Shqiptarët si kaukazianë, interpretimet e një akademiku malazez
Prof. Dr. Kapllan RESULI
Ka kohë që është botuar në Podgoricë të Malit të Zi libri me hulumtime mbi origjinën e banorëve të Ballkanit Perëndimor nga periudha parahistorike, që në gjuhën serbo-malazeze titullohet “O porijeklu Iliria” (Mbi origjinën e Ilirëve). Megjithatë, për të të gjithë heshtin, edhe pse e ka merituar jo vetëm një paraqitje të shkurtër, por edhe një analizë të detajuar dhe studioze. Autori malazez Gojko Vukçeviq ka botuar më 1999 edhe pjesën e dytë të këtij libri, po edhe për të të gjithë heshtin.
Vetë autori, i ndërgjegjshëm se hipotezat e tij për ilirët dhe shqiptarët, parashtrimet e tij, qëndrimet, kanë “dosta nedostataka” (mjaft të meta), qysh në Parathënie deklaron se “pret vërejtjet kritike dhe ndriçimin e disa gjërave të paqarta”. Aty ai deklaron edhe se është i ndërgjegjshëm që mund t’i ekspozohet “kritikës së pamëshirshme, bile edhe injorimit”. Në qoftë se kritikën e pamëshirshme e ka merituar, injorimin nuk e ka merituar, se - siç e thotë edhe vetë - “vlen më shumë t’i ekspozohesh mundësisë së gabimit, se sa, për shkak të kujdesit të tepruar, ta gjykosh veten me sterilitet”.
Për hartimin e kësaj vepre autori ka shfrytëzuar rezultatet e shkencëtarëve të shumtë nga fusha të ndryshme shkencore, të cilët janë marrë me ilirët dhe popujt e Kaukazit dhe ka arritur në përfundimin se ekzistojnë disa ngjashmëri antropologjike dhe linguistike ndërmjet Kaukazit Perëndimor dhe Shqipërisë Veriore, si dhe të Kaukazit Lindor dhe Shqipërisë Jugore. Ai merret edhe me albanologji, bile dhe me problemin e saj kardinal: mbi origjinën e shqiptarëve. Kështu, që në faqen e parë të Hyrjes, duke krahasuar një gruzin me shokun e tij të shkollës, nga Shqipëria e Veriut, konkludon: “shoku im i shkollës dhe ky gruzin kanë të përbashkët stërgjyshërit e vet”. Kështu e gjithë vepra e tij rrjedh në këtë hulli: ai përpiqet të vërtetojë e të na bindë se shqiptarët na qenkan gruzinë, e gruzinët - ilirë. Shprehimisht thotë: “Ilirët dhe gruzinët rrjedhin nga një paraardhës i përbashkët”. Në këtë hulli ai pretendon: “Kur kam parë pastaj edhe hartën gjeografike të Gruzisë, kam vënë re se disa toponime dhe hidronime janë të ngjashëm me disa në Malësinë e Shkodrës. Bile edhe disa emra gruzianë më kanë tingëlluar disi si të njohur, pikërisht të ngjashëm me disa emra të katolikëve në Malësi”. Në vijim thotë: “Papa Piu II Piçolomini (Enea Silvio), shekulli XV, që është marrë me shkencë, në veprën e tij ‘Discriptio Europae orientalis’ ka prezantuar mendimin se shqiptarët janë nga Kaukazi”. Që ta mbështesë këtë, z. Vukçeviq i referohet edhe deklaratës së italianit G. A. Magini dhe italo-arbëreshit Angelo Mascio, që kanë përsëritur fjalët e Papës. Së fundi, e pranon edhe vetë se është angazhuar të vërtetojë “ardhjen e fiseve kaukaze në Ballkanin Perëndimor dhe për vijimin e kulturës kaukaze në këto treva, veçanërisht të kulturës shpirtërore”. Pjesën më të madhe të studimit ai ia dedikon ilirëve, të cilët, gjithashtu, përpiqet