Anëtari i katërt i GNV, Kolegji Zgjedhor detyron KAS të marrë vendim nëse i takon PL-së, apo PDIU-së

Kolegji Zgjedhor detyron Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve, të marrë vendim brenda datës 10 maj 2023, lidhur me Kërkesën Ankimore të Partisë së Lirisë, për propozimin për anëtarin e katërt të grupeve të numërimit të votave (GNV), për zgjedhjet vendore të 14 majit.
Kolegji Zgjedhor ka konstatuar pavlefshmërinë absolute të vendimit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve.
Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ rrëzoi kërkesën e PL-së për të pasur anëtarin e katërt në grupet e numërimit me arsyetimin se ‘nuk kishte votat për të marrë një vendim’.
Nisur nga vendimi i Kolegjit Zgjedhor, kjo çështje do të rikthehet edhe një herë në KAS, për të përcaktuar nëse PL-së i takon anëtari i katërt i grupeve të numërimit të votave, për zgjedhjet vendore të 14 majit. Vendimi është i formës së prerë dhe ndaj tij nuk lejohet ankimim.
Sipas ligjit, nga 4 anëtarë që ka grupi i numërimit të votave 2 numërues i përkasin PS-së dhe 1 PD-së. Ndërsa tjetri ndahet midis PL-së dhe PDIU-së.
Sipas KQZ-së, kur u hodh shorti për partitë që do të propozojnë anëtarin e katërt të grupeve të numërimit të votave, në çdo zonë të administrimit zgjedhor, të drejtën për të propozuar anëtarin e katërt e kanë “Partia e Lirisë” dhe Partia “Drejtësi, Integrim dhe Unitet.
“Rezultatet e shortit përcaktuan se në tavolinat e numërimit me numër çift në çdo KZAZ anëtarin e katërt do ta propozojë PDIU dhe tavolinat e numërimit me numër tek në çdo KZAZ anëtarin e katërt do ta propozojë PL.”- thuhet në njoftimin e KQZ-së.
/rtsh.al/