Anëtarësimi u krye
Teatri Kombëtar pranohet në strukturën evropiane për Teatrin. Anëtarësimi zyrtar u bë këtë fundjavë, në mbledhjen radhës së UET-së në Drezden. Sot titullari Skrami tregon detajet e pranimit
Unioni Evropian i Teatrove e rrit numrin e anëtarëve në 46. Në Asamblenë e Përgjithshme të mbajtur këtë fundjavë në Drezden (Gjermani) është miratuar anëtarësimi i Teatrit Kombëtar të Shqipërisë dhe Teatrit Kombëtar të Izraelit.
Votimi për pranimin e anëtarëve të rinj të UET-së u bë ditën e fundit të punimeve të Konventës. Delegacioni që përfaqësoi Shqipërinë në këtë ngjarje përbëhej nga drejtori i TK-së Kristaq Skrami dhe regjisori Adonis Filipi.
Gjithçka që ndodhi gjatë tre ditëve në Drezden, Skrami e tregon sot në një konferencë për shtyp: Çfarë kriteresh përmbushi Teatri ynë për t'u anëtarësuar në këtë rrjet të madh teatrosh, çfarë objektivash duhet ende të përmbushë dhe çfarë është më e rëndësishmja çfarë do të përfitojë teatri ynë nga ky bashkëpunim.
Kurse regjisori Adonis Filipi nuk nguroi të thoshte dy fjalë si dëshmitar i këtij akti anëtarësimi për të cilin ka disa muaj që flitet. Filipi tha se Shqipëria e humbi këtë vit mundësinë që të jetë pjesëtare e projektit "Orient Expres", një festival teatrosh që zhvillohet në gjashtë vende Turqi, Rumani, Serbi, Kroaci, Slloveni dhe mbyllet në Gjermani.
"Kjo për shkak se projekti ishte miratuar përpara anëtarësimit". Megjithatë delegacioni shqiptar ishte i pranishëm në miratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm. "Buxhet ky që në masën më të madhe financohet nga BE dhe pjesa tjetër nga kontributet e vendeve anëtare", shton ai.
Pranimi i Teatrit Kombëtar në këtë bashkim të madh teatrosh evropianë u bë i mundur vetëm ditën e shtunë, kur të 40 anëtarët e UET-së votuan për anëtarësimin e kandidatëve të rinj. Që nga kjo ditë TK është anëtar me të drejta të plota e kësaj strukture.
Kjo do të thotë që ka të drejtë vote dhe paguan si çdo anëtar tjetër një pagesë vjetore prej 5500 eurosh. Shifër që nuk merr parasysh nëse teatri është lokal apo nacional, nëse është me 500 vende apo me 200 vende. Kaq për sa i përket anës formale të anëtarësimit.
Përpara se të nisej për të marrë pjesë në Asamblenë e Drezdenit, drejtori i TK-së bëri të ditur se ajo që teatri do të përfitojë nga pranimi është mbështetja ekonomike dhe artistike.
Por çfarë është në gjendje teatri ynë të ofrojë në UET në shkëmbim të mbështetjes?
Cili është niveli ideve që bëjnë politika teatrore sot në Tiranë dhe a janë ato konkurrente me tregun e ideve ku TK sapo hyri?
Një gjysmë përgjigje mund të merret duke parë se çfarë produkti ka sjellë në skenë për gjatë sezonit të parë të 2009-ës ky teatër.
Drama "Filumena Marturano" që tregon realitetin italian të gjysmë shekulli më parë, një vepër e vënë në skenë nga një regjisor shqiptar që nuk reflektoi as përpjekjen më të vogël e "prurjes në kohë" dhe në një vend tjetër e veprës së De Filipos. Konceptet për vënien në skenë të regjisorit nuk shkonin më tej se rregullimi i aktorëve në skenë.
Në vijim të sezonit ishte komedia "Të gjithë me huqe" e një autori francez Laurent Baffie që ofronte diçka më shumë se një talk-shoë televiziv. Madje edhe skenografia duket e importuar nga formatet televizive të këtyre diskutimeve kolektive në ekran të cilat në fund të fundit e lënë spektatorin (publikun) pasiv...
Edhe po të llogarisësh ato pak pjesë që janë vënë nga kompani private të teatrit, gjendja nuk bëhet më mirë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për dramaturgjinë shqiptare.
Krijimet janë sporadike, janë vepra që nuk i flasin kohës dhe nuk janë në koherencë vepra e shkruar me konceptet regjisoriale.
Këto janë idetë që prodhon teatri ynë. Nëse këto janë vërtet më të mirat e mundshme atëherë të mos shpresojmë në ndonjë mrekulli të strukturave evropiane.
Asnjë magji s'ka për të ndodhur nëse nuk ndryshon punët nga brenda vendit.
"Revolutionary Road" në Imperial
Filmi "Revolutionary Road" i regjisorit Sam Mendes, një vit pas premierës vjen në sallën e kinemasë Imperial, në kryeqytet. Kate Ëinslet dhe Leonardo Di Caprio tregojnë historinë e një çifti të martuar aspak të lumtur në mes të viteve '50.
April (Kate Ëinslet), është një shtëpiake jo e lumtur që nuk ka harruar ëndrrën për t'u bërë aktore. Frank (Leonardo di Caprio) urren punën e tij, ndonëse asnjëherë nuk e ka kuptuar se çfarë dëshiron të bëjë në të vërtetë.
Është April, ajo që sugjeron një arratisje në qytetin e Parisit ku mendon se do të gjejnë zgjidhje të dy. Ajo është e vendosur të bëjë gjithçka për të dalë nga jeta monotone dhe e aspak e lumtur.
"Revolutionary Road" është filmi që i dhuroi aktores 33-vjeçare çmimin "Golden Globe", si aktorja më e mirë protagoniste.
Najada Hamza ekspozon në Ambasadën Gjermane
Artistja Najada Hamza çel të enjten pasdite në orën 19:00 ekspozitën e saj vetjake në Ambasadën Gjermane. Kjo ekspozitë realizohet nën kujdesin e Ambasadorit të Republikës Federale të Gjermanisë Bernd Borchard. Punët mund të vizitohen nga publiku nga hëna në të enjte, nga ora 15:00-17:00, deri në datën 12 qershor.
Një mbrëmje Ruso-Shqiptare
Orkestra Simfonike e RTSH-së prezanton të premten në orën 19:00 koncertin e radhës së stinës koncertore 2008-2009. Këtë herë është pianistja Klejda Tare ajo që do të ekzekutojë në sallën Akademisë së Arteve me orkestrën pjesë nga S.Prokofiev dhe P.I. Çajkovski. Koncerti do të drejtohet nga dirigjenti rus Mark Kadin. Ai është dirigjenti kryesor i Orkestrës Simfonike të Krasnojarskut (Siberi) dhe ka bashkëpunime me shumë orkestra evropiane, të Afrikës së Jugut dhe Skandinavisë.
Studentët e Kantos në koncert
Studentët e Kantos në Akademinë e Arteve tregojnë arritjet e tyre gjatë një viti. Nesër në orën 19:00 në Akademinë e Arteve, studentë të të katër viteve interpretojnë pjesë nga kompozitorët vendas dhe të huaj si Limoz Disdari, Avni Mula dhe Ë.A. Moxart, G. Rosini, J. S Bah, G. Verdi etj. Programi i koncertit është pregatitur nga pedagogia Suzana Frashëri dhe do të shoqërohet në piano nga Mimoza Kongo.