Andrea Stefani “Komploti kundër lirisë”, libri disident i momentit
Jo të gjitha të vërtetat mund të thuhen në një moment të caktuar, por Andrea Stefani ka thënë shumë të vërteta në librin e tij “Komploti kundër lirisë”. Një libër, që ai e cilëson si vepër disidente e momentit. Sepse Stefani mendon se shqiptarët jo vetëm që jetojnë në një realitet pa liri, por më keq akoma, ata nuk e njohin konceptin e lirisë. Të gjithë janë fajtorë sipas tij, historia e shqiptarëve është po aq në faj. Të gjithë, shqiptarë dhe të huaj, në kohë të ndryshme kanë komplotuar dikush më pak e dikush më shumë kundër lirisë. Zgjidhja!?...Stefani thotë se libri është një paralajmërim në udhëkryqin ku ndodhet Shqipëria,. Zgjidhjen, ai e kërkon tek lexuesi që do t’i qaset librit të tij.
Çdo libër ka misionin për të përcjellë diçka tek lexuesi. Ndërkohë, në librin tuaj të gjithë jemi pjesë e komplotit kundër lirisë, një këndvështrim shumë pesimist ky. Në të vërtetë, çfarë mesazhi doni të jepni me librin tuaj, dhe kujt?
Nuk ka të bëjë fare as me optimizmin dhe as me pesimizmin, por ndjehet një shqetësim, madje keqardhje për shpërdorimin e shansit për të krijuar një sistem liberalo-kushtetues në Shqipëri. Një sistem demokratiko-liberal me ndarje pushtetesh, me kufizim të pushtetit qeveritar, i cili të mos jetë absolut që të diktojë jetën e qytetarëve, por që qytetarët të kenë hapësira që nën një qeverisje, ku dhe ata kanë aksionet e tyre si bashkëqeverisës, të mund të diktojnë ata fatin e tyre, punën, pronën edhe lumturinë e jetës së tyre. Këto janë drejtimet kryesore që duhet të synojë një sistem politik në liri. Fatkeqësia është se shoqëria shqiptare për shumë shkaqe, dhe mbi të gjitha për shkak të mendësisë që trashëgon në shumicë jo vetëm nga regjimi komunist, por edhe për shkak të sistemeve të mëparshme që në shekuj kanë qenë sisteme jo me liri. Sisteme bizantine, otomane, pastaj më vonë ka pasur një periudhë shumë të shkurtër mungese të sundimit nga një person i vetëm që është periudha pas pavarësisë, e cila ishte një periudhë jo me liri, por një periudhë mungese e sundimit dhe njëkohësisht edhe e kaosit. Periudhë që pas 1924-ës, u finalizua me ardhjen në fuqi të Zogut dhe shndërrimin e Shqipërisë në Monarki. Pikërisht monarkia si një formë qeverisjeje parlamentare, por parlamentarizmi ishte vetëm ana garnitureske, ishte sundimi absolut që gëzonte mbreti Zog. Pra, e gjithë ajo që ndodhi ishte konfirmim se nga mungesa e lirisë ne kaluam në kaos dhe pastaj nga kaosi kaluam prapë në mungesë lirie. Pra nuk arritëm kurrë ta bëjmë një sistem në liri.
Sipas kësaj që thoni ju, shqiptarët s’kanë qenë kurrë të lirë?
Sigurisht që ne nuk kemi qenë asnjëherë të lirë. Këtë e shpjegon edhe libri se çfarë është liria. Liria, sipas konceptit të Millit apo dhe Hegelit, nuk është ajo që mund të bësh ç’të duash, por është ajo që të veprosh me arsye. Arsyeja është liria dhe arsyeja mpikset në ligj.
Pra, komploti vjen nga mosnjohja e konceptit të lirisë dhe nuk është i qëllimshëm, thoni ju?
