E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anjeza: Kam menduar për Arjonin, tani për lojën

Pas daljes së Arjonit, Anjeza ka qenë në qendër të diskutimeve. Qetsori mendon se ajo tani do të fillojë të shfaqë veten, ndërsa Anjeza e kundërshton, duke i argumentuar se Arjoni nuk e pengonte të bënte lojën, por ajo jetoi atë që i pëlqeu më shumë. Duke iu referuar largimit të Arjonit, ajo ka debatuar me Mozën dhe e pyetur se përse publiku e mbante ende në shtëpi.

"Tani fillon loja"

Sori pyet Anjezën se si ndjehet që doli sërish në nominim. Ajo i përgjigjet se ndjehet mirë dhe fillon t‘i tregojë atij se gjatë eliminimit të dytë priste që të ishte ajo dhe jo Eltoni. Sori i thotë se pikërisht Eltonin priste të dilte. Anjeza thotë se nuk priste gjithashtu që të eliminohej Arjoni, por mendonte se do të ishte Ari. Ajo tregon se në momentin që Arjoni u fut brenda në shtëpi, ajo u gëzua shumë. Kur Arjoni mori zarfin e tij në dorë, aty e kuptoi se ai do të largohej vërtet, sepse deri në atë kohë, ai nuk u kishte thënë gjë. Sori i thotë se Arjoni ashtu e ka bërë dhe me të, që nuk të tregon se çfarë ka ndodhur, por vetëm vepron. Ai i tregon rastin kur Arjoni erdhi ta shpëtonte atë njëherë kur ishte në nominim dhe ai rrinte para tij dhe të tjerëve pa folur, deri sa zgjati dorën dhe e tërhoqi. Anjeza mendon se në shtëpi ka banorë të tjerë që e meritonin të dilnin para tij dhe këtë e thotë duke e parë në dy këndvështrime: edhe si spektatore, edhe si lojtare. Sori i thotë se mendonte se do largohej Juna, ndërsa Anjeza mendonte se do të ishte ndërmjet dy të rinjve. Sipas saj, natën e mbrëmshme ka filluar vërtet loja për të, pasi deri në atë moment mendonte veç për raportin me Arjonin e jo për lojën.

Buxheti i javës

Moza, kryefamiljarja e javës, fton banorët që të ulen në sallon e të diskutojnë për buxhetin e kësaj jave. Ajo u lexon fillimisht informacionin e nevojshëm dhe vlerën e buxhetit për këtë javë. Më pas ata fillojnë të diskutojnë për këtë çështje. Ata, si gjithmonë përllogaritin vlerën dhe sasinë e cigareve. Sori e ndihmon Mozën në përcaktimin e produkteve të nevojshme për kuzhinën. Me ta bashkohet edhe Bjordi, i cili i ndihmon në përllogaritjen e shpenzimeve.

"Mos e diskuto më"

Kur Moza lexon të dhënat për buxhetin, Ari e kritikon se ajo nuk lexon mirë dhe se nuk e kuptoi mirë se çfarë tha. Pasi përfundojnë buxhetin, ata dalin në kopsht dhe Moza i thotë Arit se herë tjetër, kur të lexojë ajo, nuk do diskutime të tilla nga askush. Ari vazhdon me shaka se do t‘i bëjë disa kurse që ajo të lexojë më mirë. Moza ia kthen se nuk i intereson asgjë se çfarë thotë ai. Ajo ngre zërin dhe i thotë që ai të mos i thotë më asgjë në lidhje me mënyrën e leximit të saj. Ari mundohet t‘i shpjegojë se çfarë po i thotë, por ajo ia kthen shkurt se lexon shumë mirë. Kur Ari kupton se ajo e merr shumë seriozisht këtë bisedë, i thotë se kur të jenë vetëm, pa praninë e të tjerëve që po i dëgjonin, do t‘ia tregojë më mirë që ajo ka nevojë për të rregulluar intonacionin. Moza insiston në të sajën se lexon bukur. Ari ngrihet dhe largohet, duke i thënë se në vend që ajo ta falënderojë, ia merr për keq. Adi, që ishte prezent në diskutimin e tyre, i thotë Arit që të mos e vazhdojë më tej bisedën, por ta lërë në kuadrin e shakasë. Ari ia kthen se ajo nuk e kupton dhe Adi shton se meqë ajo nuk e kupton, edhe ai mos të përdorë fjalë pa takt.

"E tregova e para"

Anjeza e pyet Mozën se përse nuk e ka treguar që në fillim historinë e saj me Polin. Moza i përgjigjet se nuk ka dashur të tregojë për jetën e saj personale dhe se nuk dëshironte që familja e saj ta mësonte. Ajo tregon se e kishte lënë me fjalë me Polin që të mos flisnin të dy, por më pas është marrë vesh. Moza shprehet se ka qenë ajo që ka treguar, duke harruar se në shtëpi kishte kamera dhe këtë histori ia ka treguar Adelës, Bikës, Zhuljetës. Ajo tregon se kur e kishte pyetur Arbana gjatë spektaklit, sërish nuk e kishte pranuar, por më pas, dita-ditës, kishte filluar ta pranonte. Moza tregon se si janë njohur të dy me Polin dhe se si lindi raporti mes tyre.

