E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anëtarësimi në NATO, Drobnjak uron Berishën

Kryeministri Berisha priti sot në takim kryenegociatorin e Kroacisë për anëtarësimin në BE, Vladimir Drobnjak i cili uroi kryeministrin për përmbylljen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO si dhe për hyrjen në fuqi të MSA-së me BE. 

TIRANE- Kryeministri Berisha priti sot në takim kryenegociatorin e Kroacisë për anëtarësimin në BE, Vladimir Drobnjak.
Kryeministri informoi Drobnjak për angazhimin e qeverisë shqiptare për të forcuar më tej marrëdhëniet midis dy vendeve dhe bashkëpunimin e ngushtë në shumë fusha, veçanërisht për të vazhduar traditën e mirë për shkëmbimin e eksperiencës reciproke përsa i përket objektivit madhor, integrimit në BE, tashmë që procesi i anëtarësimit në NATO po mbyllet me sukses.

Ndërkaq, Drobnjak uroi Berishën për përmbylljen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO si dhe për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian, si një hap tjetër shumë i rëndësishëm në rrugën drejt integrimit në BE.

Kryenegociatori i Kroacisë i shprehu Kryeministrit Berisha gadishmërinë e qeverisë kroate për të vazhduar bashkëpunimin në të gjitha fushat, veçanërisht për shkëmbimin e eksperiencave të rëndësishme përsa i përket hapave të mëtejshëm të procesit të integrimit në BE.
Në takim u diskutuan nevojat për konsolidimin dhe krijimin e kapaciteteve të reja administrative dhe të ekspertizës që kërkon faza e re drejt së cilës po ecën Shqipëria në kuadër të integrimit të Bashkimit Europian. (e.n/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›