Me vallet e Besim Jazexhiut kërcehet në TKOB
Koncerti “Me valle në këtë fillim pranverë” do të përfshijë gjithë krijimtarinë koreografike të Besim Jazexhiut. Mjeshtri i Ansamblit të Valleve u lind në Tiranë, në vitin 1946. Ka qenë pjesë e trupës së baletit në vitin 1961, ku ka spikatur me personazhet e tij në balete të ndryshme, si “Halili dhe Hajria”, ”Delina”, “Laurenca”, “Fadeta”, ”Sherazadja”, “Petja dhe Ujku” dhe etj. Në 1968, ai bëhet solist në Ansamblin Popullor, duke interpretuar vallet e këtij Ansambli. Ai spikat me krijimin e përpunimin e valleve popullore. Pas viteve 90-të, kur pjesa më e madhe e artistëve nuk arritën të gjenin rrugën e tyre, ai shkon të japë kontributin e tij në Kosovë dhe Maqedoni, duke sjellë në repertorin e teatrove të këtyre vendeve, valle me karakter kombëtar. Ndër vallet më të spikatura të repertorit të tij janë: “Na kërcen dhe maja e gishtit”, “Në sarajet e Ali Pashait”, “Valle Arbëreshe”, “Ra Faja prej fiku”, “Valle Myzeqare”, etj. Krijimtaria e B.Jazexhiut ka në qendër dhe fabula të cilat i japin interes të veçantë valleve të tij. Ai trajton me shumë kujdes elementët e veçantë të folklorit të zonës. Për vlerat e krijimtarisë është nderuar nga Kuvendi Popullor, me medaljen ‘Naim Frashëri’ të parë.