Ançeloti ka vendosur: Lamtumirë Çelsi

Grupi i lojtarëve, edhe pse është i ndarë në dysh, nuk kërkon largimin e teknikut italian
Tabloidi britanik “The Sun” (njihet si një media shumë pranë bluve) ka bërë me dije se në fund të këtij sezoni Karlo Ançeloti do të lërë Çelsin. “Burime pranë klubit londinez” sigurojnë që nëse Çelsi nuk kthen faqe (prej një muaji nuk merr fitore), atëherë lamtumira e teknikut italian, që është zemëruar me drejtuesit e klubit pasi shkarkuan zëvendësin (Rei Uillkin), mund të jetë edhe më e shpejtë.
Të ndarë, por me Ançelotin
Burimi i tabloidit tregoi se në këto momente, në dhomat e zhveshjes së Çelsit “shpirti” i grupit nuk ndihet më, pasi midis lojtarëve anglezë dhe atyre frëngjishtfolës ka tension. Këta të fundit akuzojnë anglezët se nuk impenjohen aspak në këtë periudhë të kampionatit. Kjo “krisje” e grupit të bluve mund të rikuperohet vetëm me qëndrimin e teknikut italian. Ky i fundit, sipas burimit të “The Sun”, ka fituar besimin e plotë të futbollistëve. Ançeloti është i vetmi për momentin që mban të bashkuar një grup që prej kohësh ka tension: “Ai vlerësohet shumë nga të tërë, - tha burimi. - Të gjithë lojtarët e Çelsit janë të mendimit se ai është një trajner i madh. Lojtarët janë gati që të bëjnë gjithçka për të”. Në fund informatori “misterioz” shtoi se “atmosfera, për momentin, nuk është aspak e mirë tek Çelsi. Deri më tani nuk ka asnjë dyshim: grupi i lojtarëve është i shpërbërë”.
Çelsi nuk fiton prej një muaji
Pak muaj më parë, askush nuk do ta kishte imagjinuar që tek Çelsi do të flitej për ndryshim bankine. Por tashmë pas rezultateve të dobëta, bankina e bluve “po dridhet”. Që nga 14 nëntori i kaluar, kur Çelsi u mund në “Stamford Bridge” nga Sandërlendi, skuadra e Ançelotit ka luajtur edhe gjashtë ndeshje, ku ka mundur të fitojë vetëm një (në Ligën e Kampioneve kundër Zilinës). Në Premier Ligë, blutë nuk fitojnë prej pesë takimesh radhazi.