E Diel, 1 Nëntor 2026

Anketa: Veprimi i Qeverisë në veri i suksesshëm

Nga Express më 25 shtator 2011 në ora 12:14

Derisa partia në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës aksionin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e kontrollit në pikat kufitare në veri, e vlerëson ndër vendimet më të rëndësishme të Ekzekutivit, subjektet politike opozitare, ndonëse përkrahin aksionin, konsiderojnë se ky veprim nuk ka qenë i koordinuar si duhet, duke i përkujtuar Qeverisë Thaçi se mban përgjegjësi për të gjitha veprimet e bëra.

Por në anketën e Agjencisë së Pavarur të Lajmeve Kosovapress “Si e vlerësoni veprimin e Qeverisë në veri të Kosovës?”, kanë votuar gjithsej 1418 respondentë, prej të cilëve shumica, 847 apo 60 për qind mendojnë se veprimet e Qeverisë në veri kanë qenë të suksesshme, ndërsa 442 apo 31 për qind e vlerësojnë të dështuar, ndërsa vetëm 129 apo 9 për qind e respondentëve nuk kanë pasur qëndrim të prerë.

Pas aksionit të ndërmarr më 25 korrik nga Qeveria e Kosovës për të vënë rend dhe ligj në veri të Kosovës, një aksion tjetër i organizuar nga Qeveria ndodhi edhe më 16 shtator, ku në pikat kufitare në veri janë dërguar policë dhe doganierë të Kosovës, por me helikopterë të KFOR-it, për shkak të bllokimit të rrugëve nga ana e serbëve të rebeluar.

Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ka thënë për Kosovapress se intervenimi i institucioneve të Kosovës për të vendosur rendin dhe ligjin në veri ka qenë e domosdoshme, në mënyrë që të shtrihet pushteti në gjithë territorin e vendit dhe t’i jepet fund krimit dhe kontrabandës.

“Vlerësojmë se është një nga vendimet më të rëndësishme që ka ndodhur në Kosovën e pas luftës, sepse problemi i veriut të Mitrovicës nuk është problem i një dite, viti apo tri viteve, po është një problem shumë ma i vjetër. Është problem i përmasave që i tejkalon kufijtë e Kosovës është problem me rrezik që kanoset në vazhdimësi jo vetëm Kosovës, por edhe regjionit dhe mund të ketë edhe përmasa më të gjera. Por me vendimin e 25 korrikut, ky rrezik është i evituar, por nuk do të thotë se është si përfunduar dhe ne kemi kërkuar dhe kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të jetë këmbëngulëse, mos të tërhiqet nga qëndrimet dhe vendimet që ka marrë”, ka thënë Grabovci.

Shefi i GP të PDK-së thotë se Qeveria e Kosovës nuk guxon të tërhiqet me asnjë kusht dhe asnjë çmim nga veriu, dhe nuk bën të ndërpritet lufta kundër krimit dhe kriminelëve në veri.

Ismet Beqiri, shef i grupit parlamentar të partisë më të madhe opozitare LDK, thotë se ky subjekt përkrah aksionin e Qeverisë më 25 korrik në veri, por sipas tij për këtë aksion është dashur të ketë një koordinim më të mirë.

“LDK-ja në fillim të aksionit ka thënë se përkrah çdo veprim të institucioneve të Kosovës që kanë për qellim shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e Kosovës, ushtrimin e kushtetutshmërisë dhe sundimin e ligjit në tërë territorin e Kosovës. Ju e dini që edhe aksionin e 25 korrikut e kemi përkrahur, sepse qëllimi ka qenë i mirë, por megjithatë u pa se ka qenë dashtë një koordinim më i mirë dhe kjo nuk do të thotë se vazhdojmë me e mbështet dhe përkundrazi tash e mbështesim edhe më fuqishëm, sepse është bërë një bashkërenditje në kooperim dhe është marrë një mbështetje e domosdoshme”, ka thënë Beqiri.

Në lidhje me këtë më kritik shprehet deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosej, Florin Krasniqi, i cili vlerëson se aksioni i 25 korrikut nuk ka qenë i organizuar si duhet, dhe si i tillë nuk ka pasur kurrfarë efekti.

