E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një libër-muzikë për mashtrimin dhe vetëmashtrimin intelektual

Preç Zogaj

Një libër i mirë duhet t’i ngjajë muzikës së mirë, së cilës i kthehemi herë pas here me sigurinë se do të provojmë kënaqësi dhe emocione të forta njëlloj si herën e parë, madje më shumë se herën e parë, edhe pse mund ta kemi mësuar përmendësh vijën melodike. Po ashtu, prova e librit të mirë është grishja e rileximit, një takim i ri me të bukurën, një tërheqje dhe kureshtje përherë e gjallë për të njohurën, edhe pse tashmë e dimë si do të rrjedhë subjekti. Arti është gjithnjë brenda dhe midis rreshtave, një gjë që na magjeps dhe na lëshon, por nuk vjen me ne. Pak a shumë si vështrimi i Çirçes.

Një libër i tillë- le ta quajmë një libër-muzikë (“të gjitha format e artit tentojnë drejt muzikës”, thotë Borges)- mendoj se është romani i shkrimtarit kilian Roberto Bolano, “Nokturne e Kilit”, botuar kohët e fundit nga shtëpia botuese “Toena” në përkthimin e Edlira Hoxhollit dhe Bashkim Shehut. Dëshiroj ta them qysh në krye, pa e filluar siç është zakoni me tregimin e përmbledhur të subjektit, se botimi i këtij romani modest në përmasa dhe tepër elegant në brendi pasuron me një titull të ri listën e kryeveprave të letërsisë botërore në gjuhën shqipe. Lexuesit e rafinuar dhe jo vetëm ata, besoj se do të më japin të drejtë në këtë pohim kur të përfundojnë së lexuari njëqind e pesëdhjetë e nëntë faqet e këtij romani.

Roberto Bolano njihet tashmë botërisht si një poet dhe prozator i madh kilen, por që jetoi kryesisht në Meksikë dhe më vonë në Katalonjë të Spanjës, si ikanaku i madh i atdheut të tij, i distancuari dhe i përndjekuri i dyfishtë nga fryma mbytëse e regjimit të Pinoçetit dhe nga hija që lëshoi mbi të dhe mbi brezin e tij lavdia e poetëve të establishmentit latino-amerikanë me Pablo Nerudën apo Oktavio Pazin. Bolano ishte nga ata talente që rrezikohen të veniten nga shkëlqimi i paraardhësve të famshëm. Por si për të provuar se gjenia e lindur e gjen gjithsesi rrugëdaljen, Bolano e bëri veprën e tij kryesisht në Spanjë, ku edhe vdiq papritur në vitin 2003, në moshën 50-vjeçare, duke lënë në dorëshkrim romanin “2666”, që shumë kritikë e konsiderojnë si kryeveprën e tij. Ai erdhi për herë të parë në gjuhën shqipe në fund të vitit 2010, me romanin “Ylli i largët”, botuar po nga “Toena”, të cilin unë e përzgjodha me bindje në listën e dymbëdhjetë librave më të mirë të vitit 2011 në shqip. “Nokturne e Kilit” qëndron më lart në shumë pikëpamje, qëndron kaq lart sa e kam të vështirë të mendoj se do të dalë gjatë këtij viti ndonjë libër më i bukur.

Është një roman për Kilin, para dhe pas grushtit të shtetit të gjeneralit Pinoçet, i ndërtuar në formën e një tufe kujtimesh të priftit, kritikut dhe poetit Sebastian Urrutia Lakrua; kujtime të lidhura si leskrat e një reje të ndjekur nga era e pamëshirshme e kohës; kujtime që rrjedhin si një rrëfim, si një poemë apo si një ep që shtrihet në kufirin fluid të elegjisë dhe humorit të zi për verbimin, shkëlqimin dhe konformizmin intelektual në diktaturë dhe për shpërthimin e gjirizeve në postdiktaturë.

