E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anketa e INSTAT: Armata e të varfërve shtohet me 30 mijë vetë

TIRANE - Thellohet niveli i varfërisë në vend. Instituti i Statistikave ka kryer anketën për matjen e varfërisë, ku janë anketuar 7 mijë familje në katër rajone të vendit. Krahasuar me anketën e vitin 2008, rezulton se në katër vitet e fundit varfëria është rritur me 1./9% ekuivalente me 30 mijë të varfër më shumë.

“Krahasuar me vitin 2008, kur varfëria ka qenë në nivelin 12.4, në vitin 2012 varfëria ka shkuar në nivelin 14.3%. Pra kemi një rritje të varfërisë, të familjeve shqiptare që janë nën vijën e varfërisë. Në qoftë se flasim në persona, kemi rreth 30 mijë njerëz më tepër që i janë shtuar pjesës së varfër në Shqipëri.”-deklaroi Ines Nurja, drejtore e përgjithshme e INSTAT.

Nga anketa e INSTAT rezulton se Kukësi është rajoni më i varfër në vend dhe se kriza ka shtuar numrin e të varfërve në Shqipëri vitet e fundit.

“Prefektura me nivelin më të lartë mund të përmendim përmendim Kukësin me 21.8%, Fieri, Lezha. Prefektura me nivelin më të ulët të varfërisë janë Vlora, Korça, dhe Berati. Kriza globale ka ndikuar në rritjen e varfërisë.”- u shpreh Nurja.

Anketa e INSTAT-it ka nxjerrë në pah edhe një tjetër dukuri. Atë të shtimit të varfërisë në qytete, për shkak të lëvizjeve migratore.

“Varfëria ka kaluar më tepër në zonat urbane. Nëse krahasojmë vitin 2008 me vitin 2012, në zonat urbane kemi një rritje të varfërisë, ndërsa në zonat rurale kemi një rënie të varfërisë.”- deklaroi Nurja.

Drejtoresha e INSTAT-it ka theksuar se anketa përmban të dhëna më cilësore përsa i përket matjes së varfërisë, pasi është shtuar numri i familjeve të anketuara në katër rajone dhe dy prefektura.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›