E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anëtarësimi në BE, Bildt: Vonesa për Shqipërinë, teknike

Ministri i Jashtëm suedez, Karl Bildt ka deklaruar se vonesa në shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE nuk është për shkaqe politike, por vetëm teknike. Sipas tij procedurat e komplikuara të shqyrtimit të kërkesave të vendeve të ndryshme, sipas kushteve të Traktatit të Lisbonës, kanë bërë që aplikimi i Shqipërisë të mos jetë konsideruar ende nga BE-ja.
"E vetmja vonesë këtu ka qenë për faktin se parlamenti gjerman nuk është mbledhur ende dhe sipas kushteteve të Traktatit të Lisbonës ne kemi procedura më të komplikuar - konsultimin e parlamentateve në disa vende, përfshirë edhe vendin tim (Suedia), megjithëse ne nuk kemi pasur zgjedhje kohët e fundit, por gjermanët kanë pasur zgjedhje kohët e fundit, pra është thjesht çështje teknike dhe nuk është politike " theksoi Bildt.
Shqipëria paraqiti aplikimin për të qenë vend kandidat i BE-së në prill të këtij viti, vetëm disa dite pasi hyri në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asocimit. Aplikimi i Shqipërisë u bë në një kohë që vendet anëtare ishin të ndara në opinionet e tyre lidhur me kohën e paraqitjes së tij. Në mbështetje të aktit të Shqipërisë kanë qenë vende si Greqia, Republika Çeki dhe Italia, ndërsa më hezitues kanë qenë Gjermania, Holanda, Britania e Madhe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›