Pasoja në shëndet dhe bujqësi
Ndryshimet klimaterike që kanë ndodhur gjatë viteve të fundit edhe në vendin tonë do të kenë një sërë pasojash në shëndetin e njerëzve, por edhe në bujqësi. Ky shqetësim ngrihet nga ekspertë të fushës, të cilët shpjegojnë se rritja e temperaturës mesatare me 1.5 gradë ka sjellë çrregullim të dukurive natyrore gjatë katër stinëve në vendin tonë. Ekspertët pohojnë se vera do të jetë e nxehtë dhe e thatë dhe në disa zona do të kemi reshje të mëdha shiu, që sjellin përmbytje e në disa të tjera breshër, çka dëmton rëndë kulturat bujqësore. “Diku mund të shfaqen thatësira, diku shira të shumtë, por problemi kryesor është që shfaqet në kushtet kryesore të motit, qoftë thatësirat, qoftë përmbytjet, në kushtet ekstreme. Specialistët mendojnë se, nëse nuk do të merren masa për të, gazrat pritet të ketë një rritje 2.5 deri në 2 gradë për 50 vitet e ardhshme”, - pohon Laureta Dibra, shefe e sektorit për ndryshimet klimaterike. Në këto kushte, ekspertët e Mjedisit deklarojnë se masat duhet të merren në sektorin e bujqësisë dhe të shëndetësisë. “Për çdo zonë janë përcaktuar masat konkrete që lidhen me menaxhimin e ujërave, me përmirësimin e sistemit të vaditjes, me sistemet e kullimit, me mënyrën e ushqimit të kafshëve. Për shkak të fermentimit dhe mënyrës së ushqimit të kafshëve, kjo çon drejtpërdrejt në mënyrën e shkarkimit të gazit që ndikimi i tij është 20 herë më i lartë se sa vetë dioksidi i karbonit”, - theksoi Dibra. Ndërkaq, ndryshimet e klimës do të prekin edhe sektorin enegjitik, pasi në vendin tonë 90% energjisë prodhohet nga sistemi hidrik.