E Shtunë, 31 Tetor 2026

Andorra, meritë e miqve

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka thënë se njohja nga Andorra është meritë e drejtpërdrejtë e disa vendeve të fuqishme evropiane. Ai ka thënë për Express se edhe disa shtete tjera kanë nisur procedurën për njohjen e shtetit të ri. Hoxhaj ndodhet për vizitë zyrtare në Berlin. Javën e ardhshme viziton disa shtete që nuk na kanë njohur Nga Valmir Klaiqi më 10 qershor 2011 në ora 08:36

Principata e Andorrës ka ndërprerë “pauzën” e njohjeve për pavarësinë e Kosovës, duke u bërë kështu vendi i 76’të që njeh shtetin e ri.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë premtuar edhe njohje tjera, që do të vijnë gjatë verës.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë të enjten për Express se njohja e Andorrës është meritë e drejtpërdrejtë e disa vendeve të fuqishme evropiane.

“Njohja e Republikës së Kosovës nga Andorra është kontribut direkt i shteteve të fuqishme të Bashkimit Europian dhe ne jemi shumë mirënjohës që këto shtete kanë kontribuuar që Andorra ta njeh Kosovën. Unë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me ministrat e jashtëm të këtyre shteteve. Ndërsa kuptohet që njohja nga Andorra është një kthesë pozitive që vendet e tjera të BE’së, që nuk e kanë njohur Kosovën, në të ardhmen të lëvizin”, ka thënë ai.

Megjithëkëtë, Hoxhaj ka paralajmëruar edhe disa njohje tjera, por për dallim nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, nuk ka pranuar të përmend emra të shteteve.
“Padyshim që njohja nga Andorra është ngjarja më e rëndësishme në muajt e fundit. Por, ka edhe disa shtete tjera, të cilat janë në procedurë që ta njohin shtetin e Kosovës. Përderisa unë kam pas informatën që disa ditë se vendimi për njohjen nga Andorra është marrë, ndërsa të mërkurën ka qenë vetëm shpallja e vendimit”, ka thënë Hoxhaj.

Shefi i diplomacisë kosovare ka folur edhe për njohjet që i ka paralajmëruar të mërkurën, gjatë mbledhjes së Qeverisë, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli.
“Besoj shumë se vizita e zotit Pacolli në Afrikë, ku ka pasur takime të shumta, do të ketë rezultate. Ne mendojmë se disa vende do të lëvizin. Disa vende që unë deri tani kam arritur t’i vizitoj, më kanë premtuar se do të marrin vendime në këtë drejtim. Por, qasja ime si ministër i Punëve të Jashtme është që edhe nëse vendimi merret por ai nuk bëhet publik, kuptohet që as unë nuk e bëj publik dhe nuk e pranoj pa e bërë publik vetë shteti që na ka njohur”, ka thënë ai.

Për të siguruar njohje të vazhdueshme, institucionet e Kosovës kanë angazhuar personalitete vendore dhe ndërkombëtare, që, sipas Hoxhajt, janë në punë permanente.
Por, edhe emrat e tyre nuk ka pranuar t’i zbulojë.

Hoxhaj bëri të ditur se gjatë javës së ardhshme do të vizitojë disa vende që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Principata e Andorrës ka pranuar zyrtarisht pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, duke bërë konfirmimin zyrtar në Ambasadën e Kosovës në Bruksel.
Principata e Andorrës, e formuar në vitin 1278, ndodhet në pjesën jugperëndimore të Europës, në lindje të Maleve Pirenej, e kufizuar nga Spanja dhe Franca.
Kryeqyteti i saj është Andorra la Vella.

Andorra është një shtet i prosperuar, kryesisht për shkak të industrisë së turizmit, e cila pret rreth 10 milionë vizitorë në vit. Ajo nuk është pjesë e Bashkimit Europian, por euro është de facto valuta e këtij shteti.

Andorra është një shtet demokratik me sistem parlamentar përfaqësues, shumëpartiak.
Kurse rolin e monarkut në këtë principatë e ushtrojnë së bashku dy bashkë-princa, Presidenti i Republikës Franceze dhe Bishopi i Urgellit, Kataloni, Spanjë.
Andorra është anëtare e plotë e Kombeve të Bashkuara, OSCE’së dhe ka një marrëveshje speciale me BE’në.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›