Padyshim. Unë nuk them se ne jemi të këqij. Unë them se ne nuk jemi të maturuar për të bërë lirinë. Ne nuk e njohim atë dhe si individë nuk kemi lidhje me lirinë. Një nënkapitull në libër flet për evoluimin e lirisë në shpirtin e njeriut. Është disi pjesa më filozofike e librit rreth 20 faqe, vështirë e kuptueshme për masën e gjerë të lexuesit, por aty nga këndvështrimi hegelian është parë sesi evoluon raporti i njeriut me natyrën, shoqërinë dhe me vetveten, sesi ky vullnet kalon shkallët e zhvillimit për të arritur tek ajo që ai e quan vërtet vullnet që i vjen njeriut jo nga instinkti apo nga nevojat e trupit, por nga arsyeja. Pra i vjen nga brenda trupit, por jo nga jashtë shpirtit. Sepse jo çdo vullnet apo dëshirë e jona është një dëshirë lirie. Kafsha që priret nga ushqimi e ka instiktive, edhe dëshirat tona materiale në pjesën dërrmuese janë që na vijnë nga brenda trupit, por nga jashtë shpirtit. Në momentin që ne krijojmë dëshira që nuk para lidhen me instinktet por me arsyen, dëshirat dhe ndjenjat tona për të qenë të lumtur janë dëshira që kanë të bëjnë me lirinë e vërtetë, apo siç e quan Hegeli “vullnetin më vete dhe për vete”. Kjo është shumë e ngatërruar për një lexues të gjerë, por unë desha të them me këtë që krijimi i individit të lirë, i njeriut që lidhet me lirinë, është produkt i një faze të caktuar dhe ai ka lindur në qytetërimin europian.
Por dhe orientimi ynë drejt Europës është. Përse ne bëjmë përjashtim dhe komplotojmë të gjithë kundër lirisë ?
Liria është produkt i një evolucioni të madh. Në libër shpjegohet ky problem: individi i lirë në Europë p.sh., është krijuar në bazë të evolucionit ndër shekuj dhe fillimisht si pasojë e ndikimit që kanë pasur tek njerëzit filozofia dhe feja. Hegeli thotë se falë ndikimit të filozofisë klasike greko-romake, njëkohësisht edhe krishterimi tek njerëzit u arrit në ndikime edhe në jetën materiale deri në industri. Maks Veberi thotë se etika protestante është një ndër faktorët që çoi në zhvillimin e kapitalizmit në Europë. Para, tregtarë, banka ka pasur në të gjitha vendet deri në Azi dhe Kinë shekuj e shekuj më parë. Por pse lindi kapitalizmi kaq suksesshëm në Europë dhe jo diku tjetër? Këtë, Veberi e shpjegon me etikën protestante që kishin një pjesë e mirë e europianëve. Kjo nuk shpjegon gjithçka, por shpjegon ndikimin që ka elementi ideal dhe ai subjektiv në zhvillimin dhe suksesin e proceseve materiale.
Ne jemi popull pa ideale, apo nuk i kemi pasur ndonjëherë?
Ne nuk kemi qenë nën këto ndikime. Ne kemi qenë nën ndikimin bizantin, pastaj nën perandorinë otomane, e cila faktikisht ishte një perandori orientale në thelbin e vet. Në libër, unë citoj Hegelin që bën dallimin mes Orientit si qytetërim, dhe Perëndimit. Dhe ai konstaton se në Orient vetëm një njeri është i lirë: Sundimtari. Të gjithë të tjerët janë të varur dhe për rrjedhojë, as sundimtari vetë nuk është një individ i lirë me botëkuptimin e një individi të lirë. Kështu që individi i lirë ka lindur në Perëndim dhe ne duhet ta krijojmë individin e lirë. Nëse në Europë, në Perëndim, individi i lirë u krijua në sajë të ndikimeve të teorive filozofike dhe të fesë, sot shqiptarët gjenden në një shkallë tjetër, ku nuk mund ta bëjnë këtë gjë.
