E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qarku Lezhë, PS plotëson kuotën e grave

PS-ja, ashtu si edhe PD-ja, ka mbushur listën e Qarkut të Lezhës me emra fiktivë, me qëllim plotësimin e kuotës


TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të miratojë sot listën e kandidatëve të Partisë Socialiste, së cilës ia kishte kthyer për rishqyrtim, me argumentin se nuk kishte marrë parasysh kërkesat e Kodit Zgjedhor.


Faktikisht, mangësi ka pasur vetëm lista shumemërore e Qarkut të Lezhës, e cila nuk kishte në përbërjen e saj 30 për qind kandidate femra, por meqenëse mosmiratimi i kësaj liste, në bazë të Kodit Zgjedhor, sjell dhe mosmiratimin e të gjitha listave të tjera të kësaj force, KQZ-ja vendosi ta kthejë mbrapsht.


Ndërkohë, dje, Partia Socialiste ka paraqitur pranë KQZ-së edhe rregullimet e kërkuara për Qarkun e Lezhës, duke paraqitur si kandidate në vendin e 8 të listës shumemërore të këtij qarku, Linda Frrokun.


Por, duke qenë se Qarku i Lezhës ka 7 mandate, edhe PS-ja kësaj here ka ndjekur hilenë që bëri disa ditë më parë Partia Demokratike për disa qarqe, duke fryrë në mënyrë artificiale listat me kandidatë më shumë sesa mandate ka një qark.


Një praktikë e tillë u përdor prej PD-së në Lezhë, Kukës dhe Elbasan, ndërkohë që PS-ja, nga ana e saj, e denoncoi këtë fakt.


Por, dje, PS-ja, ashtu si edhe PD-ja, ka shfrytëzuar pikërisht vakuumin që ekziston në Kodin Zgjedhor, e konkretisht në nenin 67 të tij, ku përcaktohet numri minimal i kandidatëve që duhet të paraqesë një forcë politike në listat e saj për çdo qark, por jo ai maksimal, duke e lënë atë të hapur, që të shtohet edhe me emra fiktivë.


Duke iu referuar pikërisht kësaj hapësire, dy partitë e mëdha, me qëllim plotësimin e kriterit të 30%-shit, janë detyruar që të shtojnë emra kandidatesh femra mbi numrin e mandateve që i është caktuar çdo qarku.


Nëse për PD-në kjo ishte më e theksuar, edhe PS-ja, në anën tjetër, është detyruar që ta shfrytëzoje këtë hapësirë për Qarkun e Lezhës, që ishte edhe shkaku i mosmiratimit të listës së qarqeve të tjera për këtë parti nga ana e KQZ-së.


Ndërkohë, PS-ja ka ndryshuar listën e saj edhe në disa qarqe të tjera, si Shkodra dhe Kukësi, duke bërë të mundur plotësimin e kuotës ligjore të përfaqësimit të grave.


Gjatë mbledhjes së sotme, KQZ-ja pritet të marrë në shqyrtim edhe listat e lëna pezull të të gjitha forcave politike që kishin mangësi në dokumentacion. Sot është edhe afati i fundit i miratimit të listave të kandidatëve për deputetë të partive politike nga KQZ-ja.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›