E Hënë, 2 Nëntor 2026

Anija që dyshohet me mbetje të rrezikshme pritet të ankorohet nesër, PD protestë në Portin e Durrësit

Disa qytetarë u mblodhën në Portin e Durrësit për të protestuar për anijen që pritet të ankorohet në këtë port, pas dyshimeve se kontejnerët e saj mbajnë “materiale të rrezikshme”.

Kjo protestë u zhvillua pas thirrjes së Partisë Demokratike, ku qytetarët bllokuan hyrjen dhe daljen nga Porti i Durrësit duke kërkuar transparencë se me çfarë janë të mbushur kontejnerët në anijet që pritet të ankorohet mëngjesin e të hënës.

Dyshimet se kontejnerët e nisur nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës përmbanin mbetje të rrezikshme u ngrit nga Rrjeti i Bazelit (BAN), ku një nga anijet fiku sinjalin e sistemit Automatik të Identifikimit.

Nga Porti i Durrësit u nisën dy anije me 160 kontejnerë, me peshë totale 816 tonë, ndërsa BAN thotë se dyshimet janë se mund të përmbajë pluhur toksik të furrës së çelikut. Këto anije u kthen pas nga autoritete tajlandeze dhe pritet të mbërrijnë më 28 tetor në Portin e Durrësit.

Për ngjarjen reaguan edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Turizmit e Mjedisit, të cilat thanë se po hetojnë me OLAF (Zyrën e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimit), ndërsa shtuan se “Shqipëria nuk mund të pranojë apriori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekulimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›