Kjo mund të hapë sërish debatin e nxehtë për ndikimet e identitetit fetar të shqiptarëve?
Vazhdimisht do të ketë dëshira për t’i keqinterpretuar gjërat, por problemi nuk është ky. Në libër sqarohet shumë qartë se sot, thelbi i qytetërimit europian nuk është më kristianizmi. Akuzat që u bëhen europianëve si orientalistë në bazë të filozofisë së Saidit, sikur e kritikojnë me keqdashje qytetërimin oriental. Apo sikur duan që integrimin europian ta realizojnë nëpërmjet konvertimit të shqiptarëve në fenë e krishterë, nuk është aspak e vërtetë. Europa ka filozofinë e hapjes, filozofinë e pranimit të gjithçkaje. Motoja europiane është: nga shumë, një. Pra realizimin e një homogjeniteti social në pluralitet dhe kjo përfshin edhe bashkëjetesën fetare. Europa është për harmoninë fetare. Nuk është për sundimin e njërës fe. Unë kam pasur edhe një debat me Aurel Plasarin për këtë, i cili e sheh kristianizmin si të vetmin bosht të qytetërimit europian. Unë nuk jam me këtë mendim. Unë jam me mendimin se ne, duke qenë një shoqëri pluraliste nga pikëpamja fetare, mund të gjejmë harmonizim jetëgjatë edhe të feve, por edhe të politikave vetëm nëpërmjet përqafimit të filozofisë perëndimore, të tolerancës dhe në aspektin politik të parimeve të demokracisë liberale siç është ndarja e pushteteve, balancimi i pushteteve dhe moslejimi i përqendrimit të pushteteve në të njëjtën dorë, siç realisht ka ndodhur dhe veçanërisht me amendimet e Kushtetutës në 2008-ën.
Kontribut shumë të madh thoni ju në komplotin kundër lirisë ka sidomos lideri...Kam parasysh këtu Fatos Nanon, Sali Berishën, Ilir Metën, por dhe Edi Ramën. Për ju, të gjithë janë fajtorë?
Secili prej tyre ka dhënë kontributin e vet në këtë komplot, i cili faktikisht, nga shumë faktorë nuk është një qëllim antishqiptar, por ata ashtu janë. Berisha është një politikan autokrat dhe sikurse shumë të tjerë autokratë, ka 20 vjet që i ka qëndruar dhe i qëndron besnik objektivit. Ai kërkon të sundojë dhe kërkon që pushtetet e tjera ta kufizojnë sa më pak pushtetin e tij dhe mundësisht të jenë garnitura të pushtetit të tij. Dhe ka punuar për këtë. Që me projektin e parë të Kushtetutës që dështoi në ’94-ën e në vazhdim me sulmet ndaj gjyqësorit etj. Dhe për të ardhur tek më fatalja, ku Berisha me ndihmën e Edi Ramës arriti ta realizonte këtë me amendamentet e Kushtetutës më 2008-ën. Në fund të fundit kjo tregon se edhe në kampin tjetër, atë të Edi Ramës, mentalitetet e sundimit ishin prezente.
Shpëtimi cili është, se duket si rreth vicioz kështu siç ju e keni analizuar në libër?
Të realizohen ndarjet e pushteteve.
Po kush do ta bëjë këtë?
Duhet ta bëjë shoqëria shqiptare.
Por dhe shoqëria shqiptare sipas jush vuan nga i njëjti mentalitet. Atëherë, kush është zgjidhja?
