Ançeloti drejt Realit, Murinjo sërish te Interi
Real Madrid po mendon që tani për pasardhësin e Zhoze Murinjos. Sipas mediave angleze, trajneri portugez nuk do të qëndrojë gjatë në Spanjë, për shkak të presionit në klubin madrilen, kështu që ish-trajneri i Portos, Çelsit e Interit, mund të largohet nga çasti në çast. Kështu që, sipas të përditshmes angleze Daily Mail, si kandidat potencial për ta zëvendësuar ‘Special One’ në pankinën e “Merengues” është trajneri aktual i Çelsit, Karlo Ançeloti, i cili duket se në fund të sezonit do t’i bëjë gati valixhet për t’u larguar nga Londra. Por ndërsa në Spanjë e në Angli janë ende disi të pasigurt për këtë lëvizje, që do ta shikonte Karliton në krye të Los Blancos dhe Murinjon tek Interi i tij i dashur, në Itali po përgatitet terreni për të pritur “Special One” ashtu siç duhet. Kapiteni i Interit, Havier Zaneti ka thënë se klubi do ta priste krahëhapur Zhoze Murinjon, pas spekulimeve rreth rikthimit të tij në “Giuseppe Meazza”. Murinjo udhëhoqi Interin drejt titullit në Serie A, Ligën e Kampionëve dhe Coppa Italia sezonin e kaluar, por skuadra ka vuajtur gjatë edicionit 2010-2011 nën drejtimin e Rafael Benitezit dhe së fundmi të Leonardos. Murinjo ka thënë se do të qëndrojë te Real Madridi edhe për sezonin e ardhshëm, “përderisa nuk shkarkohem nga mediat”. Por, duket se finalja e Copa del Rey kundër Barcelonës sot si dhe dy takimet e ardhshme me gjigantin katalan në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve do të luajnë rol të rëndësishëm në të ardhmen e tij. Me barazimin 1-1 të shtunën në El Clasico, Real Madridi pothuajse humbi shpresat për të fituar La Ligan, ku Barcelona ka epërsi prej tetë pikëve. Spekulimet rreth rikthimit të Murinjos te Inter janë shpeshtuar te mediat italiane, ndërsa e përditshmja “Gazzetta dello Sport” raportoi se Murinjo ka kthyer fëmijët e tij në shkollën në të cilin kishin ndjekur mësimet gjatë periudhës italiane të portugezit. Shkolla në Lugano është më pak se një orë nga qendra stërvitore e ekipit “Appiano Gentile”. “Leonardo është duke bërë punë të mirë dhe nuk do të ishte e drejtë ta fajësojmë atë për rezultatet e fundit”, tha Zaneti, që më pas shtoi: “Dyert e Interit janë gjithmonë të hapura për Murinjon për shkak të gjërave të jashtëzakonshme që arriti me këtë klub”. Ndërkohë, Morati, ka komentuar spekulimet rreth rikthimit të Murinjos te Inter. Por ai i mohoi ato duke insistuar se nuk ekziston asnjë kontakt me strategun portugez për rikthimin e tij në klub. “Kam lexuar në gazeta, por nuk ekziston asnjë marrëveshje me Murinjon”, tha Morati për “Corriere dello Sport”.
Shakaja
Ançeloti nxjerr Torres në shtije!
Ançeloti ka nxjerrë në shitje sulmuesin Fernando Torres në faqen më të madhe të ankandeve në botë, “E-bay”. Megjithatë, nuk bëhet fjalë për trajnerin e vërtetë të Çelsi-t, por për një tifoz që ironizon me formën jashtëzakonisht të dobët që ka shfaqur spanjolli që prej kalimit të tij në “Stamford Bridge”. Nën titullin “shitet futbollist i Premier League”, një klient i vetëquajtur Ancelotti pranon oferta për njeriun që Çelsi e bleu në të vërtetë për 58 milionë euro. Megjithatë, në rastin e tij, për të treguar se sa pa vlerë është Torres, ankandi nis nga shuma e dy stërlinave.