E Diel, 1 Nëntor 2026

Anilda Ibrahimi rrëfen gruan shqiptare në Itali

Historia e një vendi; Shqipëria, aty ku bashkëjeton krishterimi dhe islami, një shoqëri patriarkale dhe historia e grave rrëfyer përmes syve të Melihasë, zemra e familjes Buronja dhe mbi të gjitha përmes syve të së bijës Saba. Jemi diku në vitet 1940 në Shqipëri. Një vajze e re 15-vjeçare, e detyruar që të martohet me burrin e ve të së motrës, lidhur me familjen Buronja përmes një borxhi gjaku. Energjia e humbur e jetës së shumë fëmijëve, lufta, shfarosja e vëllezërve deri në kalimin në një sistem të ri për të, që mendohet t’i sjellë më shumë lumturi dhe dimension jetës; komunizmi. Këto janë ngjarjet që Saba dhe bota që e rrethon kalojnë dhe që përfaqësojnë historinë e shumë grave të Lindjes përtej Adriatikut. Do të jetë shkrimtarja shqiptare, ndër të rrallat që u bë e njohur duke shkruar jo në gjuhën e nënës por në gjuhën e vendit ku jeton, Itali, Anilda Ibrahimi, e cila përmes librit “Rosso come una sposa” (E kuqe si një nuse) rrëfen për publikun e gjerë italian gruan shqiptare. Aktiviteti u zhvillua me rastin e 8 Marsit në Parma të Italisë, ku një vend të veçantë në këto festime zuri dhe gruaja shqiptare. Shoqata ‘Skanderbeg’ e Parmës, në bashkëpunim me Komunën e Parmës dhe Bibliotekën Ndërkombëtare “Ilaria Alpi” organizon për dy ditë me radhë, 8-9 mars, veprimtari të ndryshme për festën e gruas. Pika kulmore e këtyre veprimtarive u konsiderua takimi me shkrimtaren shqiptare Anilda Ibrahimi, që u foli lexuesve për librin e saj “Rosso come una sposa”. Dita e 8 Marsit kishte protagoniste tri femra shqiptare që punojnë në Itali e përveç shkrimtares Anilda Ibrahimi, pjesë e veprimtarive ishte dhe piktorja Elona Marika, e cila hapi një ekspozitë pikturash me këtë rast dhe violinistja Ornela Koka. Libri i Anilda Ibrahimit “Rosso come una sposa” është romani i saj i parë dhe një nga librat më të shitur në Itali dhe është përkthyer në shumë vende si: Gjermani, Finlandë, Poloni, Izrael etj. Me këtë libër ajo ka fituar gjithashtu shumë çmime letrare si: “Edoardo Khilgren”, “Corrado alvaro”, “Giuseppe Antonio Arena” dhe “La Magna Capitana”. “Kur doli romani im ‘Rosso come una sposa’, shpesh shtypi italian më bënte pyetjen: Kur do të dalë një libër frymëzuar në Itali? Dhe unë përgjigjesha se kam akoma shumë tema që i përkasin Ballkanit, kështu që mund të flasim pas disa vitesh. Në fakt Ballkani për mua është histori, ngjarje, folklor, baladë, dhimbje, plagë e pasion, nga ato pasionet që të lënë pa frymë. Gjatë shkrimit të këtij libri kam vuajtur me të vërtetë, shpeshherë në përditshmërinë time thërrisja familjarët e mi me emrat e personazheve të librit. Kam ecur mbi një fill tejet të brishtë, e bindur që për mua kjo mënyrë të treguari ishte e vetmja. Nuk më pëlqejnë librat me personazhe të këqij, personazhet e mi janë persona që gjenden në mes të Historisë, që nuk kanë zgjedhur të jetojnë dramat e kohës, por koha ka zgjedhur për ta” - është shprehur shkrimtarja. Anilda Ibrahimi është ndër ata pak shkrimtarë shqiptarë që romanet e saj i shkruan jo në gjuhën e mëmës, por në gjuhën e vendit ku jeton prej 15 vitesh. Sigurisht që ky fakt gjithmonë është paragjykuar. Në një intervistë të saj ajo shpjegon arsyen se përse ka bërë këtë zgjedhje, duke iu përgjigjur të gjitha pyetjeve që i bëhen shpesh rreth këtij fakti. “Edhe librat e mi të ardhshëm do të jenë në gjuhën italiane. Le të lëmë ndjenjat mënjanë dhe të bëjmë një diskutim logjik: a ka nevojë të shkruaj unë në shqip për të rrëfyer Shqipërinë e sotme? Ajo ka shkrimtarët e vet që ndjekin përditshmërisht zhvillimin e saj shoqëror, kulturor dhe politik. Unë kam 15 vjet që kam, ikur ç'mund të them për të? Gjuha letrare zhvillohet, kuptime të reja hyjnë në të, unë ç'mund të di? Kthehem rrallë, bëj pjesë në kategorinë e familjeve të përziera dhe detyrimisht respektojmë zgjedhjet e të gjithë pjesëtarëve të familjes, por në ato 15 ditë që kthehem unë, sinqerisht nuk jam në gjendje të thith të rejat dhe të karikohem aq sa të më mjaftojë për të shkruar romanet e mi. Më ka qëlluar rasti të lexoj një gazetë shqiptare on line, që imponon italishten si gjuhë komunikimi dhe ku pjesëmarrësit më fyejnë me fjalë vërtet të rënda për zgjedhjen e italishtes si gjuhë letrare. Paradokse shqiptare? Me këtë rast u them të gjithë lexuesve të mi, që nuk ka asnjë akt tradhtie nga ana ime drejt gjuhës mëmë. Zgjedhjen time e shoh si përulje të një personi të ndërgjegjshëm që e do gjuhën e vet në atë farë mënyrë sa të hiqet mënjanë duke thënë: unë s'jam në gjendje, ka të tjerë që e bëjnë më mirë se unë, Shqipëria ecën përpara edhe pa mua! Nuk jemi të pazëvendësueshëm... Pastaj ky fenomen është shumë i përhapur në të gjithë Perëndimin. Franca ka Milan Kunderën, Zvicra Agotta Krisof, Anglia Zadie Smith e Hanif Kuneishi. Emblematik është rasti i fitores së Nobelit të Herta Mueller, ish-shtetase rumune. "Atdheu është çka flitet" deklaroi në momentet e para të fitores. Atiq Rahimi, afgani që shkruan në frëngjisht, me librin "Guri i durimit" fitoi çmimin më prestigjioz në Francë për vitin 2008, Concourt. Pra, është një fenomen global, nga ku nuk mund të përjashtohemi ne shqiptarët” - mbyll ajo diskutimet e shumta që bëhen rreth këtij fakti.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›