Sigurimet, 27 milionë dollarë për katër muaj
Rritet sigurimi vullnetar, për shkak të kushteve që kërkojnë bankat dhe administrata
Tregu i sigurimeve është rritur me rreth 30% gjatë muajve janar-prill 2009, krahasuar me 2008-ën
TIRANË- Shqiptarët kanë paguar më shumë para për sigurime gjatë muajve të parë të këtij viti se sa në të njëjtët muaj të 2008-s.
Gjatë muajve janar-prill, ka një rritje të numrit të kontratave në krahasim me të njëjtën periudhë të 2008-s, duke u shoqëruar edhe me shtimin e të ardhurave të kompanive të sigurimeve. Sipas raportit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Financiare, për katër muajt e parë të vitit 2009, janë lidhur rreth 231 mijë kontrata sigurimi.
Nga të dhënat rezulton se, gjatë kësaj periudhe tregu i sigurimeve në vend ka gjeneruar rreth 2.7 miliardë lekë, me një rritje me 29 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Rritja e numrit të kontratave dhe të ardhurave gjithashtu është pasqyruar edhe në shtimin me 19 për qind, të shumës së dëmeve që kompanitë e sigurimeve kanë paguar ndaj klientëve të tyre. Sipas të dhënave, rezulton se për të mbuluar dëmet e përcaktuara në kontrata gjatë kësaj periudhe të vitit janë paguar 480 milionë lekë.
Pavarësisht, ndryshimeve të lehta të treguesve në krahasim me vitin e kaluar, në totalin e tregut të sigurimeve, dominojnë ato të detyrueshme, duke zënë 54 për qind të tregut, kundrejt 46 për qind të sigurimeve vullnetare.
Duke mos ndryshuar gjë në krahasim me periudhat e mëparshme, dhe gjatë muajve të parë të vitit 2009, tregu ka vazhduar së qeni i orientuar tek sigurimet "Jo-Jetë", me 92 për qind të të ardhurave, por duke i lëshuar terren kategorisë së sigurimeve "Jetë", të cilat nga 6 për qind që kanë zënë në muajt e parë të 2008-ës, gjatë së njëjtës periudhë të këtij viti, kanë shkuar në 8 për qind.
Edhe pse tregu i sigurimeve ka pësuar rritje të ndjeshme vitet e fundit, ende Shqipëria nuk ka të krahasuar me vendet e rajonit për nivelin mesatar të sigurimeve për person. Sipas të dhënave, shqiptarët kanë një mesatare prej 10 euro për person/sigurime, ose 0.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto/frymë, ndërsa për vendet perëndimore kjo shifër shkon deri në 500 euro.
Sigurimet vullnetare
Në krahasim me vitin e shkuar, për katër muajt e parë të këtij viti, raporti midis sigurimeve të detyrueshme dhe atyre vullnetare karakterizohet nga një rritje me dy për qind e këtyre të fundit.
Sipas AMF-së, kjo rritje e volumit të të ardhurave nga sigurimet vullnetare, tregon për një ndryshim të strukturës së këtij tregu. Në fakt, këtë zgjerim të strukturës së sigurimeve vullnetare, më shumë se me ndërgjegjësimin e qytetarëve për të siguruar me dëshirë pronat e tyre, eskpertë të ndryshëm e lidhin me kushtëzimin që bankat tregtare u bëjnë klientëve të tyre për sigurimin e kolateralit para miratimit të kredive për këta të fundit.
Krahas kushtëzimit nga bankat para marrjes së kredive, një arsye tjetër që ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e peshës së sigurimeve vullnetare, ka qenë edhe kushti që, autoritetet që i zhvillojnë tenderët publikë, u vendosin subjekteve të interesuar që para se të dorëzojnë dokumentet për të marrë pjesë në to, të kenë paguar sigurimet.
Pavarësisht zgjerimit të tregut të sigurimeve dhe të të ardhurave të gjeneruara nga ai, raporti midis të ardhurave nga primet dhe dëmeve të paguara vazhdon të mbetet i lartë.