Shtohen grevistët
Iu bashkuan edhe shokë të tjerë. Numri i veteranëve të luftës, që ndodhen në tendat para Qeverisë, çdo ditë e më shumë vetëm sa po rritet. Kështu në ditën e nëntëmbëdhjetë të grevës, ish luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtarët e Kosovës iu bashkuan edhe bashkëluftëtarët nga komuna e Kaçanikut dhe ajo e Malishevës. E përveç atyre që në kohën e luftës mbajtën armët në duar, në shenjë solidarizimi, para Qeverisë së Kosovës të enjten dolën edhe“Plisat”, grupi i tifozëve të Prishtinës.
Të rinjtë që i ishin bashkuar veteranëve thonë se edhe përkundër që ata kurrë nuk kanë luftuar, e kanë ndjerë obligim që të jenë pjesëmarrës në grevë. Sipas tyre, arsyeja që i ka nxitur të jenë pjesë e tendës ku janë vendosur ish-ushtarët e luftës së fundit në Kosovë, është dashuria dhe vlera që ata kanë për këtë luftë.
Sheshi ku janë vendosur tendat e grevistëve ishte i mbushur përplot. Shumica nga ish- ushtarët kishin veshur edhe rrobat me të cilat ata kanë luftuar, në mëngët e të cilave akoma qëndron e vendosur emblema e UÇK-së. Por, edhe përkundër pamjes së një ushtari, ata po i mundon diçka tash e sa kohë. Prandaj edhe ndodhen aty për më shumë se dy javë. Veteranë të UÇK-së po kërkojnë që me ligj të bëhet njohja politike e luftës çlirimtare dhe vlerave të saj.
Edhe pse të lodhur e rraskapitur nga greva e gjatë, ish luftëtarët e lirisë nuk e kanë ndërmend të dorëzohen. Ylber Selmani, përfaqësues i grevistëve, thotë se ai me bashkëluftëtarët e tjerë janë të vendosur në kërkesat e tyre dhe se nuk do të dorëzohen lehtë.
“Nuk do të pranojmë asnjë lloj dokumenti që nuk e njeh të plotë luftën e UÇK-së dhe popullit për liri”, thotë Selmani, derisa mbahej në paterica, pasi që këmbën e majtë e ka humbur në kohën kur ishte ushtar i UÇK-së.
Ai thotë se kërkesa e tij dhe e shokëve është shumë e vogël. “Duam nga Qeveria që të dimë a jemi apo nuk jemi veteranë të luftës, kërkojmë që të paktën me ligj të definohet kjo çështje”, sqaron Selmani i cili thotë se edhe përkundër neglizhencës nga ana e institucioneve të Kosovës, së bashku me shokët e tij do të vazhdojnë të qëndrojnë në vendin ku ndodhen tash e sa ditë.
“Ne do të vazhdojmë pasi lufta e UCK-së ka qenë një luftë, arsyen e së cilës ne po e shijojmë tash e dymbëdhjetë vite”, tha ai. Por, pritjet e veteranëve për miratimin e ligjit për të cilin ata kanë hyrë në grevë, nuk do të zgjas edhe shumë. Kjo pasi grevistët kanë paralajmëruar se nëse Qeveria nuk arrin të dërgojë deri javën që vjen Ligjin për Vlerat e Luftës në Kuvendin e Kosovës, kurse ky i fundit të miratojë ligjin, atëherë veteranët do të bllokojnë hyrje-daljet e ndërtesës së qeverisë.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës Express)