Angli-Iran, për herë të parë

Anglia e Gareth Southgate, nënkampionia e Europës do të debutojë sot në Kupën e Botës në Katar 2022 duke u përballur me Iranin e Carlos Queiroz në ditën e parë të Grupit B. Tre Luanët u kualifikuan duke fituar Grupin I të zonës së Europës përpara Polonisë. Nga ana tjetër Irani mori biletën për në Kupën e Botës duke u renditur në vendin e parë në grupin A të finales aziatike përpara Koresë së Jugut.
Kjo do të jetë ndeshja e parë zyrtare mes këtyre dy skuadrave, ndërkohë kujtojmë që iranianët nuk kanë mundur asnjëherë skuadra europiane në Botëror, duke grumbulluar 6 humbje dhe 2 barazime. “Tre Luanët” janë kualifikuar në finalen e 17-të të Botërorit. Kjo, në veçanti, është hera e shtatë me radhë, seriali më i gjatë i regjistruar nga britanikët në historinë e tyre.
Trajneri Gareth Southgate, ka arritur të paktën në gjysmëfinale në secilin prej dy turneve në të cilat ai ka drejtuar ekipin (Kupa e Botës 2018 dhe Euro 2020). Mes trajnerëve britanik vetëm Sir Alf Ramsey mund të mburret me një rekord të ngjashëm (Kupa e Botës e fituar në 1966 dhe arriti në gjysmëfinale në Euro ’68).
Irani nuk e ka kaluar asnjëherë raundin e parë, duke fituar vetëm 2 ndeshje nga 15, ndaj Shteteve të Bashkuara në 1998 dhe ndaj Marokut në 2018. Kjo në Katar është pjesëmarrja e 6-të, e 3-ta radhazi.
Qendërsulmuesi i Anglisë, Harry Kane ishte golashënuesi më i mirë në Kupën e Botës 2018 në Rusi me 6 gola (5 në fazën e grupeve), ndërsa Mehdi Taremi ishte lojtari iranian i përfshirë në më shumë gola në fazën finale të kualifikueseve aziatike, me 4 gola dhe 2 asistime.
ANGLI-IRAN
Angli(3-4-3): Pickford; Stones, Dier, Maguire; Trippier, Rice, Bellingham, Shaë; Foden, Kane, Sterling. Trajner: Southgate
Iran(4-3-3): Beiranvand; Moharrami, Hosseini, Kanaani, Mohammadi; Hajsafi, Ezatolahi, Nourollahi; Jahanbakhsh, Taremi, Amiri. Trajner: Queiroz