Zgjidhja ndoshta qëndron në daljen e një elite politike të dedikuar. Por ne, fatkeqësisht kemi një elitë politike jo të dedikuar ndaj parimeve liberale, por një elitë të dedikuar ndaj sundimit. Kemi në krahun tjetër një opozitë, që ndonëse e ka shpallur të gabuar rrugën e pozitës nuk po investohet politikisht fuqishëm, siç ndodhi në Hungari ku dolën me protesta në rrugë për të protestuar, për të treguar se këtu është kërcënuar pavarësia e pushteteve, po kështu edhe ndërkombëtarët që ndryshe flasin në Budapest e ndryshe në Tiranë. Këto mund të balancoheshin me një opinion publik të zhvilluar, që ne edhe këtë nuk e kemi. Populli vetë siç i takon një shoqërie të emancipuar, duhet të dilte e të mbronte Kushtetutën e vet. Por ju e shikoni se një nga problemet më të neglizhuara është Kushtetua dhe në libër shpjegohet se lidhja e shqiptarëve me Kushtetutën vazhdon të jetë ajo që kanë pasur me Kushtetutën butaforike të Enver Hoxhës, e cila nuk kishte asnjë ndikim në jetët e tyre, sepse ata e dinin se ishte Enver Hoxha ai që vendoste dhe vuloste. Në fakt në një sistem demokratik është Kushtetua ajo që i thotë sundimtarit që kjo nuk të lejohet ta bësh, qytetari këtu ka të drejtë. Këtë gjë shqiptarët ende nuk e kanë kuptuar që Kushtetua është mburoja e lirisë, e pronës, e punës dhe e jetës së tyre. Unë me këtë libër jam përpjekur t’ua tregoj këtë gjë, por puna është se sa vullnet, dëshirë, prirje kanë njerëzit për ta lexuar.
Sa kohë ju është dashur për ta shkruar këtë libër?
Ky libër është produkt i reflektimit të 20 vjetëve që unë përpiqem dhe punoj për këto parime. Ndërsa si proces për të shkruar librin më është dashur një vit, që kam punuar intensivisht.
Ju vetë si individ ndërkohë që shkruanit, keni qenë i lirë apo gjatë procesit keni komplotuar edhe ju nga pak ndaj lirisë?
Unë kam këtë koncept. Nuk jam ndjerë i lirë ashtu si gjithë të tjerët, por gjithçka që kam bërë dhe bëj, e kam bërë me kosto. Por qenia e lirë në brendësinë time më ka bërë që t’i përballoj kostot që burojnë nga të thënit të së vërtetës.
E keni thënë gjithë të vërtetën që ju mendoni, në këtë libër?
Edhe Brehti thoshte që jo të gjitha të vërtetat mund të thuhen në një moment të caktuar, por unë kam thënë një përqindje shumë të madhe të të vërtetave, por jo të gjitha. Padyshim që në një realitet pa liri, ku thënia e të vërtetës ka kosto të jashtëzakonshme dhe bëhet e rrezikshme, padyshim jo të gjitha mund të thuhen. Por qëllimi i librit pikërisht ky është. Që realiteti shqiptar të bëhet gjithnjë e më shumë me liri, në mënyrë që edhe ato të vërteta që nuk janë thënë, të thuhen. Unë këtë kisha si qëllim që të ngacmoja njerëzit që të kuptojnë veten, të kuptojnë shoqërinë e tyre, të kuptojnë atë që demokracia e tyre nuk është një demokraci e vërtetë, që demokracia dhe liria nuk ecin bashkë. Sepse në Shqipëri është ecur me fjalën ‘demokraci’ duke nënkuptuar dhe faktin që ne jemi të lirë. Por në libër shpjegohet sipas shembullit të Farid Zakarias se një vend mund të ketë demokraci, por jo liri. Autokrat si Berisha, këtë ngatërresë e bëjnë më qëllim, ndërsa pjesa më e madhe e bëjnë nga mosdija. Në emër të demokracisë ata duan që njerëzit të nënkuptojnë dhe lirinë, njësoj si në kohën e Enver Hoxhës, ku pavarësia servirej sikur ishte dhe liri.
Po roli i medias?
