Rreziqet tuaja përballë hipertensionit
Trashëgimia
Edhe prindërit tuaj vuajnë nga hipertensioni. Është një arsye më shumë për të bërë kontroll të vazhdueshëm.
Hipertensioni është i lidhur me gjendjen e ankthit dhe padurimin, duke i shtuar kësaj edhe pirjen e duhanit. Këto janë të dhëna që mund të keni probleme me tensionin.
Duhet të keni parasysh që në momentin kur jeni duke pirë ilaçe dhe të pini duhan është shumë e rrezikshme. Një tepri në ushqime favorizon hipertensionin arterial, kryesisht tepria me yndyrna dhe kripë. Duhet t’i mësoni fëmijët që të mos kalojnë cakun e këtyre ushqimeve. Mos abuzoni me pijet alkoolike. Nëse humbisni në peshë, presioni i gjakut ka si tendencë që të ulet. Duhet të bëni vazhdimisht ushtrime, gjimnastikë, ecje, biçikletë. Tensionin duhet ta mbani nën kontroll, sidomos kur keni kaluar nga 50 vjeç. Pas kësaj moshe shtohet tendenca për të pasur tension të lartë. Po kështu, edhe nëse jeni shtatzënë, duhet ta mbani nën kontroll tensionin.
Do ta kuptoja nëse do kisha tension
E gabuar: hipertensioni arterial është i fshehur dhe mund të zbulohet gjatë ndonjë kontrolli rutinë, te mjeku i familjes apo te gjinekologu... nëse bëjmë kontroll të vazhdueshëm, kemi mundësi të shohim nëse kemi probleme me tensionin. Mungesa e simptomave, si lodhje, dhimbje koke, probleme me frymëmarrjen, nuk duhet të na bëjnë që të harrojmë pasojat që mund të jenë shumë të rënda: infarkt apo goditje cerebrale.
Trashëgimia
E vërtetë: Nuk është i rrallë fakti që në një familje të gjesh shumë persona që vuajnë nga hipertensioni dhe kjo futet te sëmundjet e trashëgueshme. Prandaj prindërit duhet të jenë të kujdesshëm me fëmijët e tyre, sidomos për ushqimin, duke shmangur kripën e tepërt dhe mbipeshën.
Stresi
E gabuar: nëse stresi mund të sjellë rritje të tensionit, këto rritje janë kalimtare. Pasi kalon stresi, rritja e presionit arterial do të zbresë në normale.
Trajtimi
Ashtu si të gjitha sëmundjet kronike, edhe trajtimi për tensionin do të vazhdojë gjatë gjithë jetës, përveçse disa rasteve kur tensioni vjen si pasojë e problemeve nga veshkat. Te më shumë se 90 për qind të pacientëve ndalimi i ilaçeve do të thotë rikthim në hipertension.
Efektet anësore: në afër 32 për qind të rasteve, personat e kuruar nga hipertensioni kanë edhe efekte anësore si lodhje, këmbët dhe duart e ftohta, këmbë të ënjtura, pagjumësi, tharje të gojës, marrje mendsh, probleme me tretjen etj.
Disa këshilla
Disa nga këshillat që duhet të kihen parasysh nga personat që vuajnë nga hipertensioni janë: duhanpirja, jeta sedentare, mbipesha dhe obeziteti. Duhet konsumuar pak kripë dhe alkool. Të hash fruta dhe perime, por edhe produktet e qumështit. Duhet të bëni një kontroll të vazhdueshëm, në rast se persona të familjes suaj vuajnë nga e njëjta sëmundje.
Ushqimet
Ushqimi është i rëndësishëm në problemet e hipertensionit. Ja disa këshilla
Në rast të hipertensionit është e rëndësishme ulja e konsumit të alkoolit: jo më shumë se tri gota verë në ditë për burrat dhe dy për gratë.
Mbipesha është armiku i zemrës dhe venave tuaja, prandaj sa më pak kile të tepërta. Mjeku gjithnjë ju thotë që nuk duhet të hani shumë kripë. Në rastet e hipertensionit duhet të konsumoni deri në 6 gramë në ditë. Por duhet të mënjanoni dhe ushqimet që janë të pasura me sodium: sallamet, disa lloje djathërash. Nuk duhet të konsumoni drithërat dhe biskotat me sheqer. Po kështu, duhet të mos përdorni yndyrnat shtazore, prandaj përdorni margarinën. Në këtë linjë duhet të keni parasysh të konsumoni mish të lehtë. Shmangni mishin e viçit, të derrit dhe të qengjit, më mirë peshk dhe mish pule. Do të keni kujdes dhe për mënyrën e gatimit të ushqimeve. Do të ishte më mirë të shmangni të skuqurat dhe përdorni të ziera apo pjekjen në zgarë. Gjithnjë duke pasur parasysh shmangien e yndyrnave, duhet të përdorni qumësht të skremuar. Po kështu, edhe aktiviteti fizik është i preferuar, do të qe mirë një gjysmë orë ecje apo lëvizje me biçikletë. Të lëvizni, por pa u sforcuar. Duhet t’u kujtojmë se frutat dhe perimet janë aleatët më të mirë të shëndetit. Prandaj duhet të konsumoni mjaftueshëm gjatë ditës.