Sina: Duhet ta mbyllim vitin me fitore

Tirana ndodhet në vendin e pestë në kuotën e 22 pikëve. Takimi i radhës i bardhebluve do të jetë ai me Kastriotin
Java që po lëmë pas, ka qenë mjaft “e lëvizshme” për Tiranën. Drejtuesve dhe ekipit bardheblu u është dashur që të menaxhojnë dy situata aspak të këndshme: së pari, atyre u është dashur që të “kapërdijnë” takimin e Ballshit, ku vendasit arritën që të merrnin një pikë ndaj Tiranës, falë gjykimit skandaloz të Metës. Ndërsa nga ana tjetër, të dielën mediat trumbetuan gjatë largimin e Lilës, edhe pse ky i fundit as që kishte shprehur ndonjëherë dëshirën për të lënë Shqipërinë gjatë janarit. Gjithsesi, pas asaj që ndodhi, duket se gjithçka në klubin bardheblu po shkon ashtu siç duhet. Ekipi është i fokusuar në dy takimet e fundit të këtij viti, ku dhe pretendon që të marrë plot 6 pikë. Një objektiv të tillë e tregoi edhe vetë njëri prej lojtarëve bardheblu, Elvis Sina. “Tani po mendojmë që të fitojmë takimet kundër Kastriotit dhe Laçit. Duhet ta mbyllim vitin me dy fitore, pavarësisht vështirësive. Janë dhurata më e mirë për festa”, - pohoi mbrojtësi i krahut.
Arbitrimi i Ballshit
Barazimi në Ballsh bëri që Flamurtari të rikuperonte përsëri pikët e lëna në Tiranë ndaj bardhebluve. Kështu, skuadra më e titulluar në Shqipëri e gjen vetën në vendin e pestë plot 9 pikë larg të parit. Për këtë çështje Sina tregoi hapur se rrugën drejt titullit po ua bën edhe më të vështirë arbitrimi i dobët. “Duhet të harrojmë barazimin që morëm në Ballsh, edhe pse na ka prishur punë për sa i përket objektivave që ne kemi. Por tashmë, kësaj çështjeje nuk mund t’i rikthehemi, pavarësisht se gjykimi na ka penalizuar sërish”, - u shpreh Sina.
Titullar
Kur nga fillimi i ndeshjes Tirana-Kastrioti na ndajnë plot 3 dit, mbrojtësi i Tiranës tregon se do të jetë titullar në këtë takim paksa “delikat” për të: “Kartoni i kuq në sfidën e fazës së parë nuk u mor për fajin tim. Unë në çdo ndeshje futem në fushë për të bërë më të mirën time. Është detyrë jo e vetëm imja, por e çdo futbollisti, që të ndihmojë skuadrën të fitojë. Në këtë ndeshje, delikate për ne, i vetmi rezultat që na duhet është fitorja. Dhe unë do të jem në fushë për ta arritur”.
Loja në grup
Me ardhjen e trajnerit të ri (Nevil Dede) ekipi i Tiranës ka ndryshuar mënyrën e lojës dhe të sjellit në fushë, për këtë çështje edhe vetë Sina pohoi se “Tirana po luan mirë si grup”. Më tej anësori i djathtë shtoi: “Ne tashmë jemi më të organizuar, ndërkohë që futbollistëve të rinj u është dhënë përparësi dhe ata kanë pasur hapësira në skuadër. Gjithashtu, kemi arritur rezultate në kampionat”.