Anderleht i rinovon kontratën Hasita
Pas kurorëzimit me titullin kampionë të Belgjikës, drejtuesit e Anderlehtit kanë vendosur t’i shpërblejnë pjesëtarët e stafit teknik, duke u rinovuar kontratat. Puna e mirë në krye të skuadrës ka bërë që në fillim të sezonit, trajnerit Ariel Jakobs t’i ofrohej një kontratë edhe për dy vite të ardhshme. E njëjta gjë nuk ndodhi me asistentët e teknikut, trajnerin e portierëve Filip De Vilde dhe zv/trajnerin Besnik Hasi. Por, këmbëngulja e Jakobs pas titullit të 30 të klubit mbretëror ka bërë që De Vilde dhe Hasi të fitonin marrëveshje të reja, për të punuar edhe dy vjet të tjera me ekipin. Hasi është emëruar në stafin teknik të Anderlehtit në vitin 2008 dhe puna e tij 2-vjeçare është vlerësuar me nota pozitive. 38-vjeçari, ish-lojtar i Kombëtares shqiptare, kuptohet mjaft mirë me trajnerin e parë dhe ka përparuar në mënyrë të dukshme për sa u takon aftësive trajnuese. Këtyre u shtohet edhe fakti se duke qenë një ish-futbollist, Hasi e njeh mirë mentalitetin e sportistëve dhe është mjaft i lidhur me skuadrën.
#