INSTAT: Rritet volumi tregtar me Greqinë dhe Italinë
Rriten marrëdhëniet tregtare me Italinë dhe Greqinë. Të dhënat zyrtare të INSTAT-it raportojnë se tregtia me vendet e BE-së është 67.3 për qind. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë eksporti është 59.3 për qind dhe importi 29.9 për qind, ndërsa me Greqinë eksporti është 5.9 për qind dhe importi 10.3 për qind.
INSTAT konfirmon se disa nga partnerët tanë tregtarë me të cilët eksporti dhe importi është rritur, janë: për eksportin, Greqi, Itali, Kroaci, Spanjë, Turqi etj., dhe për importin, Austri, Gjermani, Itali, Kinë, Turqi etj. Pavarësisht krizës në eurozonë, vendet e BE-së vazhdojnë të interesohen për produktet shqiptare. Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave tregojnë për 128.6 miliardë lekë të ardhura të realizuara nga administrata doganore gjatë vitit që sapo u mbyll. Të dhënat zyrtare tregojnë se të ardhurat janë rreth 7.4 miliardë lekë më shumë se realizimet e vitit 2010. Në këtë shifër, peshën më të madhe e mbajnë eksportet “Made in Albania” me 3 milionë e 95 mijë tonë nga 2 milionë e 390 mijë tonë të regjistruar në vitin 2010, me një rritje prej 705 mijë ton ose rreth 30 për qind më shumë. Ndërsa si vlerë, më 2011 eksportet ishin 97 miliard lekë, me një rritje prej 22.2 miliardë lekë ose rreth 30 për qind më shumë krahasuar me vitin 2010.