Sebastian Lakrua është emri letrar i priftit Ikabaçe, një personazh i njohur dhe i respektuar qysh në rini në botën letrare të vendit të tij. Ai ishte një nga të talentuarit që nuk iku kur ndodhi grushti i shtetit. Nuk e mbështeti hapur, por as iu kundërvu në ndonjë farë forme juntës ushtarake të Pinoçetit. Vazhdoi të shkruante poezi dhe kritikë letrare për veprat që botoheshin në Kili, u afirmua në rrethet e larta si një intelektual fin me veladon, u bë anëtar i Opus Dei-t, frekuentonte sallonet e elitës, ku talljet e holla politike të pjesëmarrësve jepnin imazhin e normalitetit të regjimit. Duke parë këto nokturne rrezellitëse, kushdo që nuk arrinte ta njihte dhe ta shihte nga brenda realitetin kilian të atyre viteve mund të pyeste jo pa sinqeritet “pse nuk janë këtu, pse kanë ikur nga Kili ata, kundërshtarët, disidentët, Roberto Bolano, për shembull, dhe disa të tjerë të talentuar si ai?” Mbi temën e një inteligjence të vetëmashtruar në iluzionin e lirisë, që përdoret dhe vetëpërdoret për të hedhur tisin e normalitetit në diktaturë, Bolano ka ndërtuar subjektin e romanit “Nokturne e Kilit”.Vetë shkrimtari, siç e shënuam më sipër, ka qenë një nga të ikurit, por ka vënë të flasë në vetën e parë priftin dhe kritikun Sebastian Lakrua. Në muzgun e jetës pasi ka parë rënien e regjimit të Pinoçetit dhe daljen në dritë të disa prej të fshehtave të regjimit të tij, ky prift dhe intelektual nxitet nga djaloshi i plakur që ka ruajtur brenda vetes të kthehet nga e para dhe të kalojë si në revistë ngjarjet dhe episodet vendimtare të jetës së tij. Shkrimtari na e tregon të mbështetur mbi bërryl, me dorën në faqe dhe më vështrimin e drejtuar prapa, ku ngjarjet e vjetra dynden si një magmë, çahen nga vetëtimat e kujtesës, na lejojmë të shohim në dritën e shpejtë të rrufeve personazhe, peizazhe dhe vende ku ka lënë gjurmën e saj historia e Kilit të viteve shtatëdhjetë-tetëdhjetë; në skena që duken herë vegime, herë të vërteta, shohim Pablo Nerudën duke folur me hënën, pastaj duke folur me miqtë e tij në fermën e kritikut të shquar Feruellit; shohim Pinoçetin dhe anëtarët e tjerë të juntës duka marrë leksione mbi marksizmin për të kuptuar më mirë se çfarë kanë në kohë armiqtë e tyre, shohim mbrëmjet gala në shtëpinë e shkrimtares Marija Karnalis, një shëmbëlltyrë e zonjës De Stal në Kilin e kohës… Vjen shumë histori nga e kaluara, autori s’ka kohë të ndalet e t’i ftillojë gjatë episodet që kalojnë me shpejtësi mbi kokën e tij si re të ndjekura nga era. Kjo mënyrë të treguari, ku ndihen jehonat e infrarealizmit që pat themeluar brezi i shkrimtarëve latino-amerikanë i viteve tetëdhjetë, sjell një dendësi të madhe informacioni dhe ndjenje për njësi fraze, duke provuar epërsinë e lakonizmit mbi deskriptivizmin dhe zgjatjet e panevojshme. Por nga ana tjetër, duke përshtatur teknikën kinematografike në prozë, Bolano është kujdesur të shmangë rrezikun e shkëputjeve logjike dhe konfuzionit që krijon shpejtësia. Ai e ka ndërtuar romanin mbi evokimin e disa tregimeve, që mund të qëndrojnë edhe veç e veç, por që në lidhjen e tyre përgatisin dhe theksojnë paradigmën finale të dyzimeve njerëzore.

Tregimi i parë është vizita e priftit të ri e të përkorë te Feruelli, kritiku i famshëm, i rreptë dhe cinik, që sundon jetën letrare të Kilit. Grushti ushtarak i shtetit nuk ka ndodhur akoma. Pablo Neruda, i adhuruari i të gjithëve, ai që do të marrë çmimin ‘Nobel’ pak vjet më vonë, është atje. Një pjesë e rinisë së praruar është atje. Dhe biblioteka e madhe e Feruellit. Ky është momenti kur Sebastiani i ri “pagëzohet” letrar. Tregimi i dytë vjen si evokimi i një anekdote nga Parisi gjatë pushtimit nazist, që ka në qendër ish-diplomatin kilian Salvatore Reis dhe shkrimtarin e filozofin gjerman me famë, Erns Yanger, që ishte një zyrtar i Vermahtit në Parisin e pushtuar. Takimi i tyre në papafingon e një piktori të heshtur dhe të varfër nga Guatemala, ku që të dy vijnë për të adhuruar pikturat e tij dhe për t’i ofruar ndihmë, ilustron gjunjëzimin e shijes para artit. Tregimi i tretë, (pas një intermezoje kur Sebastiani viziton disa kisha në Europë, ndërsa në Kili ndodh grushti i shtetit), ka në qendër leksionet që ky prift u jep Pinoçetit dhe juntës për marksizmin. Tregimi i katërt janë mbrëmjet e bukura të elitës në vilën e shkrimtares Marija Kanalis. Vonë, pas rënies së regjimit, merret vesh se në bodrumet e asaj vile, bashkëshorti amerikan i Marijes merrte në pyetje dhe torturonte kundërshtarë të regjimit. Djaloshi i plakur që ka në shpirt Sebastiani, e kthen dhe e rikthen në atë kurth të madh të jetës, ku përmblidhet gjithë humori i zi i noktureve të Kilit. Jehona e tekstit të thellë e të mrekullueshëm e shtrin dyzimin dhe pendesën intelektuale përtej një apo disa episodeve. Të duket se nga një anë “nokturne” është vetë Kili, ndoshta edhe vetë jeta.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›