Media është një ndër pushtetet me kontribut më të madh në çështjet e lirisë. Media ka pasur gjithmonë anën e saj pro lirisë, edhe pse ka pasur pjesë të saj në favor të pushteteve anti-liri. Në libër më shumë kam trajtuar çështjen e raportit që kanë qytetarët me mediat, sepse më ka shqetësuar shumë mendësia që kanë shumë shqiptarë për të mos respektuar lirinë e fjalës dhe profesionin e gazetarit. Nuk arrijnë të kuptojnë ende se gazetarët në demokracitë liberale nuk janë aty për t’i bërë fresk pushtetit, por se detyra primare e medias është që t’i thotë popullit të vërtetat mbi qeverisjen, korrupsionin etj. Këta njerëz nuk arrijnë të kuptojnë se edhe kur ekziston kritika ndaj pushtetit, kjo është një shenjë lirie, dhe se detyra e tyre si qytetarë nuk është që të shajnë gazetarin qen bir qeni, siç ndodh shpesh në rrugë me fanatikët, por detyra e tyre është që ta inkurajojnë lirinë e kritikës, edhe pse kjo pikëpamje apo kjo kritikë nuk u pëlqen. Ata duhet të kuptojnë se ndryshe nga regjimi komunist ku nuk lejohej të kritikohej partia dhe pushteti, në demokraci është e kundërta. Dhe që duhet të shqetësohen pikërisht kur mungon kritika ndaj pushtetit dhe partisë apo liderit. Por këtu ndodh ndryshe, ata vazhdojnë të zemërohen si komunistët e dikurshëm që e kapnin për fyti armikun e klasës dhe e linçonin. Është prapambetja mendore ajo që nuk i lejon ata njerëz që të jenë vërtet qytetarë në anën e lirisë së tyre dhe lirisë së fjalës.
Si mund t’i sjellim më afër lexuesit të gjerë këto lloj librash?
Unë mendoj se këtu një punë të madhe duhet të bëjnë universitetet. E tillë literaturë përçohet tek njerëzit nëpërmjet gjeneratave studentore. Mendoj se universitetet, nëse janë vërtet të lira, duhet të marrin në analizë edhe libra të tillë, të cilët aktualisht mund të klasifikohen si libra disidentë. Kjo është disidenca e momentit dhe jo ajo që i thur lavde pushtetit. Dhe kjo është një nga mënyrat spontane por dhe të organizuara të punës për të kanalizuar edhe vëmendjen e opinionit publik në këtë lloj literature, që për mendimin tim është një literaturë që trajton probleme vitale të së ardhmes së Shqipërisë.
Aktualisht ndodhemi në udhëkryq: nëse do ecim nga autokratizmi, apo do të rikthehemi. Kemi marrë nga autokratizmi, tashmë e kemi në Kushtetutë që kryeministri mund të zgjedhë presidentin. Një nga mënyrat për të dalë nga ky kurth është korrigjimi i Kushtetutës, pa korrigjimin e Kushtetutës krijimi i demokracisë liberale në Shqipëri është një hipokrizi.
Ky libër është një paralajmërim?
Padyshim. Thelbi i librit ky është, që ne po zhytemi thellë e më thellë në atë që unë e quaj demokraci bolshevike, ku vendos tirania e shumicës, ku nuk ka konsensus sepse palët nuk ndajnë vlera të përbashkëta për parimet themelore të demokracisë siç janë ndarja e pushteteve, drejtësia, korrupsioni, liria e fjalës etj.
Pse jemi të prirur të kopjojmë modelet e gabuara?
Mendësia jonë, asgjë tjetër. Ne nuk kemi mendësinë e lirisë, por kemi të sundimit ose të nënshtrimit. Ne duhet të bëhemi qytetarë të lirë, por që të bëhemi qytetarë të lirë na duhet sistemi, por sistemin duhet ta krijojmë, dhe ky është rrethi vicioz ku jemi futur. Dhe ndërkombëtarët duhet të ishin ata që këto deficiencat tona t’i kompensonin, por dhe ata janë pjesë e komplotit sepse kështu shfaqen.