Anglia, flasin Tuchel dhe Kane: Përballë Shqipërisë, motivim maksimal

Përfaqësuesja e Anglisë i ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve në prag të takimit kundër Shqipërisë. Në konferencën për shtyp, Thomas Tuchel foli për Kombëtaren kuqezi
“Mendoj se Shqipëria e ka merituar të kalonte ne Play-Off pasi ka pësuar vetëm dy gola, besoj se do dominojmë ndeshjen duke pasur posedimin e topit dhe të krijojmë shanse sepse i kemi cilësitë për ti shndërruar në gola, do të jetë ndeshje e vështirë por edhe emocionuese”.
Armando Broja, sulmuesi i Kombëtares ka punuar për disa kohë me Tuchel në kohën kur të dy bashkë ishin te Chelsea, tekniku gjerman u ndal te aftësitë e futbollistit
“Unë Armando Brojën e njoh shumë mirë, ai luan rregullimisht te Kombëtarja juaj më shumë si sulmues i krahut të djathtë, dhe e di se çfarë sjell, ka kapacitet për të shënuar për të dhënë asiste, dhe besoj se e kemi zgjidhjen për të. Uria jonë për të fituar është më e madhe sesa frika jonë për të humbur. Fokusi jonë do të jetë për mundësitë e rradhës dhe rritjes sonë në cilësi”.
I pyetur nga Radio Televizioni Shqiptar mbi një lloj analize që i është bërë kundërshtarit, në lidhje me elementët kryesorë të lojës së Shqipërisë, Thomas Tuchel u shpreh:
“Ajo që kemi analizuar është struktura mbrojtëse, kompaktësia që ka si ekip dhe cilësia në kundërsulme, që ata bëjnë, kanë një lloj fleksibiliteti në mesfushë me tre mesfushorët që bëjnë qarkullime shumë të mira. Gjithashtu kanë shpejtësi në krahun e djathtë në mënyrën si ata sulmojnë. Besoj se fokusi do të jetë te përshtatja e asaj çfarë nevojitet në ndeshje të tillë dhe lojtarët e kanë të qartë se çfarë duhet të bëjnë”.
Pas Thomas Tuchel foli edhe Harry Kane, përveç rekordit si të pamposhtur me 20 gola të shënuar dhe asnjë i pësuar, futbollisti i cili ka shënuar 6 gola këtë edicion me fanellën e Anglisë, kërkon që të mbyllë fushatën kualifikuese me fitore.
“Është ndeshja e fundit që luajmë në këtë raund kualifikues, nuk do të donim ta mbyllin me një ndjenjë humbjeje, jemi kualifikuar nuk kemi pësuar asnjë gol. Shqipëria është kualifikuar, por motivimi është maksimal, ne zakonisht hyjmë në ndeshje duke u konsideruar si favoritë, kjo na jep motivim të arrijmë nivelin tonë të lartë dhe të mundim çdo kundërshtar të mundshëm”.