Mishel Obama, 100 ditë si Zonjë e Parë
Revista ndërkombëtare e modës, "Vogue" në të kaluarën ua kishte kushtuar kopertinat e saj edhe zonjave të para amerikane si Hilari Klinton dhe Laura Bush. Të parën, e kishte veshur me një fustan të gjatë "Ralph Lauren", me ngjyrë të zezë, kurse të dytën me një kostum mëndafshi ngjyrë blu. Për Mishel Obamën, gjërat rrodhën ndryshe. Edhe ajo u bë pjesë e kopertinës së revistës së famshme, por e zgjodhi vetë se çfarë duhej të vishte për këtë rast: me një fustan me mëngë të shkurtra, mëndafsh dhe ngjyrë rozë të hapur. Për më tepër nuk pranoi të trukohej nga grimierët e revistës, por si gjithmonë në vend të tyre preferoi parukierin dhe grimierin e saj personal. "Ajo nuk ka nevojë për ndihmë. Mishel e do modën dhe e di se çfarë i shkon. Kurrë nuk më pyeti se çfarë unë mendoj, më shkon kjo apo ajo veshje. Është kaq paqësore dhe natyrale. Kjo është kopertina më e bukur që kemi parë ndonjëherë në historikun e "Vogue". Modelet pozojnë, aktoret po ashtu. Këtu Mishel është një grua e vërtetë, është origjinale", tregon një nga botuesit e revistës, Andre Leon Tallej. Por kjo nuk është ndonjë gjë e re për Zonjën e Parë amerikane, që në të njëjtën mënyrë veproi edhe për kopertinat e "People", "Essence", "More" dhe "O", revistës së Oprah Uinfrejt. Gazetarët e "More" tregojnë se mbetën të habitur kur pas disa bisedave, Mishel Obama u paraqit për setin fotografik me një fustan ndryshe nga ai që kishte premtuar se do vishte. "As që e vrau mendjen fare. Në fund ishte ajo që vendosi se çfarë do të vishte për të dalë në kopertinën e revistës. Ajo grua me siguri ka një vullnet të hekurt", tregon Lesley Jane Seymour, kryeredaktor i "More". Në të vërtetë, është pikërisht kështu, Zonja e Parë po rimodelon imazhin e saj publik, duke qëndruar larg faktorit modë. Deri tani ka dhënë intervista për revista femrash dhe gazeta që e kanë lejuar të nxjerrë në pah aspektin më intim dhe më të zakonshëm të jetës së saj: interesin e saj për vajzat, përpjekjet për të ambientuar familjen në Shtëpinë e Bardhë, pasionin për kopshtin dhe jetën e shëndetshme, prirjen e saj për të përzier veshje të zakonshme me ato firmato dhe në fund, tendenca për t‘ua hapur dyert e Shtëpisë së Bardhë amerikanëve të zakonshëm. Bashkëpunëtorët e saj më të ngushtë takohen rregullisht me grupin e Presidentit Obama që merret me komunikimin, për të shqyrtuar ngjarjet publike që mund të nxjerrin më mirë në pah mesazhin që ajo kërkon të japë. Bën biseda të shkurtra dhe inteligjente që qëndrojnë larg keqkuptimeve. Flet për mbështetjen vullnetare dhe familjet e ushtarakëve, por rrallë diskuton për çështjet raciale, edhe pse diskutime të tilla i ka shumë për zemër. Duke u përqendruar te vetja, mbi rolin saj në familje dhe pasojat që rrjedhin nga kjo, gruaja e Presidentit Obama është krijuesja e një prej shndërrimeve më të dukshme politike të viteve të fundit. Vetëm dhjetë muaj më parë Mishel Obama ishte përshkruar nga disa konservatorë si një grua e zemëruar me ngjyrë, për më tepër si një rrezik për të shoqin. Tani admirohet nga të gjithë për përzemërsinë, besueshmërinë dhe respektin aq sa ngjyra e saj e lëkurës duket diçka e parëndësishme për shumë amerikanë. Është ajo, që në çdo