Kuzhe, me hapa të matur për afrimin e Edgar Canit
Afrimi i Egdar Canit në Kombëtaren shqiptare do të kërkojë pak më shumë kohë nga sa mund të parashikohej. Sulmuesi, i cili është në pronësi të Palermos, që gjatë këtij sezoni ka milituar fillimisht me Padovan dhe më pas me Piaçencën, shihet si një alternativë për të ardhmen e repartit ofensiv të kuqezinjve. Të shtunën, trajneri Josip Kuzhe ishte i pranishëm në takimin Piaçenca-Viçenca, ku 20-vjeçari u aktivizua si titullar dhe mori pjesë në aksionin e golit të vendasve. Sipas burimeve zyrtare në Federatën Shqiptare të Futbollit, tekniku kroat dhe lojtari nuk u takuan. Menaxheri i Kombëtares, Denis Bastari, deklaroi se qëllimi i udhëtimit të drejtuesit të stolit në Itali ishte fillimisht për të vëzhguar lojtarin. Në të ardhme do të ketë të tjera monitorime të paraqitjeve dhe formës së Canit, përpara se palët të diskutojnë më konkretisht për aktivizimin e tij në përfaqësuese. Kuzhe ka ndërmend të tregohet i kujdesshëm, për të evituar një tjetër situatë aspak të këndshme si ajo me mbrojtësin Mërgim Mavraj. Mbrojtësi i Bokumit në Bundesligë i konfirmoi trajnerit dëshirën për t’u veshur kuqezi, por në momentin final, kur stafi teknik e kishte llogaritur në planet për të ardhmen, ai nuk pranoi, duke preferuar të priste ende për një shans në Kombëtaren gjermane. “Udhëtimi i trajnerit Kuzhe drejt Italisë kishte si qëllim vetëm vëzhgimin e Canit, duke qenë se në të kaluarën lojtari ka deklaruar se do ta pranonte një ftesë të Kombëtares ‘A’ të Shqipërisë”, deklaroi Bastari. “Bisedë pas ndeshjes? Ai nuk u takua me lojtarin në përfundim të takimit, pasi ky ishte një vëzhgim. Në të ardhmen, trajneri do ta ndjekë përsëri nga afër sulmuesin”. Zyrtari i FSHF-së konfirmon më tej se Cani nuk shihet si një alternativë e mundshme për dy miqësoret e ardhshme të Shqipërisë, me Malin e Zi më 25 maj në Podgoricë dhe me Andorrën më 2 qershor në Tiranë. Hapat që do të hidhen drejt afrimit të “Kristian Vierit të ri” në skuadrën kuqezi do të jenë të matur. “Cani nuk do të jetë në miqësoret e radhës që do të zhvillojë Kombëtarja. Ai shihet si një element i rëndësishëm për të ardhmen, për të përforcuar sulmin, por do të punohet me hapa të matur dhe pa u nxituar. Trajneri është shtyrë nga eksperienca e mëparshme (rasti Mavraj), për të qenë më i kujdesshëm në veprime dhe për të shqyrtuar të gjithë situatën. Pas vëzhgimeve të tjera, Kuzhe dhe Cani do të ulen të diskutojnë me qetësi për hapat e mëtejshëm”.
Miqësoret e ardhshme pritet të shfrytëzohen për t’u dhënë një shans lojtarëve si Emilian Veliaj i Laçit apo ish-sulmuesit të Shpresave, Ahmed Januzi. Kandidatë potencialë për t’u grumbulluar janë edhe talenti i Vllaznisë, Bekim Bala dhe mesfushori i Tiranës, Gjergji Muzaka. Aty do të vlerësohet edhe forma e lojtarëve që luajnë jashtë Shqipërisë.
#