E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Hansel dhe Greta” një version modern në Tiranë

“Hansel dhe Greta”, përralla e njohur e vëllezërve Grim është sprova më e fundit që regjisori Paolo Comentale sjell për publikun e vogël shqiptar. Pas dy vjetësh regjisori italian, njëherësh dhe drejtor i teatrit “Casa di Pulcinella” në Itali, rikthehet në Tiranë për të vënë në skenë një shfaqje të re, premiera e të cilës do të jepet më 18 dhjetor në orën 18.00 në Teatrin Kombëtar të Fëmijëve. “Hansel dhe Greta” është përshtatur për skenë nga Comentale, i cili dhe do të drejtojë realizimin e shfaqjes. Regjisori ka filluar provat me aktorët Shegushe Bebeti, Sokol Myzeqari dhe Jorida Marsi që do të jenë protagonistët e kësaj shfaqjeje.

Kukullat e shfaqjes janë realizuar nga mjeshtrja italiane Lucrezia Tritone, e cila ka pasur një përvojë mjaft të mirë në dy shfaqjet e mëparshme të vëna në skenën shqiptare; “Kësulëkuqja” dhe “Ali Baba”. Kukullat e shfaqjes janë një pjesë e stilit buratin, karakteristike e Commedia del’Arte dhe pjesa tjetër kukulla në tavolinë. Edhe muzika e krijuar nga Sokol Marsi trajtohet risi në këtë shfaqje. Shfaqja e “Hansel dhe Greta” vjen si një bashkëpunim i shoqatës “Art blu” të drejtuar nga aktorja Monika Lubonja, Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Teatrit Kombëtar për Fëmijë. Organizatorët ia kushtojnë këtë shfaqje fëmijëve me sëmundje onkolgjike në spitalin Pediatrik në Tiranë. Për këtë arsye pas premierës skena do të zhvendoset në ambientet e spitalit ku edhe do të jepet shfaqja. Përveç shfaqjes që është mbështetur nga zëvendësministri i Shëndetësisë, Fatbardh Spahia, dhe sponsorizuar nga Spitali Gjerman e Tylolhot, për fëmijët e sëmurë do të shpërndahen edhe dhurata me rastin e festave të fundvitit.

Paolo Comentale është drejtor artistik i teatrit ”Casa di Pulcinella” Bari-Itali, një teatër shumë i njohur dhe më i vlerësuari në rajonin e Puglias. Ai është i njohur dhe vlerësuar më shumë çmime botërore jo vetëm si regjisor, por edhe si aktor i mrekullueshëm në mjeshtërinë e buratinit, të marionetës, pupit (kubella e Sicilisë).

Por Paolo Comentale është gjithashtu edhe shkrimtar për fëmijë që po bëhet gjithnjë e më popullor në vendin e tij. Vetëm pak javë më parë ka mbërritur në duart e lexuesit të vogël edhe libri i tij i parë në shqip, i titulluar “Aventurat e Inspektorit Pinguin”, një rrëfenjë plot fantazi dhe humor, shqipëruar nga Rovena Rrozhani. Pikërisht pas premierës së shfaqjes “Hansel dhe Greta” Paolo Comentale do të prezantojë edhe librin e tij, ndërsa 30 kopje të librave do t’u bashkëngjiten dhuratave për fëmijët e sëmurë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›