rast, është vlerësuar nga opinioni publik më shumë se të gjitha zonjat e para nga viti 1980 deri më sot, madje është më popullore edhe se bashkëshorti i saj. Axelrod, një prej këshilltarëve të Presidentit, nuk e mohon se ajo që ka ndikuar në mendimin e opinionit publik ka qenë edhe puna e grupit për komunikim të drejtuar nga Katie McCormick dhe Lelyveld. "Nuk do të thosha se kemi kërkuar ta zbusim, por sigurisht kemi bërë përpjekje që njerëzit ta njohin për atë që është dhe jo për karikaturat që i ndërtuan gjatë fushatës elektorale". Imazhi që Mishel Obama po jep për veten, nuk tregon plotësisht të gjitha karakteristikat e saj: avokate e diplomuar në Harvard, zëvendëspresidente e një spitali, profesioniste serioze dhe e vendosur e cila ka shumë për zemër të influencojë mbi politikat publike dhe shpesh të promovojë propozime ligjore mbi ngjarje që e shohin si protagoniste. Bashkëpunëtorët e saj më të ngushtë shpesh përfshihen në diskutime politike që nuk bëhen të njohura nga Shtëpia e Bardhë. Sekretari i Përgjithshëm i Mishel Obamës, Jakie Norris, merr pjesë në mbledhjet e mëngjesit të drejtuara nga Rahm Emanuel, sekretari i përgjithshëm i Presidentit dhe përgjegjësja e saj për politikën, Jocelyn Frye, të paktën një herë në javë. Bashkëpunëtorët e Mishelës shkëmbejnë mendime me grupin për politikën e brendshme të Presidentit për të hartuar strategji ndihme për çiftet që punojnë dhe patën një peshë të rëndësishme në zgjedhjen e drejtorit të "Corporation for nacional and community service", agjencisë kombëtare të shërbimeve të cilës iu akorduan 11 miliardë dollarë në buxhetin e Presidentit. Disa persona që e njohin mirë Mishel Obamën kundërshtojnë se kjo anë e saj i fshihet opinionit publik, ndërsa të tjerë akuzojnë hapur mediat se interesohen më shumë për vajtjen e saj në palestër sesa për çështje me rëndësi të madhe. Nga ana tjetër, disa të tjerë mendojnë se bashkëpunëtorët e saj po mendojnë ta nxjerrin si të mirë në sytë e zgjedhësve që preferojnë ta shohin Zonjën e tyre të Parë në një rol më tradicional. "Nuk e njohim Mishel Obamën e vërtetë, për atë që është dhe kjo është vërtet gabim", thotë Connie Schultz, shkrimtare dhe gazetare. "Ka shumë mundësi që unë të flas si feministe e kohës së vjetër, por dua të nxjerr në pah cilësitë e saj intelektuale". Disa analistë politikë besojnë se Mishel Obama po fiton kohë, duke shpresuar që një ditë të marrë rolin e vet tradicional në mënyrë të tillë që të mund të veprojë më hapur në ambientet politike që ka më shumë për zemër. "Ky është vetëm fillimi", ka komentuar Paul Costello, këshilltar i ish-zonjë së parë, Rosalyn Karter. "Po krijon rreth vetes një atmosferë besimi dhe komforte që në një farë pike do të jetë në gjendje t‘i përdorë për të kaluar kufijtë e saj". Për momentin Mishel Obama duket tërësisht rehat me personazhin e saj publik. Pasi bëri shaka janarin e kaluar duke thënë se me punën e saj nuk fitonte shumë, Mishel Obama tani e përshkuan rolin e saj si Zonjë e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si më të mirin. Një grupi studentësh javën e kaluar në kuadër të një sërë pyetjesh iu përgjigj: "Nuk duhet të shqetësohem për probleme komplekse gjithmonë, por vetëm për gjëra të këndshme".