Anëtarësimi i Shqipërisë, Dhuka: Të zgjerojmë informimin mbi BE-në për të drejtat dhe detyrimet

TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja për Integrimin në Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka, deklaroi se “Shqipëria është në çastin që sapo i ka çelur negociatat dhe prespektiva e anëtarësimit është e afërt, ndaj kërkohet të reflektohet me përmirësimet që duhet të bëhen në kushtet e negocimit dhe anëtarësimit”.
E pranishme në Komisionin e Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, Dhuka tha se, “krahas konsultimit për aktet nënligjore sipas BE-së, është e nevojshme edhe vlerësimi rregullator i politikave”.
“BE punon mbi bazë politikash ku rregulloret janë të vetëzbatueshme, por direktivat janë udhëzime të politikave”, u shpreh ajo.
Dhuka vuri theksin në nevojën e vlerësimit të ndikimit të politikave, përpara marrjes së nismave ligjore ose politikëbërëse, pasi siç tha ajo, “ka të bëjë me ndikimin në grupet e interesit”.
Dhuka solli si shembull se në politikën e përbashkët bujqësore ka rëndësi të bëhet një reflektim i gjerë ekonomik shoqëror në lidhje më ndikimet e kësaj politike në bujqësinë shqiptare, ku padyshim këtu grupet e interesit dhe shoqërisë civile luajnë një rol kryesor, sepse ky ndryshim duhet të vij nga poshtë lartë, që të jetë realisht dhe të ndikojnë në transformimin në themel.
Ministrja Dhuka u ndal edhe në çështjen e konsultimit.
“Ka disa përmirësime. Ne kemi parë modelet e forumeve opiniondhënës dhe influencuesve në BE. Një i tillë është Këshilli Social Ekonomik Europian. Pra ekzistojnë forume opinioniste që shpallin për konsultim një nismë. Këto grupe opinionistësh kanë në përbërje përfaqësues të shoqërisë civile. Kanë mbi 300 anëtarë me mandat, sekretari dhe fonde të dedikuara. Pra shoqëria civile ulet në një forum përfaqësimi dhe roli i tij është vetëm dhënia e opinioneve”, tha ajo, teksa shtoi se, krijimi i analizave të pavarura, nga këto këshilla, mund të trupëzohen në rekomandime që i shkojnë faktorit politikëbërës”, theksoi ajo.
Ndër të tjera, theksoi ajo, duhet të zgjerohet informimi i gjerë i qytetarëve mbi BE-në.
“Kemi disa mjete të informimit si Këndi i BE në disa bashki, Shtëpinë e Biznesit, apo programet e transparencës por synojmë të krijojmë edhe asistentët virtualë për bizneset ndërsa duhet të diskutojmë nëse duhet të zhvillojmë mjete të reja për informimin”, u shpreh Dhuka.
“Ne duhet të fillojmë të zgjerojmë informimin e gjerë mbi BE. Qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve po ashtu do t’i lindin të drejta dhe detyrime në kuadrin e të qenit një vend anëtar në BE”, tha Dhuka.
Ajo theksoi se informimi mbi të drejtat dhe detyrimet e BE-së ka rëndësi.
Sipas saj, ka rëndësi me mjetet e garantimit të të drejtave, sepse qytetarët shqiptarë teksa bëhen qytetarë të BE do të kenë mjetet e garantimit dhe në nivelin nacional dhe në nivelin europian.
“Ky komision është një praktikë shumë e mirë, janë mekanizmat e koordinimit në nivelin qendror dhe vendor dhe publikut me faktorin shoqëror, kjo sepse kemi nevojë të ndërtojmë disa zhvillime. Së pari të ashtuquajturat kompromise. BE i ka këto praktika, që arrihen për politika të ndryshme midis institucioneve publike dhe në disa raste midis institucioneve publike dhe Këshillit Ekonomik Social, që është asambleja e shoqërisë civile. Së dyti për të rritur maturinë e zbatimit, sepse të qenit anëtar kërkon zbatimin që të mos shkojmë në shkelje për zbatimin. Ne duhet të progresojmë drejt rrugës së integrimit dhe të bëjmë disa përmirësime që janë të nevojshme nga ky ndryshim”, deklaroi ajo. /j.p/