Anglia, shqetësojnë krahët e mbrojtjes

Lajmi kryesor në mediat angleze ditën e hënë në lidhje me Kombëtaren e Tre Luanëve është padyshim mungesa e rëndësishme në mbrojtje për Gareth Southgate. Bëhet fjalë për lojtarin e krahut të majtë, Luke Shaw, i cili për shkak të një dëmtimi nuk do të jetë i gatshëm për dy sfidat e fundit eleminatore të Kupës së Botës kundër Shqipërisë dhe San Marinos ku Anglia synon të grumbullojë 6 pikë.
26-vjeçari u dëmtua në ndeshjen derbi mes Manchester United e Manchester City dhe sipas “Djajve të Kuq” nuk mund të rikuperohet për sfidën e së premtes në “Wembley”. Shaw ka qenë një nga lojtarët bazë të formacionit të Southgate, madje ai shënoi edhe golin e vetëm në finalen e Euro 2020 kundër Italisë dhe trajneri ishullor ka vendosur ta zëvendësojë me lojtarin e Chelseat, Ben Chilwell, i cili po kalon një moment të artë me fanellën e Bluve të Londrës.
Probleme për Southgate mund të ketë edhe në krahun e djathtë pasi mbrojtësi i Liverpool, Alexander Arnold nuk po kalon një moment pozitiv për shkak të formës jo optimale. Trajneri Jurgen Klopp i ka kërkuar timonierit të “Tre Luanëve” që ta kursejë lojtarin e tij për dy sfidat e radhës dhe kjo kërkesë ka krijuar tension.
Vetë lojtari është gati për të ndihmuar kombëtaren edhe pse Liverpool mendon të kundërtën ndërsa Southgate ka në dispozicion edhe Kyle Walker, Kieran Trippier apo Reece James si alternativa. Gjithsesi, Trent do të bashkohet me skuadrën dhe Klopp duhet të kryqëzojë gishtat edhe pse aktivizimi i tij ndaj Shqipërisë mund të jetë një bast i rrezikshëm.