E Diel, 1 Nëntor 2026

Anketim në 3 qytete: 2/3 e fëmijëve varësi nga interneti, rritet përdorimi i drogës

TIRANE- Një anketim i bërë në 12 shkolla për situatën e të drejtave të fëmijëve në 3 qytete të Shqipërisë për periudhën Prill – Maj 2013 rezulton se 3 cështjet më shqetësuese janë, rreziqet nga përdorimi i internetit, pjesëmarrja në kurset e detyruara nga mësuesit si dhe përdorimi i lëndëve narkotike nga nxënësit.

Sipas këtij anketimi i cili mbështetet nga organizata ‘Save the Children’ rezulton se 2/3 e fëmijëve të anketuar, kanë krijuar varësi nga interneti pasi prindërit nuk mund t’i kontrollojnë në mjedise publike apo në shkolla. Ndërsa një tjetër gjetje e anketimit lidhur me zhvillimin e kurseve private në lëndët e ndryshme, rezulton se mbi gjysma e nxënësve të anketuar kanë deklaruar se ato zhvillohen nga disa mësues të lëndës në mënyrë të detyruar. 

Anketimi thekson se këta mësues ushtrojnë dhunë psikologjike ndaj fëmijëve në forma si: ulja e notës, përdorimi i epiteteve fyese, diferencimit nga nxënësit e tjerë dhe të bërtiturit me qëllim frikësimi. Një dukuri edhe më negative që del nga anketimi është se ka disa mësues që nuk zhvillojnë kurse private por, kërkojnë zarfin me para, gjë që sjell deformimin e karakterit të fëmijëve. Një çështje e rëndësishme në anktim ishte dhe përdorimi i lëndëve narkotike nga nxënësit. Fëmijët e sidomos djemtë, i përdorin këto lëndë kryesisht nga ndikimi i shoqërisë, ndjesia për t’u dukur, kureshtja (në masën 85%), grindjet në familje, shpërfillja nga shoqëria. Pas anketimit kjo organizatë bëri dhe rekomandimet përkatëse për ministrine e Arsimit.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›