E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anëtarësimi i Maqedonisë në BE mund të shtyhet

Komisioni Evropian mund të tërheq rekomandimin për Maqedoninë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE për shkak të shqetësimeve nga situata politike.
Mediat në Maqedoni ka mësuar nga burime të afërta me KE-në se rekomandimi mund të tërhiqet për ti dërguar sinjal serioz qeverisë në Shkup se nuk është e pjekur dhe serioze për tu ballafaquar me problemet kyçe.
Brukseli zyrtar vlerëson se Maqedonia akoma nuk po arrin që të mbyll shumë çështje të ndjeshme si: sundimi i së drejtës, mungesa e dialogut politik, shqetësimet e shqiptarëve për mosrealizimin e Marrëveshjes së Ohrit 10 vite pas arritjes së saj, reformat në gjyqësor si dhe liria e mediave, etj.
Nuk ka asnjë rregullore apo ligj që ndalon Komisionin Evropian që të tërheq rekomandimin, por deri tani ndaj asnjë vendi nuk është ndërmarrë ndonjë hap i tillë.
Diplomatë europerëndimorë kanë bërë të ditur më parë se dhënia e rekomandimit për Maqedoninë ishte një nxitje dhe shtytje për kryeministrin Nikolla Gruevski që të krijojë hapësira lehtësuese për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë.
BE ka shprehur shqetësimet se vendi nuk është i aftë për të zgjidhur nëpërmjet dialogut të brendshëm politik çështjet e hapura duke treguar unitet për qëllimet strategjike. Raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë, eurodeputeti slloven Zoran Taler hapur ka shprehur pakënaqësi ndaj politikës izoluese të praktikuar nga kryeministri Gruevski dhe mungesën e iniciativave për zgjidhjen e problemeve në vend.Situata politike në maqedoni është tensionuar edhe më tepër pas bojkotit parlamentar të partive opozitare dhe kërkesës së tyre për zgjedhje të parakoshme.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›