"Arjoni nxitohej në të folur"

Adi, Ari dhe Sori diskutojnë për Arjonin. Ari shprehet se Arjoni kishte një tip që të ofendonte edhe pa arsye, ndoshta jo me qëllim. Ai tregon rastin e parë kur u kap me të, pasi Arjoni i cenoi seriozitetin dhe inteligjencën me një shprehje të pavend, kur ai nuk i kishte lënë asnjë arsye për ta bërë këtë gjë. Edhe Sori mendon se Arjoni shpesh herë fliste në një mënyrë që e lejonte tjetrin ta kapte kollaj në gabime. Sipas Arit, nuk i interesonin gabimet që bënte ai, por Adi ia kthen se në këtë lojë me gabimet e të tjerëve mund të kapesh. Ari mendon se gabimet nuk i duhen për të nominuar një njeri, sepse ai mund ta nominojë atë dhe me arsye të tjera. Më pas ata kujtojnë disa nga momentet ku janë kapur me Arjonin me fjalë dhe analizojnë qëndrimin e tij kundrejt të tjerëve.

Anjeza kundër Mozës

Moza, Juna dhe Anjeza bisedojnë në dhomën e gjumit, ndërsa vendosin rregull në të. Anjeza e pyet se çfarë mendon ajo për faktin që vazhdon të qëndrojë ende në shtëpi prej kaq shumë kohësh. Anjeza thotë se tek ajo ka parë veç një vajzë të thjeshtë, që nuk merret me debate, që nuk ka shpirt luftarak, që i pëlqen të merret vetëm me veten, por që këto gjëra i ka parë si jashtë, ashtu edhe brenda shtëpisë. Moza ia kthen se të njëjtat gjëra që po thotë ajo për të, ka parë edhe ajo tek Anjeza. Ajo thotë se as ajo nuk merr pjesë në debate, ndërsa për veten, Moza shprehet se ka vështirësi apo siklet në të shprehur të mendimeve, por jo se nuk di. Juna i thotë se askush nuk e ka vënë në siklet, ndërsa Anjeza thotë se dhe ajo e ka pasur këtë vështirësi më parë, por dita ditës e ka kaluar duke folur nga pak, apo dhe duke mësuar nga të tjerët. Anjeza insiston në pyetjen e saj se çfarë ka vlerësuar publiku tek ajo. Moza përgjigjet se ka vlerësuar thjeshtësinë, sinqeritetin dhe një vajzë që përfaqëson veten dhe moshën e saj. Anjeza e pyet edhe se çfarë mendimi ka krijuar për të, por Moza ia kthen se kur të dalë, do t‘i shohë klipet ku ajo ka folur për të, por shton se i duket serioze dhe e sinqertë. Anjeza vazhdon të thotë se e sheh Mozën shumë pasive, dhe se kanë dalë nga loja banorë që kanë qenë më aktivë e që kanë dhënë më shumë se ajo. Moza i kundërpërgjigjet se dhe ajo nuk ka qenë shumë aktive dhe se pikë i ka dhënë vetëm lidhja me Arjonin.

"Nuk më ka penguar Arjoni"

Zënkat ndërmjet Anjezës dhe Adelës vazhdojnë edhe gjatë ngrënies së drekës. Ato vazhdojnë të kapen me fjalë me njëra-tjetrën, por që nxiten edhe nga të tjerë, si Ari. Adela e komenton këtë ndryshim tipi të Anjezës për faktin se ka dalë në nominim, por Anjeza ia kthen se ajo e ka nga gjëra të tjera, pasi në nominim ka qenë dhe më parë dhe shton se Adela si vajzë e zgjuar që është, duhet t‘i kuptojë mirë. "Mendoi njëherë gjërat, pastaj dil në konkluzion", i thotë ajo Adelës. Më pas, Adela shprehet duke qeshur se nëse asaj do t‘i kishte ikur Bjordi, do të qëndronte vetëm në ndonjë cep, pa folur e duke qarë. "Se çfarë kam unë brenda, nuk e sheh as ti e as asnjë", ia kthen Anjeza, por Adela thotë se ashtu mendon dhe mund të thotë çfarë i do qejfi. Anjeza vazhdon të shpjegojë se gjendja e saj nuk ka lidhje as me nominimin e as me faktin se Arjoni e paska penguar që ajo të shprehë veten më parë, siç doli në konkluzion Ari me Sorin. Sori sqaron se fakti që ajo ka ndenjur më shumë me Arjonin, e ka penguar që të bëjë lojë individuale. "Unë kam jetuar atë që më pëlqente dhe e lashë mënjanë lojën, edhe pse Arjoni më këshillonte të kundërtën", thotë Anjeza.

