E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

BRUKSEL – Komisionerja e BE-së njofton takime me përfaqësues të qeverisë dhe opozitës në Shqipëri

BRUKSEL, 6 dhjetor /ATSH/- Integrimi nuk është pronë e qeverisë, por në të duhet të përfshihet edhe opozita, tha komisionerja e re e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos disa ditë përpara vizitës se saj në Tiranë.

Kos njoftoi se do të zhvillonte takime edhe me opozitën e Shqipërisë.

“Negociatat e anëtarësimit kërkojnë një përpjekje intensive nga e gjithë shoqëria, qeveria e vetme nuk mund ta bëjë këtë punë”, tha Kos.

“Integrimi evropian duhet të jetë një projekt kombëtar, të gjithë duhet ta zotërojnë atë: parlamenti, opozita, shoqëria civile, çdo rajon, qytet dhe fshat, dhe në fund të fundit çdo qytetar”, shtoi komisionerja e re e BE-së për Zgjerimin.

“Për këtë arsye, sa herë që vizitoj Ballkanin Perëndimor përpiqem t’i takoj të gjitha palët. Duhet të jemi të vetëdijshëm se zgjerimi nuk është vetëm një proces teknik, por bëhet fjalë për ribashkimin e kontinentit”, theksoi Kos.

“Deri në fund të mandatit tim në 2029, do të ketë anëtarësime të reja nga vendet ballkanike”, tha ajo.

Kos u zotua se do të bënte gjithçka që mosmarrëveshjet nga e kaluara të mos pengonin qëllimin e përbashkët të zgjerimit të Bashkimit Evropian.

“Ëndrra ime është që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë në BE. Pse të mos heqim kufijtë dhe të ndalojmë tensionet dypalëshe, siç ka ndodhur në kontinentin tonë? Duke hequr barrierat fizike – tensionet historike do të lihen pas”, tha Kos.

“Çështja kryesore nuk ka të bëje vetëm me faktin se kur BE-ja do të ketë anëtarë të rinj, por edhe çfarë mund të bëjmë për të pasur një Evropë më të fortë dhe më të sigurt”, theksoi ajo. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›