Këshilltari i presidentit ukrainas : Negocimi me Moskën do të ishte kapitullim për Ukrainën

Përpjekjet e Perëndimit për të bindur Ukrainën që të negociojë me Moskën, pas një sërë fitoresh të mëdha ushtarake nga Kievi, janë “të çuditshme”, si dhe përbëjnë një kërkesë për kapitullimin e saj,- tha për AFP një këshilltar kryesor i presidencës ukrainase.
“Kur ke iniciativën në fushën e betejës, është paksa e çuditshme të marrësh propozime të tilla si: “ju nuk do të jeni në gjendje të bëni gjithçka me mjete ushtarake gjithsesi, ju duhet të negocioni,”- tha këshilltari i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, Mykhaylo Podolyak.
Kjo do të thotë se vendi “që rimerr territoret e tij, duhet të kapitullojë ndaj vendit që po humbet,”- shtoi ai, gjatë një interviste me AFP në zyrën e tij në ndërtesën e presidencës në Kiev.
Mediat amerikane raportuan kohët e fundit se disa zyrtarë të lartë kishin filluar të inkurajonin Ukrainën që të merrte në konsideratë bisedimet, të cilat Zelensky deri më tani i ka hedhur poshtë, pa një tërheqje paraprake të forcave ruse nga i gjithë territori ukrainas.
“Duhet të ekzistojë një njohje reciproke se fitorja ushtarake është ndoshta në kuptimin e vërtetë të fjalës, ndoshta nuk mund të arrihet përmes mjeteve ushtarake,”- tha gjenerali i lartë amerikan, Mark Milley, në fillim të këtij muaji, duke vlerësuar se ekziston “një dritare mundësie për negociata”.
Sipas Podolyak, Moska nuk i ka bërë “asnjë propozim të drejtpërdrejtë” Kievit për bisedimet e paqes, duke preferuar t’i transmetojë ato përmes ndërmjetësve, madje duke rritur mundësinë e një armëpushimi.
/rtsh.al/