Ankesa fisnike dhe vepra poshtërsie
Pse shqiptarët nuk duhet të ankohen së tepërmi ndaj Evropës refuzuese? Prej Evropës askush nuk duhet të presë dhurata, nëse paraprakisht nuk i kryen punët e shtëpisë për këtë nuk duhet shikuar larg, mjafton shembulli i Kroacisë
Ne vitin 1963 mendimtari shqiptar Eqrem Bej Vlora në parathënien e kujtimeve të tij shkruante: Miku i madh i Shqipërisë, senatori francez, i ndjeri DÉstournelles de Constant, më tha një ditë: Shpirti i shqiptarit është një përzierje poshtërsie dhe fisnikërie. Si rrallë ndonjë veprimtar politik shqiptar, Eqrem Bej Vlora ishte i larë e shpëlarë me ujërat e Lindjes dhe Perëndimit, me kulturën orientale dhe atë perëndimore, me mendësinë përparimtare dhe mentalitetin e avashllëkut. Duke i njohur shqiptarët mirë, ai nuk ngurronte ti ballafaqonte ata me të metat e tyre. Një popull që përballet me të metat e tij, ka shpresa për përparim. Një populli që i pëlqen ti ikë këtij ballafaqimi dhe fajin për çdo dështim e kërkon te të tjerët, te fqinjët, Fuqitë e Mëdha, te dreqi e i biri, ai popull zor se mund të gjejë rrugën drejt një ardhmërie relativisht të mirë.
Jetë qençe
Ku gjenden shqiptarët e Kosovës në vitin 2012? Ankesat e tyre janë fisnike. Jetojnë qençe, në kushte të mjerueshme, me rroga ndër më të ulëtat në Evropë, me asistencë sociale që nuk i mbulon as shpenzimet për higjienë personale dhe ushqim të rregullt, me sistem shëndetësor dhe arsimor të rrënuar; ekonomia e Kosovës se meriton as emrin e ekonomisë; mënyra se si janë privatizuar ndërmarrjet e ashtuquajtura shoqërore shpesh është kriminale; toka e bukës mbulohet me beton, prona publike kontrollohet kryesisht nga grupet mafioze. Për të gjitha këto të këqija pothuaj çdo ditë shprehen ankesa legjitime nga qytetarët e zakonshëm të Kosovës. Ata kanë të drejtë. Lirinë e Kosovës e kanë menduar ndryshe. E kanë menduar si mundësi për zhvillim dhe jo si qorrsokak. Nuk e kanë menduar lirinë si rrugë drejt izolimit, si rrugë të pritjes para ambasadave të vendeve perëndimore për një vizë.
E dëgjuam këto ditë kryeministrin e Kosovës të thoshte: Është koha që Bashkimi Evropian ti afrohet Kosovës me vepra dhe pa retorikë, sepse Kosova është Evropë, dhe se rruga e saj e vetme është integrimi në strukturat euroatlantike. Dhe unë besoj në këtë. Të besosh në diçka domethënë të besosh në atë që dëshiron. Dihet se dëshirat kurrë nuk janë plotësuar me besime, por vetëm me punë e përkushtim. Tani për tani politika në Kosovë predikon vetëm besimin në premtimet e saj – të rrejshme. Më fillim të janarit kryeministri kishte paralajmëruar se ky do të jetë vit i sukseseve historike për Kosovën. Si prioritet e kishte shpallur luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në fakt vazhdimin e kësaj lufte, e cila, sipas kësaj logjike, tashmë paskësh filluar, vetëm se opinioni nuk qenka informuar ende. Prandaj, tani smbetet gjë tjetër veçse shefi i Qeverisë ti ankohet Evropës së verbër se nuk po i sheh sukseset dhe po vazhdon ta izolojë Kosovën. Në fakt, as politikanët, as shoqëria e Kosovës nuk do duhej shumë të ankoheshin ndaj Evropës refuzuese. Ajo do të mbetet e tillë përderisa politika në Kosovë është vetëm sinonim i plaçkitjes, i zhvatjes, i nepotizmit, i papërgjegjësisë, i rrenës, i shpifjeve, i manipulimeve, i fëlliqësive publike dhe nëntokësore.