t’i lidhë me albanezët (shqiptarët) e Ballkanit, duke marrë për ilire çdo gjë që karakterizon shqiptarët dhe anasjelltas. Hipoteza e Gojko Vukçeviqit, lidhur me origjinën e albanezëve (shqiptarëve) të Ballkanit, nuk ndryshon shumë nga hipoteza e serbit dr Jovan Deretiq dhe të kolegëve të tij nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë (Slavko Terziq, Gjorgje Jankoviq dhe të tjerë), të cilët gjithashtu pretendojnë se shqiptarët janë me origjinë nga Kaukazi, nga Albania e Kaukazit. Me këtë studim, veç problemeve të shumta, Gojko Vukçeviq trajton, imtësisht dhe në mënyrë tangente, edhe shumë probleme të tjera, që janë për diskutim. Që t’i diskutojmë të gjitha ato me çka nuk jemi dakord, do të duhet të shkruajmë një libër të ri, me jo më pak faqe nga ky i tiji. Me që për atë gjë nuk kam kohë, e mendoj se as që është e nevojshme, po evidentoj vetëm kaq në kundërshti me librin e tij:
1. Ilirishtja dhe shqipja janë dy gjuhë indoeuropiane, gjë që qysh me kohë na e kanë vërtetuar shkencëtarët e mirënjohur botërorë. Me gjithë këtë, nëse z. Vukçeviq na vërteton të kundërtën, ne do t’i shtrëngojmë dorën.
2. Ndërsa ilirishtja është një gjuhë e grupit Kentum, shqipja është e grupi Satem. Edhe këtë gjë na e kanë vërtetuar shkencëtarët e mirënjohur të botës dhe e kanë pranuar edhe Profesor Çabej me kolegët e tij shqiptarë. Nga kjo dalin edhe rrjedhimet, për të cilat unë kam folur hollësisht në studimet e mija tashmë shumë mirë të njohura anë e kënd botës.
3. Gjuha e albanezëve të Kaukazit i takon grupi Kentum, gjë që do të thotë se me albanezët (shqiptarët) e Ballkanit nuk kanë asnjë lidhje gjenetike, se - siç e ka theksuar edhe akademiku, Prof. Shaban Demiraj - “në rast se ilirishtja ka qenë një gjuhë kentum… atëherë burimi i drejtpërdrejtë i shqipes (Satem) prej saj del fort i dyshimtë, për të mos thënë se përjashtohet fare” (Gjuha Shqipe dhe Historia e saj, Tiranë 1988, f. 161.).
4. E me gjithë këtë, siç e kam dokumentuar me librin tim të përmendur të studimeve albanologjike, shqiptarët kanë diçka të përbashkët me albanezët e Kaukazit Lindor. Albanezët, rreth 2.000.000 para epokës sonë, bashkë me pellazgët, e në përbërjen e keltëve, si fis kelt, përmes Europës Qendrore, kanë depërtuar në ishujt e Britanisë së Madhe. Siç është tashmë e dokumentuar dhe e pranuar, në shek. IV para epokës sonë, një pjesë e këtyre keltëve janë vënë rishëm në lëvizje dhe, nga Skocia kanë kaluar në kontinent, në Francë, ku do t’i venë emrin e parë Parisit - Lutecia. Nga Franca, pjesërisht, kalojnë në Gadishullin Iberik (Baskët), dhe pjesërisht në Itali e në Zvicër. Prej këtu e vazhdojnë shpërnguljen e tyre përmes Sllovenisë së sotme, Kroacisë, Hercegovinës, Cërna Gorës dhe Shqipërisë, përmes Ballkanit Qendror, Rumanisë, Ukrainës, Rusisë dhe stepave të saj buzëpontine deri në Kaukaz, ndoshta në qysh prej kohësh të njohurat votra të stërgjyshërve të vet. Duhet ditur se kjo gjë nuk është zhvilluar as brenda muajsh e vitesh, por brenda kushteve të atëhershme, me ndalesa, që kanë zgjatur me vite.
