E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ndalohet qëndrimi i qytetarëve në ambientet e QV pas votimit. PSD, PD dhe PL pa anëtarë komisionesh në qindra qendra votimi

Asnjë qytetar i cili ka përfunduar procesin e votimit, nuk do të lejohet të qëndrojë në ambientet e qendrave të votimit. Në të kundërt, ata do të largohen nga Policia.

Kështu ka deklaruar këtë të martë kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, i cili shtoi se zgjedhësit nuk kanë arsye ligjore të qëndrojnë pas votimit, përveçse atyre politike.

Nëse konstatohen situata të tilla, tha ai, do të njoftohet KQZ dhe Policia.

“Lidhur me disiplinimin dhe rregullin ku janë vendosur qendrat e votimit, në bashkëpunim me drejtorinë e policisë, me përjashtim të kategorive që kemi listuar, komisionerë, vëzhgues, përfaqësues të medias dhe votues në radhë për të votuar, askush tjetër nuk do lejohet të qëndrojë në oborret e objekteve ku janë vendosur qendrat e votimit.

Nëse konstatojmë situatat të tilla, do njoftohet KQZ dhe policia. Zgjedhësit që kanë përfunduar procesin e votimit nuk kanë asnjë arsye të ligjshme për të qëndruar në këto ambiente.

Ata që rrinë kur nuk kanë punë, kanë interesa politike”, tha Celibashi.

Më tej, kreu i KQZ u ndal te qendrat e votimit, dhe te partitë të cilat nuk kanë dërguar ende emrat e anëtarëve të komisioneve.

Nga 5213 qendra votimit në të gjithë vendin, Celibashi bëri me dije se PSD nuk ka dërguar propozimet për anëtarë të komisioneve në 454 qendra votimi, PD për 422 qendra votimi dhe Partia e Lirisë për 75 qendra votimi.

Nëse partitë politike që kanë këtë të drejtë do të dështojnë për të sjellë propozime, atëherë do t’i emërojmë kryesisht”, tha kryekomisioneri Ilirjan Celibashi duke shtuar se janë 600 aplikime.

61 QV janë me 6 anëtarë, 57 QV janë me 5 anëtarë, 79 QV janë me 4 anëtarë dhe 17 QV me 3 anëtarë (Dropull)

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›