Nota verbale
Si mendon kryeministri ta afrojë Kosovën me Bashkimin Evropian kur në parlament ka futur persona që herë akuzohen për vrasje, herë për keqpërdorime? A mendon kryeministri ta evropianizojë Kosovën me kryetarë komunash të akuzuar për krime monstruoze, reket, shantazh, kërcënime? A demokratizohet dhe a përparon Kosova me politikanë lokalë që synim të vetëm kanë mirëqenien personale përmes ryshfetmarrjes? U dëgjua këto ditë shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) duke përshëndetur vendimin e deputetit Azem Syla për tu larguar nga Zvicra. Çfarë i mbeti komandantit të UÇK-së përveç se të largohet? Ishte vendim i drejtësisë zvicerane dhe nuk kishte rrugëdalje tjetër. Askush nga radhët e PDK-së se tha një fjalë të vetme kritike për rrethanat që çuan në vendimin për dëbimin e Sylës nga Zvicra. Nuk u tha gjë as për dëmtimin masiv të imazhit të Kosovës si shtet dhe në veçanti të imazhit edhe ashtu të njollosur të rreth 200 mijë shqiptarëve në Konfederatën Helvetike nga ana e një politikani të PDK-së, i cili përshkruhet si keqpërdorues ordiner i sigurimeve invalidore dhe i lejeqëndrimit. Në vend se të merrej me temën, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike fliste banalitete poshtë e lart.
Kur banaliteti i së keqes shndërrohet në sistem qeverisës, atëherë ndodh edhe kjo: kryeministri deklaron për revistën amerikane TIME se po kthehem (nga vizita në SHBA, v.j.) me bindje të plotë se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën do të mbetet e paluhatshme. Derisa Hashim Thaçi i thoshte këto fjalë, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, sipas tri burimeve të pavarura nga njëra-tjetra, kërkonte me ngulm që nga puna të përjashtohet ose pezullohet një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme të Kosovës. Pse? Sepse dyshohej se ishte zënë me pelë përdore duke lëshuar nota verbale në kundërshtim me rregullat. Nota verbale është një lloj garancie shtetërore për të marrë vizë hyrëse për një shtet, në këtë rast SHBA. Ndërkohë Ministria e Punëve të Jashtme ka marrë këtë vendim: Nga pozita e u.d. drejtorit të Departamentit për Çështje Konsullore është pezulluar z.Mehmet Morina, dhe si u.d i drejtorit të Departamentit për Çështje Konsullore është emëruar z.Korab Mushkolaj.
Shihet se jo vetëm në këtë ministri nuk funksionin pothuaj asnjë mekanizëm kontrolli, me gjithë propagandën që mund të bëjnë disa pishpirikë bizarë. Nuk mund të integrohet asnjë vend në BE derisa është i zhytur në skandale dhe poshtërsi. Përballë kësaj situate vërtet është absurde të ankohesh se Evropa plakë, kurvë, shtrigë nuk po e përshpejton procesin e integrimit të Kosovës në BE. Pse duhet ti heqë vizat për qytetarët e Kosovës Bashkimi Evropian, kur në shumë poste të ndjeshme janë vendosur falsifikatorë dokumentesh?
Shembulli i Kroacisë
Kjo Evropë ka qenë e ashpër dhe e pamëshirshme edhe ndaj Kroacisë, një vendi larg më të rregulluar dhe më të zhvilluar se Kosova. Në pesë vitet e fundit Kroacia u detyrua të ndërmarrë hapa seriozë për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar para se ti hapeshin portat për anëtarësim. U burgos ish-kryeministri Ivo Sanader dhe kundër tij po zhvillohen disa procese gjyqësore. U burgos ish-zëvendëskryeministri Damir Polançec nën dyshimin e korrupsionit. U burgosën disa zyrtarë të tjerë po ashtu nën akuzat e njëjta.
Në Kosovë, ndërkaq, ushqehen shpresa të kota se me këtë klasë politike recidiviste mund të ecet përpara. Jo! Kështu, me këtë mendësi, mund të shihen ëndrra në pikë të ditës për integrime evropiane. Mediet qeveritare mund të vazhdojnë propagandën e tyre, kryeministri mund të japë intervista për iftar e syfyr, pas xh