Një nga fiset më të mëdha të këtyre keltëve duket se kanë qenë albanët. Ngado që kanë kaluar, këta albanë kanë lënë gjurmët e tyre: Albioni në Skoci, Monte Albani në Itali, ishulli Rab në Kroaci, Albanoni dhe Albanopolisi në Shqipëri dhe Albania në Kaukaz, në brigjet e detit Kaspik. Albanët kudo kanë lënë pas vetes një pjesë të fisit, disa vëllazëri, që kanë vazhduar të jetonin aty, me që ato vende u janë përgjigjur nevojave të tyre. Aty ata janë shtuar dhe, duke jetuar në simbiozë me popujt e tjerë - me kohë janë asimiluar prej tyre.
Rrjedhimisht, z. Vukçeviq nuk ka të drejtë kur pretendon se “arkeologija i preistorija ne poznaju takva kretanja” (arkeologjia dhe historia nuk njohin lëvizje të tilla).
Kështu, nuk kanë ardhur albanët nga Kaukazi në Albaninë e Ballkanit dhe në Itali, siç ka pretenduar papa Piu II Piçolomini, G. A. Magini, A.Mascio, Anri Pukvil, Gojko Vukçeviq, Jovan Deretiq me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Serbisë dhe të tjerët, por nga Italia dhe Shqipëria kanë shkuar në Kaukaz, siç e kanë thënë këtë gjë kronikanët dhe historianët romakë, me ta dhe Pompej Torg. K. Taciti ka të drejtë për pretendimin e tij, por legjioni i pesëdhjetë nuk ka mobilizuar në Ballkan vetëm ilirët, por edhe albanët e Shqipërisë e të përmendur nga ne, që nuk kanë qenë ilirë, por keltë. Edhe Neroni, gjithashtu. Këta albanë ka mundësi që janë marrë për ilirë, siç po merren sot e kësaj dite, nga disa - rastësisht, po nga disa të tjerë - edhe me tendenciozitet. Etimologjirat e antroponimeve, toponimeve, hidronimeve e të tjera të G. Vukčevićit përgjithësisht janë antishkencore. Antishkencor është edhe pretendimi i tij se gegët e toskët nuk qenkan me të njëjtën origjinë. Kur kanë arritur shqiptarët në Mat (akademiku, prof. dr. Eqrem Çabej thotë se kjo gjë ka ndodhur në shek. X të epokës sonë!), gegët e toskët nuk kanë patur në pamjen e tyre asnjëfarë ndryshmi. Te të dy palët ndryshimet antropologjike kanë ardhur më vonë, si pasojë e ambientit gjeografik, po dhe nga përzierja me popujt e tjerë. Gegët janë përzier më shumë me nordikët e tipit dinarik, kurse toskët me jugorët e tipit mesdhetar. Te gegët kemi edhe elementë të qartë të përzierjes së tyre me albanët, mbeturinat e të cilëve i kanë asimiluar, duke marrë prej tyre jo vetëm emrin Arbën-Arbër, por edhe mjaft elementë të tjerë etnografik e gjuhësor. Sa për shembull, po përmendim xhubletën dhe emrin llucë (kujtoni Lutecia-n!), që të mos rreshtojmë këtu edhe izoglosat e tjera kelto-shqiptare, që me imtësi i ka studiuar Profesor Çabej. Ka kohë që unë jo vetëm që nuk jam solidarizuar me hipotezat e Gojko Vukçeviqit, Jovan Deretiqit dhe të Akademisë së Shkencave të Sërbisë, por edhe kam dalë hapur kundër tyre me studimet e mia, gjë që po e paguaj shumë shtrenjtë: mua e veprat e mija po m’i persekutojnë më egërsisht, tinëzisht dhe hapur, persona të veçantë dhe vetë Akademia e Shkencave e Serbisë.