Anelka: Drejtuesit e Federatësjanë kllounë të vërtetë
TIRANE- Një farsë. Një histori idiote dhe groteske. Kështu e ka përkufizuar Nikolas Anelka vendimin e drejtuesve të Federatës Franceze, që e kanë pezulluar për 18 ndeshje si rrjedhojë e skandalit në Kupën e Botës në Afrikë. Por, për sulmuesin e çelsit, e gjithë kjo histori ka qenë e kotë, duke qenë se ai ishte larguar nga kombëtarja. “Janë kllounë të vërtetë, më bëjnë për të qeshur, - u shpreh Anelka. – Unë i kisha dhënë lamtumirën kombëtares, ndërsa ata marrin këtë vendim të kotë”. Sipas sulmuesit të çelsit, dënimi për të, për Evra dhe për Riberi, është marrë vetëm për të zbavitur publikun pas asaj që ndodhi në Botëror. Për të bëhet fjalë për fundin e historisë në kombëtare, me të cilën nuk ka pasur asnjëherë raport të mirë, ndërsa në vitin 2002 refuzoi të grumbullohej, duke u pezulluar për dy ndeshje. Një nga drejtuesit e Federatës Franceze, deklaroi se dënimi për Anelka u bë akoma më i rëndë për faktin se sulmuesi i çelsit nuk u paraqit në mbledhje dhe as dërgoi ndonjë përfaqësues. Për vendimin e Komisionit Disiplinor të Federatës ka folur edhe Frenk Riberi, i cili nuk ka qenë dakord për mënyrën sesi është vepruar. “Nuk e kuptoj përse disa futbollistë janë sanksionuar me largim nga kombëtarja dhe disa të tjerë nuk kanë marrë as dënimin më të vogël”, ka thënë ai. Riberi është pezulluar për 3 ndeshje të kombëtares për sjelljen në Botërorin e Afrikës së Jugut, ku ai ishte një nga organizatorët e bojkotit të stërvitjes në mbështetje të Anelka. “Ai episod përfshiu të gjithë lojtarët dhe jo vetëm ne që u ndëshkuam”, shtoi më tej mesfushori i Bajernit. Gjithsesi, Riberi ka konfirmuar se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga kombëtarja. Futbollistët francezë bojkotuan stërvitjen para ndeshjes së fundit të Botërorit, për shkak të përjashtimit të Nikolas Anelka. Ky i fundit shau rëndë trajnerin Domenek në pushimin e ndeshjes me Meksikën, ndërsa fjalët u publikuan në mediat franceze.
(BalkanWeb)
(BalkanWeb)