“Aksioni i 25 korrikut ka qenë i domosdoshëm, por i vonuar shumë, i organizuar keq dhe i ekzekutuar shumë më keq, prandaj si pasojë kemi pasur edhe humbjen e jetës së një polici dhe një dështim të plotë dhe tërheqje të menjëhershme dhe forcim të strukturave paralele dhe kriminelëve dhe kështu që ka qenë një dështim i plotë. Aksioni i dytë që ka qenë më i koordinuar me ndërkombëtarët vërtetë nuk ka pas ndonjë efekt dhe nuk ka ndonjë efekt dhe se veç sa janë forcuar strukturat paralele kriminale. Qeveria gjithmonë po e luan rolin e viktimës në këtë drejtim, nuk duhet Qeveria të luajë rolin e viktimës dhe mos të bëjë paraqitje hollivudiane para kamerave me gjëra të mëdha”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkaq, më i rezervuar në lidhje me veprimet ne veri, shprehet shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Ardian Gjini, i cili mendon se Qeveria ka pasur mundësinë që të përgatitet më mirë sa i përket aksioneve në veri.

“Situata në veri dhe suksesi i Kosovës në veri është i një rëndësie të madhe. Ne si parti opozitare i qasemi me kujdesin më të madh, në mënyrë që mos të shndërrohet antagonizmi qeveri-opozitë në mos sukses të Kosovës. Ne jemi jetikisht të interesuar që Qeveria e Kosovës të ketë suksese në veri dhe po provojmë që të ketë sukses. Qeveria e mban përgjegjësinë për të gjitha ato që i kryen, por ne po provojmë me çfarëdo mjeti të mundshëm që e kemi që të jemi në mbështetje të suksesit të Kosovës në veri”, ka thënë Gjini.

Qeveria e Kosovës më 25 korrik dërgoi njësitë speciale të Policisë së Kosovës për të marrë kontrollin në dy pikat kufitare 1 dhe 31 në veri, të cilat që një kohë të gjatë ndodheshin jashtë kontrollit të Prishtinës zyrtare dhe ku zhvillohej krimi i organizuar dhe kontrabanda nga ana e serbëve të rebeluar.

Marrja nën kontroll e dy pikave kufitare në veri, erdhi pasi vendimit të Ekzekutivit për vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë. Njëherësh, ky ishte edhe aksioni i parë serioz i Qeverisë Thaçi për të shtrirë autoritetin në tërë territorin e shtetit tonë.
Dërgimi i njësive speciale në Bërnjak dhe Jarinje “alarmoi” serbët lokalë, të cilët vendosën barrikada në rrugë dhe madje vranë edhe një pjesëtar të njësisë speciale, Enver Zymberi, ndërsa autorët e vrasjes sot e kësaj dite ende gjenden në liri.

Njësitet speciale u desh të tërhiqen shpejt nga veriu, ndërsa serbët e dirigjuar nga Beogradi mbanin vazhdimisht kontakte dhe merrnin instruksione nga “emisarët” e shtetit serb Borisllav Stefanoviq dhe Goran Bogdanoviq, të cilët sa herë donin hynin pa problem në Kosovë.

Nuk vonoi se serbët ia mësynë pikës kufitare në Jarinje, duke e djegur për herë të dytë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa në tentimin për të bërë të njëjtën gjë, ata nuk u lejuan nga KFOR-i në pikën tjetër kufitare, në Bërnjak.

E gjithë situata e krijuar pas 25 korrikut “u përmbyll” me arritjen e një marrëveshjeje dhjetëpikëshe për hapjen e bllokadave në rrugë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe KFOR-it, e cila nga Lëvizja Vetëvendosje u vlerësua si dhjetë urdhrat e KFOR-it për Qeverinë Thaçi.

Sipas marrëveshjes, KFOR-i do të kryejë operacionet e kontrollit në vendkalimet e paautorizuara kufitare për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt, deri më 15 shtator.

Pas kësaj date, më 16 shtator, Qeveria e Kosovës dërgoi policët dhe doganierët në pikat kufitare në veri, por kësaj radhe me ndihmën e helikopterëve të KFOR-it, pasi serbët serish vendosën bllokada në rrugë, duke i përforcuar me zhavorr dhe beton.

Ndërsa kriminelët vazhdojnë të qëndrojnë të lirë në veri, Beogradi zyrtar insiston në hapjen e bisedimeve për pikat kufitare 1 dhe 31, duke kërkuar largimin e doganierëve dhe policëve të Kosovës, ndërkohë që për përfaqësues të institucioneve të Kosovës çështja e doganave është tashmë kapitull i mbyllur.(Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›