E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ançeloti: Lopez më në formë se Kasijas

Karlo Ançeloti ndjek vendimin e Zhoze Mourinjos për të mbrojtur portën si portieri i parë i Realit të Madridit, që do të jetë Diego Lopez dhe jo Iker Kasijas. “Po, është e vërtetë që Diego Lopez luan titullar prej dy ndeshjesh, por në këtë mes nuk ka asnjë situatë të dyshimtë. Ai është në formë më të mirë se Kasijas, kjo është gjithçka që mund të them”, - ka deklaruar Ançeloti.
Diplomatik qëndrimi i italianit, që trashëgon një ambient ende jo të shëruar plotësisht nga plagët që la pas Zhoze Mourinjo. Nëse Kasijas po kalon një moment negativ, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për sulmuesin Karim Benzema, i cili shënoi edhe golin e fitores së dytë sezonale kundër Granadas në transfertë.
“Benzema e ka nisur sezonin me këmbën e mbarë dhe po luan shumë mirë, pasi po fiton formën e duhur fizike. Në Granada mund të kishim shënuar edhe golin e dytë, por për mua të rëndësishme janë 3 pikët. Skuadra luajti e bashkuar dhe për këtë jam i lumtur”- ka shtuar trajneri i Realit.
Në fund të konferencës për shtyp, tekniku italian përgëzon edhe punën e bërë nga argjentinasi Di Maria, duke theksuar se ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për këtë skuadër dhe këtë e tregoi edhe në ndeshjen e javës së dytë.
Pas fitores kundër Granadas, Reali shkon në 6 pikë, aq sa Barcelona dhe Atletiko e Madridit, por duhet se të dyja fitoret e para kanë qenë të vuajtura për madrilenët. (e.ilnica/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›