E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesmenët që kanë zaptuar Kakomenë e kanë blerë 3.4 milionë dollarë tokën që vlen 40 milionë dollarë

Share

Kantier ndertimi ne Kakome

(E PERDITESUAR)- Biznesmenët që kanë zaptuar përfundimisht gjirin e Kakomesë, kanë arritur të fusin në dorë ALUIZNI-n dhe kanë mundur të blejnë tokën brenda territorit të tyre përmes procesit të legalizimit. Kompania Riviera, e cila kishte filluar qysh në vitin 2004 procedurat për të marrë me koncesion Gjirin e Kakomesë, së bashku me një kompani franceze, tani rezulton të jetë e vetme pronare e një sipërfaqe toke, të cilën ia ka shitur me firmën e tij ish- kryetari i ALUIZNI-t, Shaban Memia.

Dokumenti i gazetës TemA dëshmon se në fillim të muajit mars, ndërsa Memia ka qenë në prag të largimit nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t, ka firmosur shitjen e tokës për llogari të kompanisë Riviera, e cila tashmë vepron në Gjirin e Kakomesë si një subjekt pa një status të subjektit turistik. Kompania franceze Club Med është tërhequr nga projekti prej vitit 2007 dhe me kuadrin ligjor shqiptar, i bie që koncesioni i dhënë dikur nga Fatos Nano të jetë i pavlefshëm.

Por, duke bërë fakt të kryer praktikën e bllokimit të territorit dhe kthimit të tij në një territor ku arrestohen çdo ditë roje për trafik droge, zaptuesit e këtij trualli kanë mundur që dhe të blejnë një pjesë të territorit kundrejt një kontrate, e cila është në kundërshtim flagrant me ligjin.

Në bazë të ligjit 8053 të dhjetorit 1995, banorët e zonave bregdetare duhet të kompensohen me tokë ose truall në rast se toka e tyre ka objekt ndërtimi prioritet turistik. Toka që i është dhënë kompanisë Riviera prej ALUIZNI-t, është tokë e cila ka qenë në përdorim dhe shpërndarë për banorë të zonës, të cilët shpronësohen nga vendimi “de facto” i ALUIZNI-t, që ia shet një kompanie, e cila e ka ende të paqartë statusin e saj si subjekt turistik.

Dy vite pasi kishte hyrë në fuqi, por tërësisht në kundërshtim me të, Agjencia që Sali Berisha me mburrje ia kish lënë në dorë Shaban Memisë, shiti Gjirin e Kakomesë!

Ligji është i qartë: shitet trualli nën objektin e ndërtuar para nëntorit të vitit 2008 dhe të regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive!!! Objekt të regjistruar në ZRPP nuk ka, sepse nuk ka objekt të ndërtuar në Kakome! Megjithatë Gjiri i Kakomesë u shit dhe prona është regjistruar nga ZRPP nën varësinë e Ministrisë të Drejtësisë, në favor të kompanisë Riviera! 290 mije metra katror u shitën për 1219.7 lekë për metër katror! Prona është shitur në total per gati 3.4 milion dollarë kur ajo kushton minimumi 40 milion dollarë!, tha deputeti Erion Braçe.

Shifrat e dhëna nga deputeti i opozitës Erjon Braçe, ndërkohë që në Kuvend po diskutohet sërish ligji për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore për banorët pranë zonave turistike, që shpronësohen për nevoja publike, e bën dhe më të qartë kapjen e shtetit.

Vendimi ka ngjallur reagim në fshatrat Nivicë dhe Shën Vasil, të cilët janë ende të paqartë për fatin e pronave të tyre.

Interpelanca në Kuvend, Braçe denoncon grabitjen e tokës në bregdet

Opozita akuzon qeverinë se po synon te përvetësojë tokat e 8 mijë familjeve ne bregdet, nëpërmjet nismës për titujt e pronësisë. Sipas deputetit Erion Braçe, abuzimi shtrihet ne 110 milion metra katrorë tokë, për tia kaluar ato një grupi njerëzish. Por ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, i cili ishte iniciatori i nismës ligjore, tha se drafti as nuk krijon ndarje te re te tokës dhe as prodhon tituj të ri pronësie. Por një qëndrim kritik me qeverinë për çështjet e pronës mbajti edhe ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu. Ai pohoi se me këto nisma, qeveria thellon antikushtetutshmërinë në raport me pronën. Në nisje të seancës, kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, debatoi me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, për kërkesat e opozitës për interpelanca me kryeministrin Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›