"Është mes meje dhe Mozës"

Anjeza dhe Juna vazhdojnë të bisedojnë edhe për banorët e nominuar këtë javë, ku bëjnë pjesë edhe ato. Anjeza tregon se në nominimin e parë të saj ishte në pozita pak më të vështira, sepse ishte fillimi i bashkëjetesës në shtëpi me banorët e tjerë dhe se ishin gjashtë banorë të nominuar, ku një pjesë e mirë e tyre pretendohej që nuk do dilnin. Për nominimin e kësaj here, ajo shprehet se i duket i bukur dhe i fortë. Anjeza mendon se loja më shumë ka për t‘u zhvilluar ndërmjet saj dhe Mozës, dhe njëra prej tyre do të largohet.

Shqiptarët për Shqipërinë

Juna dhe Anjeza dalin në kopsht. Ato flasin për biseda të ndryshme dhe ndër to edhe për jetesën e shqiptarëve jashtë Shqipërisë. Juna tregon se me aq sa ka parë, shqiptarët janë shumë punëtorë e të disiplinuar dhe të tjerët i vlerësojnë shumë. Ajo mendon se do të ishte mirë që çdokush të punonte për vendin e tij e jo për të tjerët. Sipas saj, shqiptarët nuk janë njerëz të mbyllur, por kanë parë e kanë jetuar në shumë mentalitete dhe kjo mjafton që ata, këto ndryshime t‘i sjellin dhe në Shqipëri. Anjeza mendon se mungon iniciativa për të ndërmarrë një nismë për të ndërtuar e zhvilluar diçka në Shqipëri dhe jo të gjithë bëhen në një mendje për t‘u kthyer. "Duhet bërë propagandë për këtë gjë, për t‘i mësuar, treguar e konkretizuar gjërat", mendon Juna.

"Jam e lumtur me Arjonin"

Anjeza i tregon Junës për marrëdhënien e saj me Arjonin. Ajo tregon se kur e shihte nga jashtë, para se të hynte në shtëpi, kishte disa gjëra që nuk i pëlqenin tek ai, por kur e njohu nga afër, e pëlqeu shumë. Anjeza shprehet se nuk i pëlqeu opinioni i disa prej banorëve apo opinionistëve që lidhja e tyre dukej si për lojë. Ajo thotë se nuk mund ta përshkruajnë, por atë që ndjenë, e ndjejnë vërtet. Dikush i shpreh më shumë e dikush më pak ndjenjat e veta. Anjeza shprehet se kur të dalë jashtë, do e shohin lidhjen e saj me Arjonin. Sipas saj, edhe sikur lidhja e saj të mos funksionojë, gjë që nuk e mendon se do të ndodhë, momentet që ka kaluar e përjetuar me të dhe emocionet kanë qenë si kurrë ndonjëherë. "Sido që të jetë situata jashtë, jam e lumtur për këtë", shprehet Anjeza për lidhjen me Arjonin.

Mëngjes

Gjuajtja me jastëkë u bë mënyra e përditshme për të zgjuar njëri-tjetrin. Adi, pasi ngrihet i pari, del në kopsht për të bërë shëtitjen e tij të përhershme. Më pas ai kthehet në dhomë për të filluar "luftën" e mëngjesit. Shënjestrat e tij janë Ari, Sori dhe Adela. Ari ngacmon Sorin, ndërsa ai i thotë të ngrihet t‘u bëjë kafen. Adi shkon të shtrihet pranë Adelës dhe fillon ta përkëdhelë, njësoj si Bjordi. Adela, ende përgjumësh, nuk e kupton që është ai, ndërsa Ari dhe Sori qeshin me ta. Adela vazhdon luftën me jastëk me Sorin dhe Arin dhe ankohet se do të largohet nga shtëpia sepse e zgjojnë keq prej gjumit. Banorët ngrihen një nga një, ndërsa Sori dhe Adi luajnë me top në kopsht. Të gjithë dalin në kopsht për të pirë kafen e dëgjojnë muzikë.

Rrjeta e volejbollit

Banorët mendojnë të gjejnë një mënyrë për t‘u argëtuar dhe për ta kaluar sa më këndshëm kohën. Sori ka përgatitur një top dhe të gjithë banorët e përgëzojnë. Ata mendojnë që të luajnë volejboll, por duan që të përgatisin edhe një rrjetë për këtë lojë. Sori shkon të marrë rripat e peshqirëve të banjës dhe me to të sajojë një rrjetë të thjeshtë. Atë e ndihmon edhe Bjordi, ndërsa Ari kërkon që fillimisht të pastrojë kopshtin e më pas të luajnë. Ari bën sikur zihet me Sorin, por Sori del fitues dhe vazhdon punën e tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›