Llatja: Projekti ADAPT 2, hap i madh për rehabilitimin mjedisor të Shushicës

TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/ Në zonën e Shushicës në Elbasan po realizohet rehabilitimi i zonave të degraduara natyrore, përmes mbjelljes së fidanëve, ndërtimit të pritave malore dhe zbatimit të zgjidhjeve inovative për mbrojtjen e mjedisit dhe forcimin e qëndrueshmërisë lokale.
Ky projekt, ADAPT 2, mbështetet nga Agjencia Suedeze Sida dhe Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN).
Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, inspektoi punimet në zonën e Shushicës, ku theksoi rëndësinë e këtij projekti dhe adresoi problematikat e deritanishme.
“Në zonën e Shushicës jemi duke zbatuar një projekt të rëndësishëm për rehabilitimin e zonave të degraduara. Përmes ndërtimit të tetë pritave malore dhe mbjelljes së 8,500 fidanëve, kemi filluar një proces që ndihmon jo vetëm në mbrojtjen e mjedisit, por edhe në krijimin e mundësive për ekonominë lokale, falë bimësisë së re që po eksperimentojmë. Falënderoj IUCN për mbështetjen e dhënë dhe për frymën bashkëpunuese në këtë iniciativë”, theksoi Llatja.
Kryebashkiaku Llatja u shpreh se “jemi në fillimin e një sërë investimesh, ne po hapim sezonin e mbjelljeve të reja në bashkinë e Elbasanit dhe rehabilitimit të zonave të degraduara”.
Përfaqësuesi i IUCN, i pranishëm në inspektim, vlerësoi angazhimin për mbështetjen që bashkia Elbasan ka treguar në zbatimin e projektit.
“Ky është një model suksesi, dhe me fillimin e fazës së re rajonale, do të kemi mundësi të monitorojmë, vlerësojmë dhe përmirësojmë ndikimin e këtyre masave në komunitet. Në fillim ne kontaktuam autoritetet kombëtare për të zbatuar atë që ju e përmblodhët shumë mirë, zgjidhjet me bazë në natyrë, zgjidhjet alternative duke u përpjekur të përmirësojmë jetët e njerëzve këtu, përtej mjedisit në vetvete. Ka qenë një proces i gjatë, por përgjatë gjithë procesit, shërbimet tuaja, e gjithë bashkia juaj na ka mbështetur gjithmonë dhe sot jam krenar të them se ky nuk është projekti ynë, por është projekti juaj”, tha ai.
Deputetja e Partisë Socialiste, Desantila Tahiraj përgëzoi këtë nismë, duke e vlerësuar si një hap të rëndësishëm drejt përballimit të ndryshimeve klimatike dhe përmirësimit të jetës së komunitetit:
“Mbjellja e 8,500 pemëve dhe rehabilitimi i këtyre zonave do të ketë një ndikim të madh jo vetëm në mjedis, por edhe në cilësinë e jetës së banorëve të kësaj zone”, tha ajo.
Në planin e zbatimit të këtij projekti, përfshihet mbjellja e 8,600 fidanëve në një sipërfaqe prej 8.2 hektarësh, duke përfshirë pisha dhe bimësi të tjera qëndruese. Ndërtimi i tetë pritave malore për të frenuar erozionin dhe përmirësuar cilësinë e tokës si dhe eksperimentimi me bimësi të reja, si lajthia dhe pemët frutore, për të ndihmuar ekonominë lokale.
Ky projekt, pjesë e ADAPT 2, shënon fillimin e sezonit të ri të mbjelljeve dhe një angazhim të përbashkët për një Elbasan më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm.
1 nga 3/k.s/j.p/