E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anija me katër shqiptarë bllokohet në Francë, probleme me dokumentet

FRANCE - Një tjetër anije, në të cilën ndodhen marinarë shqiptarë është bllokuar nga autoritetet franceze. Bëhet fjalë për anijen “River King”, e cila lundron nën flamurin e shtetit të Belizesë, në Amerikën Qendrore. Në anije ndodhen marinarët, Luan Seiko, kapiteni i anijes, Ylber Gjika, Endri Vrushaj dhe Eqrem Elezi, të katër nga qyteti i Durrësit. Sipas autoriteteve franceze anija ka mbërritur në brigjet e Francës që më 15 maj dhe qëndron e bllokuar për shkak të parregullsive financiare dhe çështjeve teknike që lidhjen me ndotjen, pasi në anije ka 900 ton zhavorr. Bllokimi i saj është bërë, pasi janë konstatuar 15 mangësi të ndryshme nga regjistri detar dhe është kualifikuar në mjetet detare që nuk lejohet të ankorohet në portet evropiane.

Anija iu nënshtrua një kontrolli të imtësishëm nga organet kompetente të portit të Granville, i cili ndodhet në perëndim të Francës, në kanalin anglez. Sipas autoriteteve franceze, “River King”, e cila është prodhuar në vitin 1984, u ka një borxh marinarëve prej 60 mijë dollarësh. Për sa u përket katër shqiptarëve, thuhet se ata janë punësuar pa kontratë. Në fakt kjo është hera e tretë që anija “River King” ndalohet për parregullsi muajt e fundit.

Denoncimi është bërë nga një shoqatë ambientaliste, sipas të cilës anija është një rrangallë që nuk duhet të lundrojë në ujërat evropiane. Laure Talloneau, inspektore e Sindikatës Ndërkombëtare të Punëtorëve, u shpreh se anija ka marrë një pezullim për shkak se nuk ka plotësuar kushtet bazë të lundrimit. Ajo po ashtu u bëri thirrje autoriteteve franceze që të zgjidhnin situatën e katër shqiptarëve në mënyrë që të kthehen në atdhe.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›