Andreas Zagklis, vizitë dyditore në Kosovë

Pas vizitave të drejtuesve kryesorë të FIFA-s dhe UEFA-s, Kosovën po e viziton edhe nr. dy i organizmit që qeveris basketbollin botëror, Sekretari i Përgjithshëm i FIBA-s, Andreas Zagklis. Fillimisht ka vizituar Federatën e Basketbollit të Kosovës, ku është takuar me krerët e saj, kryetari Arben Fetahun dhe Sekretare e Përgjithshme, Elvira Dushkun. Gjatë kësaj vizite, Zagklis është shprehur shumë i kënaqur me pritjen që i është bërë. “Ky është vit jubilar, pasi është 90 vjetori i themelimit të FIBA-s, ku po zhvillohen shumë aktivitete në mbarë botën dhe jam shumë i lumtur që sot gjendem në mesin tuaj.
Federata e Basketbollit e Kosovës edhe pse është pranuar që një kohë të shkurtër, është ndër më aktivet me ngjarje dhe organizime. Ju dëshiroj shumë suksese për të ardhmen”, – ka thënë Zagklis, para stafit të Federatës. Më pas, Sekretari i Përgjithshëm i FIBA-s, i shoqëruar nga drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës u takuan edhe me krerët e Komitetit Olimpik të Kosovës.
Zaglis është pritur nga Presidenti i organizmit që qeveris lëvizjen olimpike, Ismet Krasniqi, i cili i ka shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen për zhvillimin dhe çuarjen përpara të basketbollit në Kosovë, me theks të veçantë edukimin e trajnerëve përmes kurseve teknike të organizuara nga KOK-u, si dhe masivizimin e basketbollit 3×3 në vend.
Nga ana e tij, Zagklis kërkoi nga Komiteti Olimpik i Kosovës vazhdimin e mbështetjen për Federatën e Basketbollit, në projektin 3×3, me shpresën se në një të ardhme të afërt Kosova do të arrijë të kualifikohet në Kampionatin Botëror të 3×3 dhe të marrë pjesë në turnetë eliminatorë të Lojërave Olimpike “Los Anxhelos 2028”.
Siç dihet, Sekretari i Përgjithshëm i FIBA-s ishte i pranishëm në finalen e Superkupës Mbarëkombëtare të Basketbollit për Meshkuj midis Kosovës dhe Shqipërisë, që u zhvillua në Palestrën “Minatori” të Mitrovicës. Vizita e Andreas Zagklisit vazhdon edhe të premten ku në takim e pret kryetari i komunës së Prishtinës Përparim Rama, si dhe Ministri i Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku.