E Diel, 1 Nëntor 2026

Hyjnë në Serbi kamionët e parë të Kosovës

Mitrovicë, 25 shtator 2011, NOA Nëntë ditë nga hyrja në fuqi e marrëveshjes për vulat doganore e nënshkruar në Bruksel, janë zhdoganuar dhe kaluan përdrejt Serbisë katër kamionët e parë të pajisur me dokumentacionin e shtetit të Kosovës.
Lajmin e bënë publik Doganat e Kosovës.
Katër kamionët janë zhdoganuar në pikën kufitare të Dheut të Bardhë dhe e më tej janë përpunuar edhe në atë të Serbisë.
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës Adriatik Stavileci informoi se Janë lejuar katër kamionët e parë. Kamionët kanë kaluar kufirin dhe i kanë përfunduar të gjitha procedurat e zhdoganimit përmes pikës kufitare Dheu i Bardhë, me dokumente të Kosovës dhe përmes pikës kufitare në anën e Serbisë, citon Bota Sot.
Pas marrëveshjes së arritur në Bruksel përmes bisedimeve teknike Prishtinë-Beograd, nga 16 shtatori kur Kosova hoqi masën e reciprocitetit duke vënë në jetë zbatimin e marrëveshjes, në Kosovë kanë hyrë më shumë se 700 kamionë nga Serbia.
Por, marrëveshja nuk u zbatua nga autoritetet e Serbisë, të cilat i kthyen mbrapsht kamionët e Kosovës duke mos pranuar dokumentacionin dhe vulat doganore të Kosovës.
Andaj këta katër kamionë janë të parët që hyjnë në Serbi pas marrëveshjes për pranimin e vulave doganore.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, kishte paralajmëruar më herët rikthimin e masave të reciprocitetit, në rast se Serbia do të vazhdonte të mos pranonte vulat doganore të Kosovës.
mit/NOA

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›