsi ka vështirësi në shitjen

“The Athletic” i ka kushtuar një artikull të detajuar të ardhmes së Armando Brojës. Në këtë shkrim analizohen destinacionet e ndryshme të shqiptarit, fati i të cilit është një rebus për shkak të disa faktorëve.

Sipas “The Athletic” ajo çfarë e bën të vështirë transferimin e Brojës diku tjetër është shifra e kërkuar nga Çelsi. Klubi londinez kërkon nga 35 milionë euro deri në 60 milionë euro për shqiptarin. Ky i fundit, për arsye edhe shëndetësore, ende nuk justifikon në fushë investimin e madh që i duhet një klubi për ta blerë.

“The Athletic” thekson se shifra e kërkuar nga Çelsi është lehtësisht e përballueshme nga gjashtë skuadrat e mëdha të Premier Ligës, por këto të fundit ose janë të kompletuara në atë repart ose po shikojnë tregun për të gjetur lojtarë klasi.

“The Athletic” shpjegon se verën e kaluar vetëm 50 transferime lojtarësh u kryen për të paktën 35 milionë euro. Prej tyre vetëm 30 transferime u finalizuan nga klubet e Premier Ligës angleze. Ndërsa 20 të mbeturat janë bërë nga tetë klube të Saudi Pro League dhe të tjerat nga Reali, Bajerni, PSG-ja dhe Barcelona.  

“The Athletic” shpjegon se nga kjo garë duhet llogaritur jashtë edhe tre skuadra të tjera siç janë Aston Vila, Volverhampton dhe Notingam Forest, të cilat kanë shpenzuar shumë euro duke afruar respektivisht lojtar si Mousa Diabi, Mateus Kuna dhe Ibrahim Sangare.

Nga gara për Brojën mund të konsiderohen jashtë edhe Bërnlej, Shefild  apo Luton, të cilat sapo janë ngjitur në Premier. Ndërsa ekipe me probleme me financat siç janë Everton dhe Notingam Forest nuk do të shikojnë kurrë në merkato për një sulmues kaq të kushtueshëm. E njëjta gjë vlen edhe për Kristal Palas apo Burnemouth, të cilët kurrë s’kanë paguar mbi 35 milionë euro për një lojtar. Nëpërmjet kësaj llogaritjeje nga gara për Brojën largohen 13 prej 20 skuadrave të Premier Ligës.

Nga shtatë pretendentet e mbetura mund të konsiderojmë jashtë Brajtonin së bashku me Brentfordin pasi janë klube, të cilat blejnë lojtarë premtues nga ligat inferiore.

Sa i përket Njukasëllit mendohet se në sulm nuk duan më përforcime pasi kanë një repart të formuar nga element si Isak dhe Uilson. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Aston Vilën, e cila ka një sulmues si Uotkins. Edhe Uolves mund të konsiderohet jashtë kësaj gare pasi ende nuk ka përfunduar së paguari Kunjën ndërsa ka edhe një sulmues si Hee-chan.

Në fund “The Athletic” shpjegon se shanse reale për të blerë Brojën ka Fulhami, i cili është në kërkim të një sulmuesi zone pas shitjes së Mitroviç tek Al-Hilal. Ndërsa duhet parë me kujdes edhe Uest Hemi. “Çekanët” janë prej atyre skuadrave, të cilat shpenzojnë shifra të konsiderueshme në merkato madje kanë qenë të interesuar për shqiptarin edhe në 2022-in.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›