E Diel, 1 Nëntor 2026

Anglia dridhet, Çelsi-Mançester derbi si një finale

SHKRUAN: Jeton Selimi 06-04-2011 11:12

Ançeloti shpreson që të bëjë në Champions League më mirë sesa po bën në kampionat, ndërsa “Djajtë e Kuq” synojnë të dalin nga “Stamford Bridge”, me rezultatin më të mirë të mundshëm: fitoren

Vendi që shpiku futbollin po mban frymën. Ndonëse nuk është më finalja e vitit 2008, Çelsi dhe Mançesteri do të bëjnë atë që çdo adhurues i sportit kërkon: spektaklin. Blutë presin “Djajtë e Kuq”, në atë që është cilësuar si finalja e parakohshme e kësaj ‘Champions League’. Në “Stamford Bridge” do të zhvillohet akti i parë i 180 minutave që premtojnë emocione të shumta.

Karlo Ançeloti është i bindur se do të jetë shumë e vështirë që skuadra e tij të luftojë për titullin e Premier League, por beson se e kanë më të lehtë të mposhtin Mançester Junajtidin në Ligën e Kampionëve. Dy ekipet takohen sot në ndeshjen e parë çerekfinale në ‘Stamford Bridge’, dhe Ançeloti kërkon më të mirën nga lojtarët e tij. “Është një ndeshje shumë e rëndësishme, por mendoj se ne duhet të jemi të lumtur për t’u përfshirë në këtë ndeshje. Duam të japim më të mirën dhe duam të tregojmë aftësitë më të mira dhe e dimë se kjo ndeshje ka edhe 90 minuta për të luajtur, ndaj shpresojmë të fitojmë. Titulli? Duhet të ngushtojmë diferencën, në Ligën e Kampionëve jemi në të njëjtin nivel me ekipet tjera, andaj kemi më shumë shanse të fitojmë. Nuk do të jetë befasi të luajmë kundër tyre, ata na njohim neve dhe ne i njohim ata mirë. “Duhet ta luajmë lojën tonë dhe mendoj se do t’ia dalim më mirë. Ne do të kemi një ndeshje emocionuese kundër Junajtid, ata janë një ndër ekipet më të mira në Europë”, ka thënë Ançeloti

Ouen: Duhet ta mposhtim Çelsin në Londër

Sulmuesi i Mançester Junajtid, Michael Ouen, thotë se ata duhet të fitojnë që në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Çelsit, që zhvillohet nesër në ‘Stamford Birdge’. Pavarësisht se kanë një varg prej 10 ndeshjesh pa fitore në ‘Stamford Bridge’, Ouen thotë se ekipi i Sër Aleks Ferguson është i aftë ta mposhtë Çelsin, duke u mbështetur në dy paraqitjet impresive gjatë dy udhëtimeve të fundit në këtë stadium. “Që kur unë kam qenë në klub, ndeshjet në ‘Stamford Bridge’ kanë qenë të veçanta. Ne nuk jemi mposhtur me lojë atje, kjo është e sigurt. Megjithatë, fatkeqësisht ne nuk kemi nxjerrë rezultatet shumë të mira. Jam i sigurt se fati jonë do të ndryshojë kësaj here”, ka thënë Ouen.

Ferguson: Murinjo do vendin tim? Të presë dhe ca

“Zhoze është një mik i madh imi. Kemi folur shpesh rreth së ardhmes së tij dhe e kuptoj dëshirën e tij për t’u rikthyer në Angli sepse këtu një trajner ka më shumë liri sesa në Spanjë, pa qenë e nevojshme që të ndiqet gjithë kohës nga mediat. Por është e vështirë për mua, që të them se kur do të jetë i lirë vendi im. Do të jetë shëndeti im ai që do të vendosë. Do të vazhdoj derisa të ndjej energji për ta bërë diçka të tillë, energji që më shoqëron gjithnjë. Babai im, që ka punuar në port, doli në pension në moshën 65-vjeçare dhe vdiq një vit më pas. Gjëja më e keqe që mund të thoni është se unë kam 45 vjet punë dhe tani më duhet të pushoj. Duhet që të qëndroni gjithnjë aktivë dhe në formë të mirë”, ka deklaruar Ferguson, që e ka shtyrë kështu edhe për ca sezone mbërritjen e Murinjos në krye të Mançesterit.

Champions League

Dje

Inter – Shalke 20:45

Shënues:

Real – Totenhem 20:45

Shënues:

Sot

Barcelona Shakhtar 20:45

Stadiumi: Camp Nou, Barcelonë

Çelsi – Mançester 20:45

Stadiumi: Stanford Bridge, Londër

Dëshira e ish-it

Karvajo do Çelsin në finale

Mbrojtësi portugez i Real Madridit, Rikardo Karvajo, beson se Çelsi është skuadra më e mirë në Angli dhe shpreson të luajë kundër ish-ekipit të tij, në finalen e Ligës së Kampionëve. “Unë vazhdoj të kem kontakte me lojtarët e Çelsit. Sa herë që ata thonë se kanë pasur një ndeshje të keqe, unë iu them: ‘Jo, ju jeni ende të fortë’. Ata janë skuadra më e mirë në Angli dhe e di se çfarë do të thoshte për ta arritja në finale. Çelsi është ndryshe, ata kanë ambicie për ta fituar atë (Ligën e Kampionëve), por Madridi e ka përjetuar atë më herët dhe dëshiron gjithnjë e më shumë”, ka deklaruar 32-vjeçari.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›